EmailFacebookKontakt

Gjykimi i Jisuit

Pastaj, nga Kaiafa, Jisuin e çuan në gjykatë. Ishte mëngjes, dhe ata nuk hynë në gjykatë, për të mos u ndotur dhe kështu të mund të hanin pashkën.

Doli pastaj Pilati tek ata, dhe u tha: Çfarë akuze sillni kundër këtij njeriu? Ata iu përgjigjën e i thanë: Po qe se ky nuk do të ishte një keqbërës, nuk do ta kishim dhënë në duart e tua. Pilati, pra, u tha atyre: Merreni ju, dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj. Judejtë i thanë: Neve nuk na lejohet të vrasim njeri. Dhe kjo që të përmbushej fjala që kishte thënë Jisui, duke u treguar se më çfarë vdekjeje do të vdiste.

Pilati, pra, hyri përsëri në gjykatë; thirri Jisuin, e i tha: Ti je Mbreti i Judejve? Jisui iu përgjigj: Ti këtë e thua nga vetja, apo të tjerë ta kanë thënë për mua? Pilati iu përgjigj: A mos jam unë vallë Judeas? Kombi yt dhe kryepriftërinjtë, të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë? Jisui u përgjigj: Mbretëria ime nuk është kjo botë; nëse mbretëria ime do të ishte nga kjo botë, shërbëtorët e mi do të luftonin që unë të mos jepesha në duart e Judejve; por tani mbretëria ime nuk është e këtejshme. Atëherë Pilati i tha: Pra, mbret je ti? Jisui iu përgjigj: Ti po thua se unë jam mbret; unë prandaj linda, dhe prandaj erdha në botë, që të dëshmoj për të vërtetën. Kushdo që është prej së vërtetës, dëgjon zërin tim. Pilati i tha: Çfarë është e vërteta? (Joani 18: 28-40)