EmailFacebookKontakt

Tradhtimi dhe arrestimi i Jisuit

Si tha këto, Jisui doli bashkë me nxënësit e tij përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin ai hyri me nxënësit e tij.

Dhe e dinte atë vend dhe Juda, ai që e tradhtoi; sepse Jisui shumë herë ishte mbledhur atje me nxënësit e tij. Juda pra, pasi mori trupën e ushtarëve dhe roje të dërguar nga kryepriftërinjtë e nga Farisejtë, erdhi aty me fenerë e me pishtarë e me armë. Dhe Jisui, duke i ditur mirë ato që do ti ndodhnin, doli e i pyeti ata: Cilin kërkoni? Ju përgjigjën: Jisu Nazaretasin! Jisui u tha atyre: Unë jam. Dhe Juda, që e tradhtoi, ishte me ta. Pra, pasi u tha atyre: “Unë jam”, u sprapsën dhe ranë për tokë. Ai pra i pyeti ata përsëri: Cilin kërkoni? Dhe ata i thanë: Jisu Nazaretasin. Jisui u përgjigj: Ju thashë se jam unë; pra, nëse më kërkoni mua, lërini këta të shkojnë. Dhe kjo që të përmbushej fjala që kishte thënë se: “Nga këta që më dhe, nuk humba asnjë”.

Atëherë Simon Petri, që kishte një thikë, e nxori, dhe goditi shërbëtorin e kryepriftit, e i preu veshin e djathtë. Shërbëtori e kishte emrin Malko. Jisui atëherë i tha Petrit: Fute thikën në këllëf; të mos e pi unë kupën që më dha Ati?

Trupa e ushtarëve, pra, dhe kryeprifti dhe rojet e Judejve, e kapën Jisuin dhe e lidhën, dhe e çuan më parë tek Anna, se ishte i vjehrri i Kaiafës, i cili ishte kryeprift i atij viti. Dhe Kaiafa ishte ai që i kishte këshilluar Judejtë se ishte më e dobishme për popullin të vdiste një njeri.

Dhe Simon Petri e një nxënës tjetër e ndiqnin nga pas Jisuin; dhe nxënësi ishte i njohur te kryeprifti dhe hyri me Jisuin në oborrin e kryepriftit; dhe Petri qëndronte te dera e jashtme. Doli pra nxënësi tjetër që ishte i njohur te kryeprifti e i tha portierit dhe e futi Petrin brenda. Atëherë shërbëtorja portiere i tha Petrit: Mos je edhe ti nga nxënësit e këtij njeriu? Ai tha: Nuk jam. Dhe shërbëtorët e rojet kishin ndezur një zjarr, se bënte ftohtë, dhe po ngroheshin; edhe Petri ishte me ta e po ngrohej.

Kryeprifti, pra, e pyeti Jisuin për nxënësit e tij dhe për mësimin e tij. Jisui iu përgjigj: Unë fola hapur në botë; gjithmonë dhashë mësim në sinagoga e në tempull, ku mblidhen gjithë Judejtë; dhe nuk thashë asgjë fshehtas. Pse më pyet? Pyet ata që më kanë dëgjuar për ato që u kam thënë atyre; ja, ata i dinë ato që u kam thënë.

Dhe sa tha këto, një nga rojet që i rrinte afër, i dha një shuplakë Jisuit, duke thënë: Kështu i përgjigjesh ti kryepriftit? Jisui i tha: Po të kem folur keq, tregomë të keqen; por po të kem folur mirë, pse më qëllon? Pastaj Anna e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kaiafa.

Dhe Simon Petri qëndronte aty duke u ngrohur; e i thanë: Mos je dhe ti nga nxënësit e tij? Ai e mohoi e tha: Nuk jam. Një nga shërbëtorët e kryepriftit, fis i atij të cilit Petri i kishte prerë veshin, tha: A nuk të pashë unë ty në kopsht me të? Petri përsëri e mohoi; dhe menjëherë këndoi gjeli. (Joani 18: 1-28)