I
Eshtë dita e Ngjalljes dhe fillimi është i mbarë. Le të ndriçohemi të gjithë në këtë panair; le të përqafojmë njëri-tjetrin. Le t’u themi o vëllezër edhe atyre që na urrejnë dhe jo vetëm atyre që na dhanë dhe u dhamë dashuri: Le t’i falim të gjitha tani me Ngjalljen, njëri-tjetrit le t’i japim ndjesë…
III
Dje Qengji therrej dhe kollonat e dyerve u ngjyen; edhe Egjipti vajtoi të Parëlindurit e vet dhe Vrasësi ne na kapërceu; dhe Vula është e frikshme dhe e respektueshme; dhe të gjithë ne ishim të murosur me Gjakun e Shtrenjtë. Sot ne kemi ikur krejtësisht nga Egjipti dhe nga faraoni, tirani i frikshëm dhe mbikqyrësit e pamëshirshëm dhe u çliruam nga balta dhe bërja e qerpiçëve dhe s’ka njeri që të mund të na pengojë të kremtojmë për hir të Zotin Perëndisë sonë – festën e Daljes sonë; dhe të festojmë jo me brumin e vjetër të së keqes dhe së ligës, por me bukën e pambrujtur të sinqeritetit dhe së vërtetës, duke mos mbajtur me vete asgjë prej brumit të paperëndishëm egjiptian.
IV
Dje, Unë kryqëzohesha bashkë me Krishtin; sot unë lavdërohem bashkë me Të; dje unë vdiqa me Të; sot unë po kthehem në jetë me Të; dje unë u varrosa me Të; sot unë po Ngjallem me Të. Por, le t’i sjellim fryte Atij i Cili pësoi e u ngjall për ne – ndoshta mund t’ju shkojë ndër mend se ju flas për ar ose argjend, ose pëlhurë të enduar, ose gurë të çmuar të tejdukshëm, material që del nga toka e që mbetet këtu poshtë e në shumicën e rasteve gjithmonë posedohet nga njerëz të këqinj, skllevër të botës e të mbretërisë së errësirës së kësaj bote. Le të ofrojmë vetet tona, pronën më të shtrenjtë për Perëndinë dhe më familjare; le t’i japim sërish Shëmbëllimit atë çka është bërë sipas Shëmbëllimit. Le të njohim Autoritetin tonë; le të nderojmë Arketipin tonë; le të njohim fuqinë e Misterit dhe për cilin vdiq Krishti.
V
Le të bëhemi si Krishti, sepse edhe Krishti u bë si ne. Le të bëhemi perëndi për Të, sepse edhe Ai u bë njeri për ne. Ai mori më të keqen, me qëllim që të na japë më të mirën; Ai u bë i varfër, me qëllim që nëpërmjet varfërisë së Tij ne të pasurohemi, Ai mori formën e shërbëtorit, që ne të fitojmë përsëri lirinë tonë; Zbriti që të lartësohemi; vuajti që të fitojmë; U çnderua që të lavdërojë; Vdiq që të shpëtojë; Ai u ngjit në qiell që të na tërheqë pranë vetes edhe ne, që dergjemi poshtë në rënien e mëkatit. Le t’i japim të gjitha, le t’i japim fryte Atij i Cili e dha veten e Tij shpërblesë e shkëmbim dhe nuk mund të japë asgjë kaq të madhe sa veten tonë, që ka kuptuar Misterin dhe është bërë për Të çdo gjë që Ai u bë për ne.