Apostulli i shenjtë Pavli thotë: “Po për mua qoftë larg të mburrem për tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jisu Krisht, me anë të të cilit bota është kryqëzuar tek unë, edhe unë te bota”. (Gal.6:14).
Apostulli i shenjtë Petro u dënua me vdekje në kryq, ashtu si Zoti. Por kaq shumë e nderonte shenjën e kryqit saqë u lutej xhelatëve të tij: “Nuk jam i denjë të më kryqëzoni në këmbë, si Krishtin tim. Ai u kryqëzua kështu që të shikojë në tokë, sepse do të shkonte në Hade për të shpëtuar shpirtërat që gjenden aty. Mua, veçse, të më kryqëzoni me kokën poshtë, që të shikoj qiellin, ku pritet të shkoj”.
Apostulli i shenjtë Andrea i parëthirruri, kur qëndroi përballë kryqit të martirizimit të tij (i formës X), thirri me druajtje dhe emocion: “Gëzohu, kryq, që me trupin e Krishtit u shenjtërove dhe me pjesët e Tij si me margaritarë, u stolise! Para se të mbërthehej mbi ti Zoti im, ishe i frikshëm për njerëzit. Veçse tani, të gjithë besimtarët e dinë se sa hir është i fshehur brenda teje. Pa frikë dhe me gëzim po të afrohem. I gatshëm pranomë edhe ti, mua nxënësin e Krishtit të kryqëzuar… O kryq i lumur e i shtrenjtë, merrmë nga njerëzit dhe dorëzomë te Mësuesi im!”.
Shën Kirilli i Jerusalemit: “Të mos kemi turp për kryqin e Krishtit. Dhe, nëse tjetri ka turp dhe e fsheh, ti bëje kryqin tënd hapur, për ta parë demonët këtë shenjë të mbretit Krisht dhe të ikin larg duke u dridhur. Madje, bëje shenjën e kryqit shpesh, kur ha, kur pi, kur rri, kur shtrihesh, kur ngrihesh, kur flet, kur ecën, me pak fjalë, në çdo rast. Sepse, ai që kryqëzohet këtu në tokë, gjendet shpirtërisht lart në qiell… Mbrojtja është e madhe. Falas e marrin të varfërit dhe pa mund të sëmurët, sepse hiri i Tij vjen nga Perëndia. Eshtë shenjë e besimtarëve dhe tmerr i demonëve”.