Në prani të mjaft besimtarëve e prindërve që shoqëronin vogëlushët, qe dukej se kishin marrë kthjelltësinë e detit mbi përparset e tyre, u krye ajazma e një qendre të re kujdesi, që hapi dyert e saj për fëmijët e moshave 4 e 6 vjeç. Vogëlushët, prindër e të tjerë, që përmes himneve luten për mbarëvajtjen e fëmijëve, At Jovan Koroveshi që bekon mjediset me radhë e tërë të pranishmit me kryqin e shenjtë në dorë, do të përbënin atmosferën mbizotëruese mjaft të gëzuar, në ditën e parë të muajit mars. Kjo përkujdesje fëmijësh, e ngritur me bekimin dhe kontributin e Kryepiskopit Anastas, e pagëzuar me emrin e “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, ka ftuar në gjirin e saj 65 fëmijë, orthodhoksë e të besimeve të tjera.
Ndihmë të madhe për sigurimin e bazës materiale të nevojshme e krijimin e kushteve sa më të përshtatshme, ka dhënë me kujdesin e saj të pakursyer motra Filothei. Kjo përkujdesje fëmijësh, e pajisur me mjete të ndryshme konkretizimi e të tjera ndihmëse, do ndihmojë për zhvillimin e të folurit, fantazisë e në përgjithësi te zhvillimit mendor të fëmijëve. Që tani, nga miq të ndryshëm jashtë vendit ka oferta të shumta për të ndihmuar këtë vatër të re edukimi fëmijësh me mjete të ndryshme mësimore dhe argëtuese.
Prej të gjithë besimtarëve të pranishëm u shfaq dëshira që kjo Përkujdesje Fëmijësh të mos mbetet e vetmia.