“Diakonia Agapes” është zyrë ndihme e zhvillimi pa qëllim fitimi, e cila funksionon brenda Kryepiskopatës dhe ndihmon fëmijë, familje dhe komunitete, pa dallim besimi.
Programi humanitar në rang kombëtar, që kjo zyrë realizoi në vitin 1993, u shërbeu më shumë se 21.000 familjeve nga të gjitha anët e vendit. Rreth 95% kësaj ndihme të dhënë nga KOASH-i ishte në ushqime, shumica e ardhur nga vende të tjera, nëpërmjet drejtimit të Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastas. Totalisht deri tani janë shpërndarë rreth 172 ton ushqime dhe qumësht (me vlerë 185.000$) dhe 2.500 pako me veshmbathje.
Në përpjekjen e vet të sinqertë për t’iu përmbajtur mësimeve të Zotit duke u shërbyer nevojave shpirtërore e fizike të të gjithë njerëzve, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë vazhdon përpjekjen e vet për t’u dhënë rrugë problemeve, nevojave dhe rasteve të mëdha që ekzistojnë tani në vend. Që në fillimet e saj, maj 1993, Zyra “Diaconia Agapes” (Shërbimi i Dashurisë), nën udhëheqjen e frymëzuar të Kryepiskopit Anastas dhe drejtimin e drejtpërdrjetë të At Martin Ricit, i ka shërbyer KOASH-it si krahu i zhvillimit të saj.
Me përmirësimin gradual të situatës në vend, fokusi intensiv i punës së Zyrës, nga ndihma humanitare, tashmë është zhvendosur në zbatimin e projekteve afatgjata me orientim zhvillues.
Gjatë 1994 u filluan projektet e zhvillimit, si përkujdesje për 25 fëmijë në Tiranë, një projekt për dhënie traktori në Zavalinë, program ndërkombëtar rinor për shkëmbim përvoje, i cili gjatë muajve të verës preku jetën e mbi 1mijë vetëve, në 5 qytete e dy fshatra; një pikë-shitjeje kafeje në Tiranë, shpërndarja e 25 mijë librave të Dhiatës së Re dhe 100 mijë librave për fëmijë me histori nga Bibla në 35 vende në gjithë Shqipërinë ndihmë në shtëpinë e fëmijës në Tiranë. Paralelisht, vazhdojnë edhe projektet e ndihmës humanitare. Nga ana organizative, “Diaconia Agapes” stabilizoi më tej infrastrukturën e Zyrës së saj, duke rritur aftësitë dhe cilësinë e stafit të vet nëpërmjet treiningut.
Me ardhjen e 1995, për “Shërbimin e dashurisë” ishte i domosdoshëm përcaktimi i përparësive në përpjekjen për shtrirjen e aktivitetit të saj. Duke shqyrtuar mënyrën e trajtimit të nevojave më të domosdoshme me rrugët më të efektshme, në fokusin primar kanë dalë bujqësia dhe ndërmarrjet që lidhen me to për arsyet e mëposhtme: 1-Dy të tretat e popullsisë jetojnë në zonat rurale. 2-Bujqësia përbën aspektin më të rëndësishëm të ekonomisë. 3-Nga 1989 deri më 1991 prodhimi bujqësor pati një ulje 20-30%, duke sjellë nevojën e ndihmës ushqimore humanitare nga jashtë. 4-Industria bujqësore vuan nga mungesa e teknologjisë, cilësia e farërave, kanale të marketingut, ujitja e pamjaftueshme, mekanizimi i vjetëruar, që, së bashku, ulin prodhimin potencial. 5-Zonat bujqësore janë të mbipopulluara dhe toka bujqësore e pamjaftueshme. Për këto arsye në zyrën “Diaconia Agapes” janë paraqitur nga fermerë të ndryshëm më shumë se 50 projekte.
Gjatë vitit në vazhdim “Diaconia Agapes” ka marrë ndihmë nga jashtë për të zbatuar projekte, si ai i hapjes së një përkujdesje fëmijësh në Korçë, dhënie e mjeteve bujqësore dhe traktorëve në fshatra të komunës së Zavalinës, një buldozer dhe ngritja e një kovaçane në Burishte, ngritja e një qëndre rinore orthodhokse në Tiranë, ngritja e një përkujdesjeje fëmijësh në Durrës, zgjerimi i klinikës “Shën Lluka” dhe përkujdesjes së fëmijëve në Tiranë, hapja e një klinike dentare dhe ngritja e një stalle lopësh në Zavalinë, 7 projekte për ujë të pijshëm dhe vaditjeje në Gjinar, konstruksioni i Seminarit Orthodhoks dhe i një qëndre rinore në zonën e Shën Vlashit. Zyra ka filluar gjithashtu fazën e dytë të zhvillimit të brendshëm të saj.
Me Hirin e Perëndisë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë i janë dhënë sy, të cilat me të vërtetë shohin vuajtjen dhe zemër, e cila me të vërtetë ndjen obligim të veprojë. Pavarësisht nga kompleksiteti që paraqet një gjë e tillë, Kisha, me zyrën e “Shërbesa e dashurisë”, do të forcojë përpjekjet e veta në përballim të nevojave të mëdha ekzistuese.