EmailFacebookKontakt

Bisedime Patrikana Ruse – Vatikan

Bisedimet e rregullta dypalëshe midis delegacioneve të Kishës Romano Katolike dhe Patrikanës së Moskës, në të cilat merrnin pjesë hierarkë drejtues të të dy Kishave, u zhvilluan më 30-31 janar në Manastirin e Shën Danielit në Moskë. Komunikata zyrtare e takimit “konstatoi me kënaqësi përpjekjet e bëra nga të dy palët që nga takimi i fundit, me qëllim që të zgjidhen situatat e vështira dhe komplekse të konfliktit dhe keqkuptimet që janë krijuar gjatë viteve të fundit…” Komunikata theksonte gjithashtu se palët shqyrtuan në veçanti situatën në Ukrainën e Veriut dhe në këtë kontekst konfirmuan edhe një herë tjetër se duhet të përjashtohet çdo dhunë për zgjidhjen e çështjes e përdorimit të vendeve të kultit. Duke vënë re ndryshimin në këndvështrimet nga të cilat të dy delegacionet shohin misionarizmin e Kishës Katolike në vendet e Bashkësisë së Vendeve të Pavarura, u vendos që çështja të sqarohet në takimin e ardhshëm dypalësh. Eshtë e nevojshme, theksuan dy delegacionet, që në marrëdhëniet e tyre konkrete dypalëshe, autoritetet e të dy Kishave të respektojnë vendimet e sanksionet kanonike të marra nga Kisha tjetër.