Disa kohë më parë, në Çorovodë të Skraparit, gjatë punimeve për zgjerimin e shtëpisë nga qytetari M. Sulçe, u zbuluan rrënojat e një kishe orthodhokse mjaft të vjetër, që, me sa duket, është e tipit bazilikal. Gjendja e sotme paraqet një mur verier 3.5m të gjatë dhe tri kollona guri. E gjithë sipërfaqja e murit dhe kollonave është e mbuluar me afreske. Tërheq vëmendjen një mbishkrim në greqisht në 9 rreshta.
Megjithëse suvaja në muret e kishës dhe kolonave është mjaft e dëmtuar, mund të dallohet pjesa e poshtme e ikonës së një shenjtori e motive gjeometrike e bimore, që kufizohen me një bordurë ngjyrë kafe, e cila rrethon gjithë afreskun. Ka me shumicë materiale ndërtimi, si tulla, tjegulla etj., ndërsa eshtrat e gjetura jashtë kishës dëshmojnë për ekzistencën e varreve mjaft të hershme.
Mendohet, paraprakisht, se kisha duhet të jetë e shekullit të parë të mijëvjeçarit të dytë, me rindërtime të mëvonshme. Gjurmë të mbetura rrëzë mureve dëshmojnë se është e mundshme që kisha të jetë shkatërruar nga një zjarr.
Kjo kishë, por dhe mjaft rrënoja të tjera, si të Kishës së Baravenit, të Sharrovës etj., dhe toponomitë, si “Qafa e Kishës”, “Bregu i Kishës”, “Shën Kolli” etj., dëshmojnë se në Skrapar ka pasur një numër të madh ndërtimesh fetare orthodhokse, që shtrojnë nevojën e studimeve më të thelluara.
Korresp. i “Ngjalljes”
Në foto: fragment nga rrënojat e Kishës së vjetër orthodhokse të Çorovodës.