Numrin e kaluar, në referim me ngjarjet e pengimit të liturgjisë në Lezhë për nder të Gjergj Kastriotit, folëm për një shkresë paksa të çuditshme të sekretarit të fesë për besimin Islamik, z. Bardhyl Fico. Le të ndalemi pak më gjerë:
Sekretariati i Feve pranë Kryeministrisë (më parë pranë Ministrisë së Kulturës) u krijua me tre përfaqësues, të tri feve kryesore të vendit tonë, që të kryente lidhjet, ose më mirë, të ndërmjetësonte, midis Shtetit dhe komuniteteve fetare. Ai do të ishte një organ kolegjial, ku përfaqësuesit do të ishin të barabartë ashtu si asnjë komunitet nuk mund të ketë përparësi ndaj të tjerave në një shtet laik.
Por, realiteti nuk ka qenë i tillë. z. B. Fico, përfaqësues i Bashkësisë Islamike, iu dha përparësi nga organet shtetërore, duke u nxjerrë në planin e një sekretari unik dhe dy të tjerët kaluar realisht në pozita zëvendësish ose konsulentësh. Edhe shkresa në fjalë nënshkruhet “Për Sekretariatin e Shtetit për Fenë”, ndërkohë që s’përfaqëson qëndrimin e dy përfaqësuesve të tjerë. Nuk e dimë sa kjo gjendje ka të bëjë me një preferencë të qeverisë ndaj personit në fjalë, apo është një preferencë shtetërore, e bazuar mbi përqindje hipotetike fetare, por normale, madje e domosdoshme, për marrëdhënie të rregullta të shtetit me komunitetet fetare, do të ishte që të rivihej në vend barazia dhe kolegjialiteti i vendimeve midis përfaqësuesve dhe për më tepër, roli i kryetarit të zyrës duhet të ketë rotacion, me afate të fiksuara kohore, midis të tre përfaqësuesve.
Shënim: Në një Kronikë të datës 2 mars z. Fico na paraqit “Drejtor i drejtorisë së feve pranë Kryeministrisë”. – Atëhere si duhet ta kuptojmë shkresën zyrtare në emër të Sekretariatit të feve?