EmailFacebookKontakt

Shën Aleksi njeriu i Perëndisë

Prindërit e Shën Aleksit, Eufimati dhe Agllaia ishin aristokratë dhe jetonin në Romë në kohën e Perandorit Honori (395-423). Ata nuk lindnin fëmijë dhe lindja e Shën Aleksit ishte fryt i lutjes së tyre drejtuar Perëndisë që tu falte fëmijë. Aleksi, i zgjuar dhe i arsimuar, që në moshë të re ka një dëshirë të brendshme për jetën monakale. Fshehurazi nga prindërit e tij bën një jetë të rreptë. Por me kalimin e kohës prindërit i bëjnë presion dhe martohet me një të re jo të denjë për të, por të njëjtën mbrëmje i kthen asaj unazën dhe largohet. Arrin në Edessë të Sirisë. Për 18 vjet qëndron aty dhe jeton në narthikën e kishës duke kultivuar agripninë dhe kreshmën aq shumë, saqë i prishet bukuria e mëparshme. Falenderon Perëndinë kur kërkon dhe merr mëshirë nga… shërbëtorët e tij, të cilët ishin dërguar nga prindërit e tij të pikëlluar kudo për të kërkuar atë. Duke iu larguar nderimit si prej shenjtori që i bënin vendasit, lundron për në Tarso, për tu falur në Kishën e Apostull Pavlit. Por për shkak të erërave të kundërta, përfundon… në Romë! Shkon në shtëpinë e tij si lypsar dhe u kërkon mikpritje, ashtu siç bëri më vonë edhe shën Joan Kaliviti (15 janar). Babai i tij, një njeri mëshirëplotë, i jep madje edhe një shërbëtor i cili pas vdekjes së Shën Aleksit dëshmon për jetën e oshënarit dhe për keqtrajtimin që i bënin atij shërbëtorët e tjerë të atit të tij që nuk e njihnin… Duke jetuar tani në shtëpinë e tij, duke parë trishtimin e prindërve dhe “bashkëshortes” për “humbjen e tij”, shën Aleksi kalon një dhimbje shumë më të madhe se ajo e tyre. Dhe kjo luftë e djallit zgjat për 17 vjet, deri në fjetjen e tij më 17 mars 410, fjetje të cilën zoti ia kish bërë të njohur më parë. Gjatë kësaj kohe mbreti dhe prifti të nxitur mbinatyrshëm e gjetën “njeriun e Perëndisë”. Arritën te lipsani i tij i shenjtë. Në dorën e tij ishte historia e shenjtorit e shkruar nga vetë ai, të cilën e lexuan në mes të vajtimit të të afërmve dhe të njerëzve të tjerë. Ndërsa nderimi 7-ditor i lipsanit të tij u mbush me një begati mrekullish. Koka e shenjtë, shumë popullore e asketit e cila shëron epidemitë, ruhet në Lavrën e Shenjtë në Kalavrita.

At J.