EmailFacebookKontakt

40 martirët e Sebastisë

Ishin nga vende të ndryshme, por të mobilizuar në të njëjtin repart ushtarak. Dimrin e vitit 320 i hodhën lakuriq në ujërat e ngrira të liqenit të Sebastisë, në Armeninë e Vogël, pothuajse në qendër të Turqisë së sotme, sepse nuk u bënin therrore idhujve. Dhimbjet ishin të padurueshme, por ato i zbuste shpresa e medaljes: “i acartë dimri, por e ëmbël Parajsa.” Në breg të liqenit xhelatët vendosën një banjë të ngrohtë për t’i tunduar. Njëri prej tyre nuk duroi. Doli nga akulli dhe u drejtua për te banja e ngrohtë, por ngrohtësia e menjëhershme i shkaktoi vdekjen… Ndërkohë, njëri nga ushtarët që i ruante, me emrin Agllai, pa 40 kurora që zbrisnin nga qielli mbi heronjtë. Hodhi tutje rrobat e tij dhe duke thirrur shprehjen martirike “jam i krishterë”, vrapoi poshtë kurorës së atij që kishte dezertuar. Në mëngjes i nxorrën gjysëm të vdekur dhe dërrmuan këmbët e tyre. Ju dhimbs vetëm një i ri që po hiqte shpirt, Melitoni, i biri i vetëm i një vejushe, dhe e lanë të ikte. Por, nëna e tij, e krishterë, që s’e kishte shoqen, e cila gjatë gjithë natës kishte qëndruar aty duke e ndihmuar që të mos thyhej, e mori birin e saj në krah dhe duke i dhënë zemër vrapoi dhe e vendosi përsëri – të vdekur tashmë, – në qerret që trasportonin lipsanet e të tjerëve për t’i djegur. Mbetjet e diegjes së tyre i hodhën në lumë, por të krishterët, të lajmëruar që përpara në mënyrë të çuditshme i mblodhën ato. Emrat e këtyre 40 atletëve të besimit janë: Kirion, Kandido (apo Klaudio), Domno, Sebiriani, Eftihi, Kirilli, Theodhuli, Viviani (ose Vikrati), Agia, Isihi, Evnoiku, Melitoni, Iliadhi (ose Ilia), Aleksandri, Saqerdoni, Uali, Prisku, Hudiu, Irakliu, Ekdhiqi, Joani, Filiktimon, Flavi, Ksanthi, Valeri, Nikolla (ose Nikalli), Athanasi, Theofili, Lisimahi, Gajo, Klaudio, Smaraldi, Sismili, Leonti (ose Teoktisti), Aeti, Akaki, Dometiani (ose Dometi), Gorgoni, Juhani (ose Iliani), Agllai.

“Kaluam përmes zjarrit edhe ujit dhe na nxorre në vend qetësimi…”
Psallmi 65 (66):12

At J.