Të krishterët orthodhoksë kudo në botë fillojnë këtë muaj udhëtimin e tyre të përvit-shëm shpirtëror të Kreshmës së Madhe. Një udhëtim që i udhëheq në thellësitë e shpirtrave të tyre, duke kontrolluar e përgatitur veten për festimin e hareshëm të Pashkës, Ngjalljen fitimtare së vdekurësh të Zotit tonë. Fatkeqësisht, shumë njerëz s’e kuptojnë siç duhet se çfarë është në të vërtetë kreshma dhe përse duhet që ta praktikojmë.
Sipas teologut të njohur orthodoks Aleksandër Shmeman “qëllimi i Kreshmës nuk është të na imponojë disa detyrime formale, por të zbusë zemrën tonë, me qëllim që ne të mund të provojmë “etjen dhe urinë” e fshehtë për komunikim me Perëndinë”.
Kështu, ne mund të themi se qëllim dhe synim parësor i kreshmës është, së pari, të na bëjë të ndërgjegjshëm për Perëndinë. Kreshma e vërtetë përfshin uri të vërtetë. Do të thotë t’i mohojmë vetes ushqimin gjatë kohësh urie. Etërit e Kishës rekomandojnë se ne gjithmonë duhet të ngrihemi nga tavolina me ndjenjën se mund të kishim ngrënë më tepër. Gjatë këtyre çasteve sakrifice e përpjekjeje, thërritemi të kthejmë mendjet tona drejt Perëndisë dhe të kujtojmë veten për vartësinë tonë të plotë nga Ai. Të gjitha bekimet e jetës — ushqimet, pijet dhe shëndeti — vijnë nga Ai. Ai është dhënësi, ushqyesi dhe burimi ynë i jetës. Kreshma na bën ne shumë të vetëdijshëm për këtë vartësi nga Ai.
Tjetër qëllim i kreshmës është të na ndihmojë ne të kultivojmë vetdisiplinën në jetën tonë. Mentaliteti i botës është të kënaqësh dëshirat e tua kurrdoherë që ke mundësi. Ndërsa jeta kristiane paraqet një anasjellë radikale të një të menduari të tillë. Kisha na thërret të disiplinojmë mendjen, trupin dhe shpirtin tonë. Derisa të mendojmë të kontrollojmë zakonet, veprimet dhe mendimet tona dhe të vemë tërë qenien tonë nën pushtetin e Krishtit, ne nuk mund të rritemi kurrë ashtu siç duhet në jetën e krishterë.
Qëllimi i tretë i kreshmës është të veprojë në jetën tonë si një burim ndriçimi. Nëse kreshma kombinohet me më shumë lutje e veprime mëshire, atëhere Kreshma e Madhe bëhet periudhë zbulimi dhe gjetjeje. Përgjatë historisë, Perëndia u ka folur atyre njerëzve që kanë kreshmuar dhe kanë përqendruar tërë qënien e tyre mbi Të. Në jetën e Isuit, ashtu si edhe në jetën e shumë personazheve të Biblës dhe të shenjtorëve të Kishës, ne shikojmë se periudhat e kreshmës ishin çastet kur ata takuan Perëndinë.
Së fundi, kreshma na ndihmon të çlirojmë veten nga diktatura e trupit mbi shpirtin. Mos e shikoni kreshmën si një dënim personal ose si diçka negative, por si diçka pozitive. Nëse udhëhiqet nga Shpirti i Shenjtë kreshma duhet të japë frytet e Shpirtit të Shenjtë, i cili mbi të gjitha, përfshin dhuratën e GEZIMIT. Këtë na kujtojnë hymnet në fillim të Kreshmës së Madhe: “Me gëzim le të hyjmë në fillimin e Kreshmës e le të mos jemi me pamje të trishtuar. Janë 40 ditë në Kreshmë dhe të gjitha le t’i mbajmë me gëzim”.
Kështu, le të fillojmë të gjithë udhëtimin tonë të Kreshmës, me kuptimin e duhur të saj. Le të përpiqemi të kreshmojmë me gjithë qenien tonë, duke bërë këtë udhëtim drejt Pashkës, kohë zbulimi të sinqertë dhe përtëritjeje në marrëdhënien tonë me Perëndinë e Gjithëpushtetshëm e Njeridashës.
“Kreshmojmë kreshmë të pranueshme, të pëlqyeshme për Zotin. Kreshma e vërtetë, tjetërsimi i të këqijave, përmbajtja e gjuhës, abstenimi nga zemërimi, largimi nga dëshirat, përgojimi, gënjeshtra dhe mosmbajtja e premtimit; mohimi i këtyre është kreshma e vërtetë dhe e pranueshme për Perëndinë”. (Himnologjia e Kreshmës).
“Kur kreshmojnë trupërisht, le të kreshmojmë edhe shpirtërisht, le të zgjidhim çdo lidhje padrejtësie, le të këpusim çdo nyje kontrate të lidhur me dhunë, le të grisim çdo marrëveshje të padrejtë; le t’i japim bukë të uriturve dhe të varfërit e pastrehë le t’i presim në shtëpi, që të mund të marrim nga Krishti, Perëndia ynë, mëshirën e madhe”. (Himnologjia e Kreshmës)
“Kreshma s’duhet të mbahet vetëm nga goja, po, gjithashtu, nga syri, veshi, gryka, këmbët, duart dhe të gjithë pjesët e trupit. Syri duhet të abstenojë nga pamjet e papastra, veshi nga thashethemet dashakeqe, duart nga veprimet e padrejta”. (Shën Joan Gojarti).
“Vallë a s’është kreshma që unë zgjodha: t’i këpusësh verigat padrejtësisë, t’i zgjidhësh leqet e zgjedhës, t’i lësh të lirë të dridhurit, të copëtosh çdo zgjedhë? A jo ta ndash bukën tënde me të uriturin, t’i shtish në shtëpinë tënde skamnorët e të pashtëpitë? Kur ta shohësh të zhveshurin vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd.” (Isaia 58: 6-8)