Janë emocionuese gjithësa lexojmë për fundin e lumur të shpirtërave të shenjtë që si meteorë kaluan nga bota tokësore, për të lënë në të shkëlqimin e qënies së tyre dhe të bien pastaj vrullshëm në pafundësinë e përjetësisë.
Asketët e shumtë në malin e shën Andonit të madh, si mësuan se Ava Sisoi ishte në momentet e fundit të tij, u mblodhën në kasollen e tij për të marrë bekimin e tij. Vlerësimi që kishin për të nuk njihte kufij. E quanin “diamant të shkretëtirës” dhe me shumë të drejtë. E gjithë jeta e tij e gjatë ishte një luftë për shenjtërimin dhe tani në vdekjen e tij shkëlqeu në tërë plotësinë e saj.
Në pamjen e tij të veneruar ishte ravijëzuar një shprehje e qetë lumturie. Si ndjeu rreth tij bashkasketët e tij, vëllezërit e tij, shokët e tij në “luftën e mirë”, që tani ai e fitimtar afronte në fundin e saj, buzët e tij lëvizën ngadalë, diçka donte të thoshte. Ata, jerondë edhe të rinj, Etër të nderuar dhe fillestarë, të gjithë të përlotur nga mallëngjimi i thellë, qëndronin me ndjenjë të thellë nderimi përpara kësaj mistagogjie. Heshtje e plotë kishte rënë përreth. Prisnin të dëgjonin fjalët e fundit të një shenjtori të madh, për t’i ruajtur si amanet të shenjtë. Por ai ishte ngritur lart; nuk shihte më gjë tjetër veç qiellit.
– Po vjen Avai im, – e dëgjuan të pëshpërisë.
Drithma përshkuan trupat thatimë të asketëve. Panë për një moment, me sytë e shpirtit të tyre, figurën e madhe të “Profesorit të Murgjërve”, oshënar Andonin të shtrijë dorën e tij të bekuar për të marrë pranë vetes më të zgjedhurin nga nxënësit e tij, atë që imitoi edhe detajet më të vogla të jetës së tij paradoksale.
– Ja vallja e Apostujve dhe e Profetëve!
Duke pëshpëritur ngadale këto fjalë, fytyra e Avait që jepte shpirt, shkëlqeu nga dritë qiellore. Buzët e tij ende lëviznin ngadalë thua se bisedonte me qenie që i shihte vetëm ai.
– Me kë bashkëbisedon, At? – e pyetën më të moshuarit nga bashkasketët e tij.
– Engjëjt e Shenjtë duan të më marrin dhe unë u lutem të më lënë akoma për t’u penduar, – tha me mundim dhe dy lotë rrodhën poshtë qerpikëve të tij të rëna.
– Nuk ke më nevojë për pendim, i lumur Sisoi. Ti pendoheshe gjatë gjithë jetës sate, – iu përgjigjën Etërit duke u mrekulluar nga përulësia e tij.
– Nuk di të kem filluar ende, – vëllezër të mi.
Duke thënë këto, papritur fytyra e tij shkëlqeu, sikur të shihje në të vetë diellin. Të gjithë sa ishin rrotull mbetën të shtangur nga mrekullimi dhe frika bashkë.
– Zoti im dhe Perëndia im! Lavdi më Ty!
Ishin fjalët e tij të fundit. Me to shpirti i tij fluturoi në qiejt. Kishte parë Isuin që adhuronte nga thellësia e zemrës së tij? Askush nuk mund të thoshte, por të gjitha e vërtetonin. Drita paradoksale që shihnin në pamjen e tij, paqja qiellore që kishte rënë në kasollen modeste, aroma e këndshme e papërshkrushme, të gjitha dëshmonin vizitën e Mbretit Qiellor te miku i Tij i zgjedhur.