EmailFacebookKontakt

“Për të zgjedhur Atë në jetën e ardhshme”

Si prindër, ne duhet t’i kushtojmë rëndësi mjedisit familjar, nëse e marrim seriozisht detyrën e rritjes së fëmijëve tanë brenda Kishës. Veçanërisht në vitet e para, ai është një nga vendet më të rëndësishme ku mëson fëmija.

Nuk mund ta përcaktojmë moshën në të cilën një person bëhet i vetëdijshëm dhe merr vendim për të jetuar në mënyrë të krishterë. Tek disa mund të jetë në moshën 7 vjeç, disa të tjerë 10, 15 apo 30 vjeç e madje, disa në mosha të mëdha. Mund të ndodhë kur ata të kenë mbaruar studimin e besimit orthodhoks ose ndoshta, kur t’i ketë prekur ndonjë varg i veçantë nga Bibla, mund të jetë mbas lindjes së fëmijës së parë ose në kohën e vdekjes së një njeriu shumë të dashur. Po, pavarësisht nga mosha e fëmijëve tuaj, ka rëndësi shumë të madhe, që ne, si prindër, t’u ofrojmë atyre mjetet përmes të cilave ata mund të bëhen të vetëdijshëm për vehten, si persona të krishterë.

Kjo është diçka që duhet ta ruajmë ashtu siç përpiqemi të rrisim këta të rinj, brenda Kishës. Mjedisi familjar duhet të mbahet si një ambjent i krishterë, nëse ne duam që t’u afrojmë fëmijëve tanë mundësinë për t’u bërë orthodhoksë të gjallë.

Shtëpitë e krishtera janë kisha të vogla. Ndaj, një ikonë e Krishtit duhet të jetë pranë krevatit të fëmijëve. Çdo natë dhe mëngjes, prindërit duhet të qëndrojnë së bashku me fëmijët e tyre, përpara ikonës dhe të luten. Fëmijët shumë të vegjël, nën 2 vjeç, duhet të qëndrojnë në krahët e prindërve gjatë lutjes. Fëmijët nga 2 deri 6 vjeç duhet të fillojnë të mësojnë përmendësh lutjet “Ati ynë” dhe “Besoren” dhe, ndërsa fëmija rritet, lutjet plotësuese duhet të shtohen.

Fëmijët kanë dëshirë të këndojnë – Kisha jonë ka shumë këngë për të mësuar. Kjo është gjithashtu një lutje. Kur fëmija hyn në shkollë, ai ose ajo duhet të mësojë se, kur thonë lutjet e mëngjesit, duhet t’i kërkojnë Perëndisë që t’i mbrojë gjatë ditës, ta falenderojnë Perëndinë për ditën e re, që Ai t’i ndihmojë ata duke iu treguar me shembuj virtytet e krishtera gjatë ditës.

Në kohën që fëmija mëson të lexojë, prindërit duhet që të caktojnë një kohë në të cilën të ulen së bashku me fëmijët e tyre dhe t’i dëgjojnë ata të lexojnë pjesë nga Bibla. Filloni me një varg të shkurtër. Bëni që kjo të jetë një kohë e këndshme. Mos qeshni me fëmijët nëse ata shqiptojnë keq ndonjë fjalë. Kjo është koha e pranimit dhe e dashurisë. Ndërsa fëmijët fillojnë të përparojnë në lexim, jepuni atyre pjesë më të gjata për të lexuar. Të gjithë fëmijëve që janë në moshë jepuni një mundësi për të lexuar. Parimet e krishtera janë të vërteta. Eshtë një gabim me pasoja nëse ne i lëmë fëmijët tanë që të mësojnë të gjitha mësimet shkollore, pa treguar kujdes për besimin e vërtetë të kishës sonë.

Jipni aprovimin prindëror për veprimet natyrore të fëmijëve – të bamirësisë dhe ndarjes së gjërave me të tjerët. Tërhiqni vëmëndjen e tyre në faktin që shenjtorët i ndanin të mirat e tyre materiale me të tjerët dhe ata u shpërblyen në qiell. Nxisni fëmijët që të imitojnë jetët e shenjtorëve. Madje, Shën Pavli në letrën e tij të dytë drejtuar Korinthasve na inkurajon ne: “sepse Perëndia do atë që jep me zemër të gëzuar”.

Sipas këshillës së Shën Theofan Eremitit, qëllimi kryesor i edukimit të krishterë është që fëmijët tanë ashtu porsi të rritur të thonë: “Unë jam i krishterë, i detyruar nga Shpëtimtari im Isu Krisht të jetoj në një mënyrë të tillë, për të qenë në një komunikim të bekuar me Të dhe të zgjedhurit e Tij në jetën e ardhshme.”