EmailFacebookKontakt

Falja

Disa herë në jetë fyejmë e prekim njëri-tjetrin. Kjo ndodh sepse djalli urren dashurinë midis nesh dhe me zgjuarsi na fut në kurth, që të fyejmë të afërmin tonë. Për të ruajtur paqen dhe harmoninë, pajtimi është absolutisht i domosdoshëm.

Bibla na mëson se kur mëkatojmë ndaj të afërmit tonë, mëkatojmë, gjithashtu, ndaj Perëndisë dhe kur fyejmë të afërmin tonë, fyejmë vet Perëndinë. Dashuria për të afërmin tonë është gërshetuar me dashurinë për Perëndinë. Kur dashuria jonë për të afërmin është e prishur, e tillë është edhe dashuria jonë për Perëndinë. Rrjedhimisht, nëse duan të pajtohemi me Perëndinë dhe të kemi paqe me Të, së pari duhet të pajtohemi me të afërmin tonë dhe pastaj t’i lutemi Perëndisë për mëshirë.

Derisa të rivendoset paqja e dashuria, Perëndia s’do të pranojë as pendimin, as lutjet dhe asgjë tjetër prej nesh. Me fjalë ose veprime qoftë fyerja, kërko pa vonesë falje përulësisht. Duhet të thyejmë idhullin e krenarisë e të përkulemi me përulësi përpara të fyerit. Kur përkulim gjurin tonë duhet të përkulim zemrën tonë. Kur lutemi me buzët tona për falje, duhet të pendohemi e të ndjejmë hidhërim në zemrat tona.

“Përse duhet të kërkoj falje? – mund të pyesim. “Ai më ka prekur. Unë nuk i kam bërë asgjë atij”. Sidoqoftë, duhet të kujtojmë, se i fyeri duhet të falë fyesin. Sa e tmerrshme është kur ne nuk falim fajet e të afërmit tonë. Nëse ne falim të afërmin tonë, Perëndia do të na falë neve gjithashtu. Nëse ne nuk falim, Perëndia s’do të na falë. Atëhere, si do mund të qëndrojmë ne përpara Perëndisë? Dhe sa vlerë ka lutja jonë. Pothuajse aspak. Sepse si mund të qëndrojmë përpara Perëndisë me zemërim në zemrën tonë? Dhe ne duhet që të marrim të gjithë fajin, sepse mëkati është i yni.

Megithëse mëkati është bërë kundër nesh, ne duhet të kujtojmë se jemi gjithashtu mëkatarë dhe duhet të falim. I afërmi ynë është debitori ynë dhe kërkon falje nga ne, por ne jemi debitorë te Perëndia dhe duhet të kërkojmë faljen e Perëndisë. A u falim të afërmëve tanë fajet e tyre? Perëndia na fal ne gjithashtu në mëshirën e Tij. Refuzojmë të falim? Perëndia do të refuzojë të na falë neve gjithashtu. Ashtu siç trajtojmë ne të afërmin tonë, ashtu do të na trajtojë edhe ne Perëndia. Falja ose mosfalja e mëkateve tona varet nga ne. Pa falje nuk ka shpëtim. Kujto, se të gjithë jemi mëkatarë në sytë e Perëndisë.

Me të vërtetë është e vështirë kur të kthehet e mira me të keqe. Dhe kush bën më shumë të mira se sa Perëndia? Megjithatë, ne mëkatojmë vazhdimisht kundra Tij. Thuaj nga zemra, “mëkatova o Zot, mëshiromë. Unë e fal të afërmin tim, falmë edhe Ti gjithashtu mua, shërbëtorin Tënd të padenjë, që mëkatova kundër Teje, Krijuesit dhe Mirëbërësit tim.”

Nuk mund të ketë fyerje më të rëndë sesa ajo që iu bë Krishtit, Shpëtimtarit tonë, të Cilin jo vetëm që e blasfemuan, e shanë, e përqeshën, e pështynë, e tallën, e goditën dhe e lidhën, por në fund e kurorëzuan me gjëmba dhe e mbërthyen në kryq. Duke kaluar aty, e mallkuan Atë që ishte mbërthyer e dënuar me vdekje – Birin e Perëndisë dhe Zotin e Lavdisë. Kush jemi ne, në krahasim me Atë, që është kaq i madh; çfarë është fyerja jonë e krahasuar me flijimin e Tij? Si hiçi. Krishti i duroi të gjitha me butësi të madhe e durim. Për kë? Për mua dhe për ty. Dhe jo vetëm që i duroi të gjitha këto, por Ai u lut për armiqtë e tij gjithashtu, “O At ndjeji ata” (Lluk. 23;24). Reflekto mbi të si në pasqyrë dhe pa dyshim do të jetë më e lehtë të falësh.

Kur fëmijët mësojnë të lexojnë libra, së pari mësojnë shkronjat dhe pastaj si të lexojnë. Si të krishterë, së pari ne mësojmë të kthejmë të mirën me të mirë, gjë që është mirënjohje; pastaj të mos kthejmë të keqen me të keqe dhe të mos hakmerremi. Pas kësaj, ne mësojmë të duam armiqtë tanë dhe t’u bëjmë të mirë atyre që na urrejnë dhe të keqen ta kthejmë me të mirë. Kjo është shkalla me të cilën të krishterët ngjiten drejt përsosmërisë, drejt bashkimit me Perëndinë!