Më 13 mars Imzot Noli mbushi 30 vjet që ndërroi jetë. Ndonëse në moshë të kaluar, vdekja e Nolit qe një humbje e madhe për Kombin dhe Kishën. Kombit ai i kushtoi pjesën më të rëndësishme të jetës së tij si burrë shteti, si demokrat i shquar, si mendimtar i madh dhe krijues i pasur artistik, si njohës i thellë i kulturës së botës lindore edhe asaj perëndimore, që, me përkthimin e veprave botërore më me vlerë dhe me poezitë e tij origjinale e gjithnjë aktuale, i dha një ndihmesë themelore letërsisë sonë.
Në këtë drejtim, kërkon një vështrim të veçantë kontributi i Nolit në Kishën Orthodhokse, për përkthimin shqip të teksteve liturgjikë më të domosdoshëm për kryerjen e shërbesave fetare, në mënyrë që përdorimi i gjuhës shqipe në Kishën tonë të depërtonte më me baza.
Dihet se lëvizja për përdorimin e gjuhës shqipe në Kishën Orthodhokse është mjaft e vjetër. Dokumentet e para që janë zbuluar gjer tani, i përkasin shekullit XV: një perikope nga Ungjilli pas Mattheut (27, 62), që lexohet të Premten e Zezë, himni i Pashkës “Krishti u ngjall…”, si dhe urimi episkopal: “Për shumë vjet o Kryezot”. Të tre këto, janë pjesë nga shërbesat, që tregojnë për një përpjekje serioze në këtë drejtim. Shekujt e tjerë janë më të pasur.
Kështu, në shek. XVIII është bërë përkthimi i Dhiatës së Vjetër dhe i Dhiatës së Re nga Grigor Konstandinidhi, më vonë mitropolit i Durrësit, vepër e cila nuk i shpëtoi kohës. Eshtë një përkthim i Anonimit të Elbasanit, me predikime dhe pjesë nga Ungjilli. Janë përkthimet e Dhaskal Todrit, në mënyrë të veçantë liturgjia e Shën Joan Gojartit, që kryhet gjatë gjithë vitit kishtar. Eshtë dorëshkrimi i Ieromonakut Konstandin nga Berati, me mjaft pjesë shqip nga shërbesat dhe Ungjilli.
Duhet theksuar se të gjitha këto përkthime, që u përmendën më lart, meqënëse nuk panë dritën e botimit, s’patën ndonjë përhapje të gjerë. Përkundrazi, ato të shek. XIX dhe të fillimit të shek. XX, që qenë botuar si: përkthimi i bërë dhe botuar nën kujdesin e episkopit Grigor Gjirokastritit, në fillim i Ungjillit pas Mattheut (1824) dhe më vonë i krejt Dhiatës së Re (1827), e ribotuar më 1858; përkthimet e Konstandin Kristoforidhit të botuara prej Shoqërisë Biblike Britanike si: Dhiata e Re në dialektin verior (1869) dhe ajo në dialektin e jugut (1878), Psaltiri (1872), “Të bërët”, “Të dalët” dhe “Nomi i Dytë”, të botuara gjatë viteve 1880-1884, patën një përhapje shumë të gjerë dhe ndihmuan mjaft në përdorimin e gjuhës shqipe në Kishë, sidomos në leximin shqip të Apostullit dhe të Ungjillit.
Po punën më të madhe, më sistematike e më të organizuar për futjen e përdorimin në stil sa më të gjerë e në mënyrë efikase të gjuhës shqipe në Kishën Orthodhokse, e bëri Imzot Theofan Noli, i cili qysh më 1906 ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Jemi në periudhën kur lëvizja për pavarësinë e Shqipërisë nga robëria pesëshekullore turke kishte marrë hov të madh, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, sidomos në kolonitë e diasporës shqiptare dhe kur në programin e rilindasve, midis problemeve të tjera kombëtare për të cilat ata luftonin, ishte dhe problemi i një Kishe Orthodhokse shqiptare të pavarur, duke filluar së pari me futjen dhe përdorimin sa më të gjerë të gjuhës shqipe në të.
Për t’ia arritur këtij qëllimi, ai u mor së pari me njohjen e organizimin e shqiptarëve orthodhoksë të Amerikës në komunitete dhe plotësimin e tyre me priftërinj patriotë, të kushtuar çështjes kombëtare. Pasi u bë vetë prift, më 8 mars të vitit 1908, prej mitropolitit rus të New Yorkut, Platonit, më 22 mars bëri liturgjinë e parë në shqip dhe themeloi si qendër Kryekishën e Shën Gjergjit, me të cilën lidhi gjithë komunitetet orthodhokse shqiptare të Amerikës.
Menjëherë pas kësaj, Noli u mor me përkthimin e botimin e teksteve liturgjikë më të domosdoshëm, që do të përdoreshin në Kishë dhe do kontribuonin në vendosjen njëherë e mirë të gjuhës shqipe në të.
Dhe këtë detyrë ai e kreu në një kohë rekord, kështu:
– Më 1908 përkthen dhe boton “Shërbesën e Javës së Madhe”.
– Më 1909 përkthen e boton “Librin e Shërbesave të shenjta të Kishës Orthodhokse”, që përmban shërbesat e mbrëmjes e të mëngjesit, liturgjinë e Shën Joan Gojartit me përgatitjet për të, shërbesat e pagëzimit, të martesës, të prehjes për të vdekurit, bekimin e ujit, disa himne nga Oktoiku dhe zbritësoret e vitit.
– Më 1911 përkthen e boton “Librin e të Kremteve të mëdha të Kishës Orthodhokse”, që përmban shërbesat e të kremteve të mëdha, që përkujtohen gjatë vitit.
– Më 1913 përkthen e boton “Triodin e Vogël”, që përmban shërbesat e mbrëmjes e të mëngjesit të të dielave të periudhës së Triodit e të Kreshmëve të mëdha. Përveç këtyre, Triodi i Vogël përmban shërbesat e Pasdarkës së Madhe e të Vogël dhe Himnin Akathist, që psalen gjatë Kreshmëve.
– Më 1914 përkthen dhe boton “Lutjesoren”, që përmban himnet në të tetë tingujt të Kishës, që psalen gjatë shërbesave të mbrëmjes e të mëngjesit të të dielave.
– Po në vitin 1914 përkthen e boton “Pesëdhjetoren e Vogël”, që përmban shërbesën e plotë të Pashkës, si dhe shërbesat e mbrëmjes e të mëngjesit të të gjithë të dielave të periudhës së Pesëdhjetores.
Siç del nga vetë përmbajtja e librave liturgjikë të përkthyer e të bekuar, synimi kryesor dhe imediat i Imzot Nolit në konditat e atëhershme ishte që, në një kohë sa më të shkurtër, t’u jepte Orthodhoksëve, të përkthyera në shqip shërbesat më të domosdoshme të Kishës, në mënyrë të veçantë, ato të së shtunës mbrëma, të së dielës në mëngjes, të të kremteve më me rëndësi të vitit, të kryerjes së mistereve e të shërbimeve të ndryshme, sipas kërkesave e nevojave të besimtarëve. Me punën që bëri në këtë drejtim, ia arriti plotësisht qëllimit.
Përkthimi i një teksti liturgjik kishtar është shumë më i vështirë se sa përkthimi i çdo lloj teksti tjetër letrar. Ai lyp që përkthyesi të jetë njohës i thellë i gjuhës shqipe dhe i gjuhëve kishtare të huaja nga të cilat përkthen, për t’i dhënë versionit shqip bukurinë e shprehjes së gjuhës shqipe, por ai njëkohësisht duhet të jetë njohës i thellë i disiplinave të ndryshme teologjike – të dogmatikës, të historisë së Kishës, të himnologjisë, të liturgjisë e të Tipikosë, të Ermineutikës e të Shkrimeve të Etërve të Shenjtë – për t’u dhënë dhe kuptimin e drejtë orthodhoks; ai duhet të jetë në fund dhe një njohës i mirë i melodive kishtare bizantine, në mënyrë që himni i përkthyer t’i përshtatet melodisë origjinale të saj, pa u larguar natyrisht nga teksti origjinal.
E kqyrur, pra nën këtë prizëm, del se Imzot Noli ka bërë një punë të madhe, të pastër e me kujdes, një punë të lavdëruar në një kohë rekord. Ai, së pari, u ka qëndruar besnik në përkthim teksteve origjinalë të Kishës, ashtu siç kërkon tradita jonë Orthodhokse. Gjithashtu, tregoi më tepër kujdes për një përkthim të qartë e të kuptueshëm të himnit a të troparit, se sa përshtatjen e tij sipas melodisë bizantine. Po, natyrisht, jo edhe pa gabime, që ishin pasojë e gjendjes së atëhershme të gjuhës shqipe dhe të mospasjes së një kulture më të lartë teologjike prej tij gjer në atë kohë. Nuk do të hyjmë në ndonjë analizë rreth këtyre gabimeve që konsistonin më tepër në një ngatërresë të termave teologjikë. Të meta të tilla, si emërtime emrash dhe veprash gabim, përkthime termash himnologjike, herë të goditura, herë jo, e të tjera, nëpër tekstet ka mjaft. Pjesën më të madhe të tyre ai i ka ndrequr në botimin e dytë të këtyre veprave, që u krye në periudhën 1914-1952. Gjatë kësaj kohe, Noli, pasi u bëri një rishqyrtim gjuhësor, një përshtatje shumë më të mirë të teksteve me melodi të tradicionale bizantine dhe i plotësoi me përkthime të reja shërbesash e uratash të nevojshme për klerin, i sistemoi e i botoi më tri vëllime: të parin e quajti “Uratorja e Kishës Orthodhokse”, sipas tekstit liturgjik kishtar “Eukologjion”, të dytin e quajti: “Kremtorja e Kishës Orthodhokse”, me shërbesat e mbrëmjes e të mëngjesit të të gjithë të dielave të zakonshme dhe të të kremteve më të rëndësishme të Kishës sonë, kurse vëllimin e tretë e quajti “Triodi – Pesëdhjetorja”, që ishte bashkimi në një vëllim i të dy teksteve liturgjikë: “Triodhi” dhe “Pendikostar i Vogël”.
Këto ribotime, ndonëse më të plota nga përmbajtja, lënë për të dëshiruar përsa i përket besnikërisë ndaj teksteve origjinale, që janë në përdorim në të gjithë Kishën Orthodhokse. Siç e thekson edhe vetë Noli nëpër parathëniet e tyre, ai ka bërë një përkthim të lirë, duke i përpunuar himnet në që t’i përshtaten melodisë e ritmit muzikor, duke bërë ndryshime të tilla që, një pjesë e mirë e tyre, të mund të konsiderohen si përpunime të vetë Nolit, gjë që s’është e lejueshme në Kishën tonë. Asnjë Kishë Orthodhokse s’ka lejuar të cënohet sadopak përmbajtja për hir të melodisë e të ritmit muzikor. Uniteti i ritit liturgjik është një traditë e vjetër dhe një nga parimet kryesore të unitetit të besimit të Kishës Orthodhokse, pjesë përbërëse dhe e pandarë e së cilës dhe Kisha jonë Orthodhokse Autoqefale.
Në mungesë të teksteve të botimit të parë të Imz. Nolit, Kisha jonë, e cila sot është në riorganizim e sipër, po përdor në kryerjen e shërbesave fetare tekstet liturgjikë të botimit të dytë. Ndërkaq, ajo, që në fillim, ngarkoi një komision nën kryesinë e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, që me bazë përkthimet e botimit të parë të Imz. Nolit, të përgatitë për botim (duke ia përshtatur gjuhës së sotme shqipe dhe duke i plotësuar me shërbesat e tjera e me shënimet tipikonale të teksteve origjinale të Orthodhoksisë mbarë), tekstet e nevojshëm liturgjikë. Deri tani është përgatitur e botuar në format special kishtar teksti “Libri i Shërbesave të Shenjta…” (1994), është gati për botim teksti “Uratorja” dhe po punohet për “Lutjesoren”, “Pesëdhjetorin” dhe “Triodhin”.
Imzot Noli mbetet gjithnjë nismëtari dhe çarësi më i madh e më sistematik në fushën e përkthimit të teksteve liturgjikë të Kishës sonë, që, me shumë përpjekje e kurajo, në rrethana jashtëzakonisht të vështira, krijoi kushtet e kryerjes në gjuhën shqipe, të shërbesave kryesore të Kishës sonë. Ndaj, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë e përkujton me shumë respekt dhe nderim në përvjetorin e 30-të të ndërrimit të jetës së tij.