“Dhe në muajin e gjashtë, engjëlli Gavriil u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, të quajtur Nazaret, te një virgjëreshë e fejuar me një burrë, që quhej Josif, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria. Dhe engjëlli, me të hyrë tek ajo, i tha: Gëzohu, o hirëplote; Zoti është me ty, e bekuar je ti në mes të grave. Dhe ajo, kur pa këtë, u turbullua nga kjo fjalë, dhe po mendohej se ç’do të thoshte një përshëndetje e tillë. Dhe engjëlli i tha: Mos u tremb, Mari, se gjete hir te Perëndia. Dhe do të mbetesh shtatzënë e do të lindësh një djalë e do t’i vesh emrin Isu. Ky do të jetë i madh, e do të quhet Bir i të Shumëlartit; dhe Zoti Perëndia do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe ai do të mbretërojë në shtëpinë e Jakovit në jetë të jetëve, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Dhe Maria i tha engjëllit: Si do të ndodhë kjo, pasi unë nuk njoh burrë? Dhe engjëlli, duke iu përgjigjur, i tha: Shpirti i Shenjtë do të vijë mbi ty dhe fuqia e të Shumëlartit do të të hijesojë…Dhe Maria tha: Ja, shërbëtorja e Zotit; u bëftë tek unë sipas fjalës tënde.
Dhe engjëlli iku prej saj” (Llukai 1: 26-38)
“Sot është krei i shpëtimit tonë dhe shfaqja e misterit të qëmotshëm…”
“Sot është ditë gëzimi…”
“Sot tërë krijesa ngazëllohet…”
Po. Dita e Ungjillëzimit të Hyjlindëses së Tërëshenjtë është ditë gëzimi dhe ngazëllimi për tërë botën, për tërë njerëzimin. Sepse në këtë ditë u krye “shfaqja e misterit të qëmotshëm…”. Misteri, plani mistik, të cilin të gjithë shekujt para Krishtit nuk e njihnin dhe asnjë, madje as edhe vetë engjëjt e shenjtë nuk ishin në dijeni, u shfaq në këtë ditë. Plani, të cilin dashuria e Perëndisë e kishte konceptuar që para krijimit të botës për shpëtimin e njerëzve të rënë në mëkat. Plani me anën e të cilit satanai do të humbiste fuqinë e do të dërrmohej. Plani, që do të çlironte njerëzit nga zgjedha e rëndë e mëkatit dhe do t’i pajtonte me Perëndinë. Plani, që do të ngrinte njeriun në bir të dashur të Perëndisë dhe do ta bënte përsëri të denjë për Parajsën, që do t’i falte atij përsëri lavdinë e vjetër që patën në fillim njerëzit e parë, Adami dhe Eva, madje edhe më shumë. Këtë plan madhështor, pra, vjen që ti zbulojë Virgjëreshës së Tërëshenjtë Kryeengjëlli Gavriil.
Dhe ky plan ishte trupëzimi i Perëndisë Fjalë. Që Virgjëresha do të ngjizej me fuqinë e Shpirtit të shenjtë dhe do të lindte si njeri Birin e Perëndisë. Që Ai të bëhej çlirimtar dhe shpëtimtar i botës me theroren e Tij mbi Kryqin dhe me Ngjalljen e Tij të lavdishme. Ashtu si fort bukur e formuloi këtë Shën Thanasi i madh: “Perëndia bëhet njeri, që të ngjitë Adamin te Perëndia”.
Me këtë plan të Perëndisë zhduket mëkati dhe shpëton njeriu. “Ai që beson te Biri i Vetëmlindur i Perëndisë, s’do të humbë, po do të ketë jetë të përjetshme”. (Joan 3,16). Gjë kjo që, nuk do të mund të fitohej me asnjë mënyrë tjetër. Prandaj dhe poeti kishtar e quan “krej”, që tregon se kjo ngjarje është nga më kryesoret dhe më të rëndësishmet lidhur me shpëtimin tonë, me shpëtimin e gjithë njerëzve.
Si pra, pas këtyre që u thanë më lartë, ngjarja e Ungjillëzimit të Hyjlindëses së Tërëshenjtë, të mos jetë ditë gëzimi? Si të mos ngazëllohet për këtë tërë Krijesa? Tani është çlirimtari, tani është shpëtimi i përjetshëm. A ka gjë më të madhe se ky? A ka gjë më gazmore? Le të mbushet pra shpirti plot e përplot me mirënjohje, me falenderim, me lavdërim ndaj Perëndisë, Zotit tonë, duke i thënë me tërë fuqinë tonë: “Ty o Zot, krijues dhe çlirimtari ynë, të qoftë lavdia, falenderimi dhe mirënjohja jonë në jetë të jetëve”, ndërsa Virgjëreshës së Tërëshenjtë Mari që pranoi pa hezitim thirrjen hyjnore, t’i drejtojmë edhe një herë nga zemra përshëndetjen e Kryeengjëllit: “Gëzohu o Hirëplotë! Zoti është me ty”.
E përgatiti Dh. B.