EmailFacebookKontakt

Adis Abeba: Patriku Ekumenik vizitoi Etiopinë

Vizita në Etiopi e Patrikut Ekumenik, Varthollomeu I, ishte një kontribut në fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis të dy kishave, që, vlen të përmendet, se janë në nivel të shkëlqyer. Gjatë qëndrimit të tij në dhjetëditorin 10-21 janar, Patriku Ekumenik, krahas aktivitetit fetar, pati takime të rëndësishme edhe me udhëheqjen politike të vendit, si Presidentin, z. Miles Zevui dhe Kryeministrin e qeverisë provizore të Etiopisë, z. Tamirat Lene.

Në bisedimet e Patrikut Varthollomeu me Patrikun e Etiopisë, Abuna Paulos dhe të përfaqësive të Sinodheve të Shenjta përkatëse, u vendos studimi i mëtejshëm, i thellë e i plotë i çështjeve dogmatike, si edhe të atyre të natyrave të tjera, të cilat kishin penguar marrëdhëniet e dy kishave në të kaluarën. Ndërkohë, u ra dakord që të miratohet nga Sinodhet përkatëse materiali i adoptuar nga komisioni i dialogut kishtar.

Të krishterët e Etiopisë, themelimi i kishës të cilëve ka për autorë Episkop Frumentin dhe Edesin, të dy të hirotonisur nga Shën Athanasi i Madh, kanë ruajtur të gjallë besimin stërgjyshor e qytetërimin e lashtë.

Gjatë qëndrimit të tij në Etiopi, Patriku Ekumenik vizitoi manastiret e lashta të vendit dhe kishat në Adis-Abebë, Bahir-Dar, Lalibela, Godar e Aksomin, si dhe vendosi kurora, midis të tjerash, në varrin e Patrikut martir të Etiopisë, Theofilit dhe në varrezat e personaliteteve që u ekzekutuan nga regjimi diktatorial.

Pritjet madhështore të Patrikut nga populli, sipas pohimit të përgjithshëm, ishin “shprehja e lidhjeve historike shekullore midis dy kishave të lashta”.