Demokracia në Shqipëri krijoi kushte të mrekullueshme për të gjithë njerëzit që besojnë në Perëndinë. Dyert e kishave janë të hapura për të gjithë. Katër vjet demokraci dhe katër vjet të veprimtarisë së Kishës i mjaftojnë cilitdo që vete në Kishë për të mbajtur qëndrim të drejtë. Mendoj, se në këto kushte janë të dëmshme shprehjet “Ky ka qenë ateist, ky ka qenë ndjekës i besimtarëve” etj, si këto.
Jisu Krishti, kur erdhi në tokë, theksoi: “Nuk dua kurban, por fajtorë në pendim”. Pra, ky mësim i Zotit Krisht ka një domethënie të madhe, për të gjithë ata njerëz të cilët pëshpërisnin për atë kategori njerëzish që fola më lart. Nuk është e drejtë e këtij grupi njerëzish t’u mbyllë derën e Kishës apo dhe në organet drejtuese apo klerikale, asaj kategorie, e cila në periudhën e diktaturës komuniste ishte e tillë. Të gjithë duhet të kenë parasysh aktivitetin e Apostull Pavllit, kur nga ndjekës shenjtorësh dhe i Kishës, u bë përhapësi më i madh i Krishtërimit. Apostujt e Jisu Krishtit, kur panë kthesën e tij, e bënë bashkëluftëtar dhe pjesë të trupit të tyre.
Perëndia të gjithë i do, por ajo gëzohet më shumë kur një fajtor pendohet seriozisht, me gjithë shpirt, zemër dhe mendje. Për të gjithë është e qartë paravolia e deles së humbur apo e djalit plangprishës. Po aq të pahijshme janë edhe letrat e disa besimtarëve, që merren me këto gjëra, për kategori të ndryshme njerëzish, duke i sjellë shqetësime si Kryepiskopit, Këshillit të Përgjithshëm dhe rrjedhimisht Kishës Orthodhokse, që u takon të gjithëve.
Kisha Orthodhokse në këtë fazë nuk është më e viteve 1991-1992, por është forcuar dhe po ecën përpara. Prandaj, këta tipa njerëzish duhet të heqin dorë nga këto gjykime të padrejta, sepse një është gjykatësi, Zoti Krisht.
Jovan Joco, historian, Korçë