Më poshtë po japim disa të dhëna për dy objekte që kanë lidhje me jetën dhe punën e shën Joan Kukuzelit nga Durrësi: për kathizmën e Kryeëngjëjve të Shenjtë, ku ai ka jetuar dhe punuar dhe për ikonën e Shën Marisë, të quajtur “e Kukuzelit”, që ndodhen në Malin e Shenjtë.
Kathizma e Kryeengjëjve të Shenjtë
Kur Joan Kukuzeli braktisi postin e lartë të domestikut të madh, d.m.th të drejtuesit të të gjithë aktivitetit muzikor, që kishte në pallatin perandorak dhe në Kishën e Madhe të Kostandinapojës, u paraqit në Malin e Shenjtë si bari i thjeshtë dhe kërkoi të bëhej murg. E pranuan dhe për të bërë stazhin paraprak të provës, e caktuan bari, pa e ditur se kush ishte në të vërtetë. Po, kur e diktuan dhe mësuan qëllimin për të cilin ai kishte preferuar Ajonorosin: të ushtrohej së pari shpirtërisht dhe së dyti të përsoste më tej sistemin e muzikës kishtare bizantine, e pranuan në manastirin më të parë e më të madh të Ajonorosit, në Llavrën e Madhe dhe i caktuan një truall në jug të manastirit, ku ai ngriti një kathizmë, d.m.th një banesë të vogël, sa për një person, në formë kishëze, që ua kushtoi Kryeëngjëjve të shenjtë Gavriil dhe Mihail. Pranë kathizmës është dhe një shpellë ku ai falej e bënte një jetë asketike.
Në atë kathizmë, pra, ai e kaloi jetën me falje e me punë. Aty shkroi tekstin teorik të muzikës kishtare bizantine dhe tekstin e ornamenteve të reja muzikore. Aty kompozoi një sërë himnesh melodiozë, si Himnin Herubik, në të tetë tingujt muzikorë të kishës, himne që psalen gjatë Kungimit, vargje nga psalmi 103 i shërbesës së mbrëmjes, si dhe shumë himne e kompozime të tjera muzikore, nga të cilat vetëm një pjesë e vogël është botuar nga studiues të huaj. Pjesa tjetër e dorëshkrimeve me kompozimet e tij ndodhet nëpër bibliotekat e pasura të Ajonorosit dhe presin ndonjë studiues shqiptar që të merret me to. Aty, në atë kathizmë, mbaroi dhe jetën, duke kaluar në përjetësi dhe po aty u varros. Sot lipsanet e tij të hirshme ruhen në manastirin e Llavrës së Madhe.
Ikona e Shën Marisë e quajtur “e Kukuzelit”
Në kishën e Hyrjes së Hyjlindëses, e cila ndodhet brenda oborrit të manastirit të Llavrës së Madhe, është edhe sot një ikonë çudibërëse e Shën Marisë, e quajtur “e Kukuzelit”. Ikona është shumë e vjetër dhe deri në shekullin XII quhej “Shën Maria e Ekonomisë”. Emrin “Shën Maria e Kukuzelit” e mori pas çudisë që ndodhi me Joan Kukuzelin:
Një natë po kryhej në atë kishë agripnia e Himnit Akathist, i cili është një poemë me shprehje të zgjedhura kushtuar Shën Marisë. Këtë himn e këndoi me pasion të jashtëzakonshëm shën Joan Kukuzeli. Si mbaroi së kënduari, u ul në vendin e tij, ku e zuri gjumi. Në vizion i paraqitet zonja Shën Mari e ikonës dhe i thotë:
“Gëzohu o Joan, biri im: Këndomë dhe nuk do të të lë.” Dhe i vuri në dorën e djathtë, si çmim, një monedhë prej ari. Kur u zgjua, pa vërtet në dorën e tij një monedhë prej ari, të cilën si ua tregoi dhe të tjerëve, e vari në ikonën e saj. Që nga ajo kohë, kjo ikonë mori emrin: Shën Maria e Kukuzelit” dhe nderohet shumë në Malin e Shenjtë.
… dhe një falenderim
Këto të dy objekte janë të shtrenjta dhe për ne besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë, se na kujtojnë lidhjet e vazhdueshme që kanë ekzistuar e që ekzistojnë edhe sot midis Mali të Shenjtë, kësaj qendre të rëndësishme shpirtërore, kulturore e artistike orthodhokse dhe Kishës sonë. Monakë nga Mali i Shenjtë, teologë e muzikologë, duke iu përgjigjur thirrjes së Kryehirësisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, si At Damaskinoi, nga manastiri i Shën Grigorit, At Theologu dhe At Tihoni nga manastiri i Simonopetras, At Justini e të tjerë, të ardhur vullnetarisht për të ndihmuar në ringritjen e kishës sonë, kanë dhënë kontributin e tyre si pedagogë në shkollën tonë hieratiko-teologjike. Bashke me pedagogët shqiptarë, kanë ndihmuar jo vetëm në përgatitjen teologjike-shpirtërore të klerit tonë të ri, por dhe në hartimin e teksteve teologjike-muzikore, aq të domosdoshme për studentët e shkollës dhe në përgjithësi për letërsinë tonë kishtare shumë të varfër. Nuk mund të lemë pa përmendur edhe kontributin që jep dhe ieromonaku-arkitekt Theolog Ajoriti në rindërtimin e godinave tona kishtare e manastiriale, të shkatërruara nga regjimi ateist.
Ndaj, Mali i Shenjtë duhet të vazhdojë të jetë për ne orthodhoksët e Shqipërisë gjithnjë qendër frymëzimi spiritual orthodhoks, siç është dhe për të gjithë orthodhoksët e tjerë të Ballkanit.
B.