EmailFacebookKontakt

Me rastin e fillimit të Triodhit

Më 12 të këtij muaji fillon Triodhi, domethënë hapet ajo periudhë e jetës kishtare, në të cilën përdoret libri i Triodhit. Por, gjëja karakteristike e kësaj periudhe nuk është vetëm përdorimi i këtij libri, por qëllimi i lartë dhe i veçantë që ndiqet për rindërtimin shpirtëror të besimtarëve orthodhoksë.

Ngjarjet që na kujton kjo periudhë, si dhe idetë e larta që përmbajnë himnet e shërbesat e shenjta, i japin me të vërtetë rast çdo të krishteri, që të mendohet seriozisht për pjesëmarrjen e tij në jetën e Kishës dhe për rregullimin e fuqive të tij shpirtërore. Fryma që udhëheq gjithë këtë përpjekje shpirtërore të Triodhit, është frymë prove më të thellë të gjendjes sonë të brendshme, frymë lidhjeje më të gjallë me Atin tonë qiellor, frymë afrimi më të plotë me Krishtin, frymë ushtrimi dhe stërvitjeje më sistematike të dashurisë për të afërmin.

Ata, të cilët e ndjejnë veten se nuk kanë bërë deri më sot asgjë prej këtyre, kanë tani rastin të mendohen e të ndreqin gabimin. Ata, të cilët kanë bërë diçka, po me pakujdesi, jo sistematikisht e pa seriozitetin e vëmendjen e duhur, kanë tani rastin të rregullohen. Dhe, së fundi, ata, të cilët kanë bindje të plotë se për rregullimin e tyre shpirtëror nuk kanë treguar as pakujdesi, as ftohtësi, as mungesë sistemi, e kanë për detyrë tani të mendohen që Krishti i do edhe më të përsosur.

Luftimi i çdo lloj egoizmi, besimi në dashurinë absolute të Atit tonë qiellor, meditimi mbi vdekjen, mbi gjyqin dhe jetën e ardhshme, kuptimi i vlerës së shpirtit, çmimi i thertores shpëtimtare të Birit të Perëndisë, devotshmëria ndaj Krishtit dhe bindja e plotë ndaj vullnetit hyjnor, të shoqëruara këto me një dashuri të pakufishme ndaj të afërmit, janë virtytet që duhet t’i zhvillojë gjatë kësaj periudhe në shpirtin e vet çdo i krishterë.

Të falurit vetiak, i rregullt dhe i nxehtë, të falurit e përbashkët në Kishë, studimi dhe thellimi në fjalën e Zotit; agjërimi, rrëfimi, kungimi me misterët e Shenjta, lëmosha ndaj të varfërve, vizitat tek të ata që lëngojnë, ngushëllimi i të vuajturve dhe këshillimi i shpirtrave të humbur për gjetjen e Krishtit, janë detyrat më me rëndësi që lyp Kisha prej besimtarëve të saj gjatë gjithë këtyre ditëve.