Shën Trifoni ishte nga Lampsaku i Azisë së Vogël dhe ka rënë dëshmor në kohën e perandorit romak Decius, rreth vitit 250 pas Krishtit. Rridhte nga një familje shumë e varfër dhe për të jetuar detyrohej të kulloste tufa me pata. Kishte zell të madh për të mësuar. Lexonte sidomos Shkrimin e Shenjtë e kryente rregullisht detyrat fetare.
Duke pasur parasysh këto mësime hyjnore, ku, ndër të tjera thuhet se “Perëndia është kundër kryelartëve, kurse të përulurve u jep hir” (Fjalë të urta të Solomonit 3,34), Shën Trifoni, me përulësinë e tij, me shpresëtarinë e zellin për të mësuar u bë njeri me njohuri të gjera jo vetëm për vete, por u predikonte fjalën e Zotit edhe të tjerëve. Madje, iu dha aq hir nga Perëndia, sa shëronte sëmundjet në mënyrë të mrekullueshme.
Ish bërë aq i dëgjuar, sa perandori Gordian, që ka qenë para Deciusit, e thirri që t’i shëronte vajzën e sëmurë. Shenjti ia shëroi, ndaj perandori i bëri nderime të mëdha e deshi ta mbajë në pallat. Po Shën Trifoni nuk pranoi asgjë. U largua e vazhdoi punën e tij misionare për Krishtin dhe Kishën.
Gjatë përndjekjes së shpallur nga Deciusi kundër të krishterëve, e arrestuan dhe, meqë pohoi haptas e me guxim para gjyqtarëve besimin e tij te Krishti, iu nënshtrua një sërë torturave të tmerrshme dhe në fund, e ekzekutuan, duke i prerë kryet me sopatë.
Kisha e përkujton veprimtarinë e tij çdo vit më 1 shkurt, ndërsa besimtarët orthodhoksë e nderojnë edhe si mbrojtës të pemëtarisë dhe në ditën e kremtimit të Shenjtit, kush merret me bujqësi e pemëtari, bën ajazmë në kishë, marrin ujë të bekuar e spërkatin me të arat, kopshtet dhe pemët, që me ndërmjetimet e Shën Trifonit dhe me besimin tek Zoti, të kenë një vit të mbarë, me prodhime të bollshme.