EmailFacebookKontakt

Zëri i etërve të shenjtë në kohët moderne: I krishteri përballë ngjarjes së vdekjes

Shën Foti i Madh: “Perëndia caktoi që te njeriu të ekzistojë jeta dhe jo vdekja, por, megjithatë, Ai që di gjithçka, e parashikoi vdekjen. Veçse, Perëndia, nuk ka përgjegjësi për vdekjen; atë nuk e solli parashikimi, por shkelja e porosisë nga njerëzit e parë në Eden.”

Isak Siriani: “Bëhu i vdekur për pasionet e tua në këtë jetë dhe për veten tënde të çrregullt të prirur nga mëkati, për të jetuar pas vdekjes”.

Maksim Konfesori: “Me studimin e vazhdueshëm të vdekjes, i bëjmë të mirë të paimagjinueshme jetës sonë. Me njohurinë që mund të marrim prej saj, është e mundur të arrijmë në njohjen e natyrës sonë. Në sajë të këtij studimi, shkëpusim shpirtin tonë nga interesimi i ankthshëm i përkujdesjeve të tepërta trupore dhe e pengojmë atë të jipet pas çështjesh që e prishin. Për më tej, atij që studion vdekjen, i bëhet zakon të pozicionohet ndaj materies, në përputhje me nevojat reale të natyrës njerëzore”.

Shën Joani i Shkallës: “Askush prej atyre, që kanë vazhdimisht në mendjen e tyre kujtimin e vdekjes, nuk mund të mëkatojë”.

Shën Joan Damaskinoi: “Vdekja jote o Zot, u bë shkak i pavdekësisë sonë. Nëse ti nuk do të zbrisje në varr nuk do të hapej për ne Parajsa. Ndaj, të lutemi: prehi vëllezërit tanë të fjetur, si mirëdashës.”