EmailFacebookKontakt

Të krishterët orthodhoksë – anëtarë të Familjes së Perëndisë

Cfarë ndjenjë e mrekullueshme është që të dish se ne i përkasim familjes së Perëndisë. Kisha jonë është një vend të cilit i përket e tërë familja jonë. Eshtë burimi për jetën tonë shpirtërore, për paqen, gëzimin dhe qëllimin tonë.

Ne e dimë që jetët tona janë të ndikuara, në shkallë të ndryshme, nga situatat që na rrethojnë. Dhe kështu, që të jetojmë një jetë që ka për qendër Krishtin, ne duhet të ndikohemi nga mënyra e jetës së Tij. Për këtë, duhet që të jemi të vetëdijshëm për praktikimin e besimit tonë orthodhoks. Të gjithë ne, fëmijë dhe të rritur, duhet të jetojmë si fëmijë të Perëndisë.

Shpesh kemi dëgjuar se është përgjegjësia jonë për t’i rritur fëmijët në mënyrë të Perëndishme dhe të krishterë. Ne e dimë që është detyra jonë për ta përcjellë Besimin tonë Orthodhoks në brezat e ardhshëm. Së pari, ne duhet të fillojmë nga kontrolli i jetës sonë. Nëse themeli ynë nuk është në praktikimin dhe rrugët e besimit tonë, atëherë si mundet që ne të bëhemi instrumente përmes të cilave të përcillet besimi ynë.

Si prindër, që e marrin seriozisht përgjegjësinë për rritjen e fëmijëve të krishterë, duhet që në fillim të ekzaminojmë vetvehten. Sepse, nëse e shohim veten si anëtarë të Familjes së Perëndisë – domethënë si njerëz të cilët përpiqen të bëjnë një jetë të krishterë – atëherë roli ynë si prind ka për qëllim rritjen e fëmijëve tanë brenda Kishës.

Në Bibël lexojmë: “…gjërat e zbuluara na takojnë neve dhe fëmijëve tanë, përjetë, që të mund të zbatojnë të gjitha fjalët e ligjit” (Deuteronomia 29:29). Cfarë kujtesë e mrekullueshme; të mësojmë, ta përcjellim këtë tek fëmijët tanë dhe të ndjekim Qalët e Ligjit. Së pari, ne duhet të mësojmë për besimin tonë orthodhoks. Kisha jonë është kaq e pasur në tradita, saqë ne duhet t’ia dedikojmë tërë jetën tonë të brendshme mësimit të besimit tonë, ashtu siç kanë bërë shumë nga paraardhësit tanë orthodhoksë. Duke marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore, duke dëgjuar dhe duke u lutur gjatë tërë shërbesës dhe duke lexuar literaturën e re të botuar nga Kisha Orthodhokse, hedhim hapa të të bërit anëtar i familjes së Perëndisë. Gjithashtu, Ungjilli është një vend i mirë për të gjetur pasuritë e besimit tonë. Leximi dhe rileximi i Tij, na sjell në prezencë të Zotit. Besimi ynë orthodhoks është i bazuar në Ungjill. Kisha jonë e ka mbajtur gjithmonë në një vend nderi. Besimtarët orthodhoksë e lexojnë dhe zbatojnë mësimet që gjenden në Fjalën e Perëndisë.

Ne kemi një bekim të veçantë, sepse shumë shenjtorë orthodhoksë e kaluan jetën duke studiuar Ungjillin dhe duke shkruar shpjegime, në mënyrë që kisha jonë orthodhokse, në mbarë botën, të mund të kishte të njëjtin kuptim të saktë të Tij.

Pavarësisht nga mosha juaj apo nga sa kini studiuar Ungjillin dhe dini për besimin tuaj, nëse enoria juaj ofron mësime katekizmi, ju mund të fitoni shumë duke marrë pjesë dhe duke shtruar pyetje. Natyrisht, hapi tjetër tashmë është zbatimi i fjalës së Perëndisë. Cfarë mësojmë, duhet ta vemë në praktikë. Ne duhet të njihemi si orthodhoksë nga jeta që bëjmë dhe jo nga trashëgimia që marrim.

Një pasazh i mrekullueshëm i Ungjillit, i cili na tregon se çfarë lloj jetese duhet të ndjekim nëse me të vërtetë jemi anëtarë të familjes së Perëndisë, është historia e Shën Pavlit. Ndërsa udhëtonte për në Damask, Sauli, persekutori Kishës, takoi Krishtin, që i foli atij si një dritë verbuese. Reagimi i menjehershëm i Shën Pavlit ishte pyetja: “Cfarë duhet të bëj unë, o Zot?” – duke ditur që ajo do të ndryshonte plotësisht jetën e tij. Që tani e tutje, nuk do të persekutonte Kishën, por ai vetë do të vuante persekutim për hir të Krishtit.

Të besosh do të thotë një ndryshim i jetës – jo të jetojmë jetën tonë në rrugët që çojnë në mallkim dhe në ferr, por në një jetë të re më Krishtin, i cili na sjell paqe, gëzim dhe jetë të përjetshme. T’i përkasësh Krishtit do të thotë angazhim për të jetuar si një person i ri. T’i përkasësh Krishtit do të thotë dhënie e vetes, në mënyrë që t’i shërbejmë Kishës me çdo aftësi që mundemi. T’i përkasësh familjes së Krishtit, do të thotë që ne mund t’u mësojmë fëmijëve tanë rrugët e Kishës sonë, në mënyrë që edhe ata të mund t’i përkasin gjithashtu familjes së Krishtit.

Orthodhoksia, është një fjalë e bukur, që do të thotë “besim i vërtetë”. Ne duhet të mësojmë besimin tonë të vërtetë, ta përcjellim atë tek të tjerët dhe të zbatojmë gjithë Ligjin. Ti përkasësh familjes së Perëndisë do të thotë që ta vësh Krishtin në qendër të jetës dhe të bësh jetën e Kishës. Me këtë trashëgim, ne mund të jetojmë si fëmijë të Perëndisë, si njerëz të përgjegjshëm që rrisin fëmijë të krishterë orthodhoksë brenda Familjes orthodhokse.

Presviteri Urani Rici