Të mërkurën e parë të shkurtit, në datën 1, në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, u zhvillua takimi mujor i Kryepiskopit Anastas me intelektualë të Kryeqytetit. Sërisht auditori ishte mjaft i gjerë, gjë që dëshmon sa interesimin që kanë ngjallur këto takime aq edhe faktin se intelektualët orthodhoksë nuk janë aspak indiferentë ndaj fesë dhe fateve të besimit të tyre.
Kësaj here tema e përgatitur nga Fortlumturia e Tij i kushtohej figurës së shndritshme të të Tre Hierarkëve të Mëdhenj; Shën Vasilit të Madh, Shën Joan Gojartit dhe Shën Grigor Theologut, rëndësisë për Kishën tonë të mendimit dhe shembullit të jetës së tyre, por po aq edhe aktualitetit të mahnitshëm të mësimeve të tyre. Në ligjëratën e Kryepiskopit, Fortlumturisë së Tij Anastasit, ndër të tjera u vu në dukje se:
“Ndërmjet botëkuptimeve fetare dhe filozofike, të cilat ndikojnë jetën e njerëzve, disa e pranojnë botën, disa përpiqen ta mënjanojnë, kurse një pjesë e caktuar kërkojnë ta transformojnë. Botkuptimet e krishtera, i përkasin, pa dyshim, atyre më dinamike të llojit të tretë. Këtë vizion të përgjithshëm e kanë përpunuar me fuqi dhe origjinalitet të tre Mësuesit Ekumenikë… Duke përjetuar me tërë qenien e tyre mesazhin biblik për ripërtëritjen e të gjithave më Krishtin, ata mendojnë, analizojnë dhe punojnë për një ndryshim të përgjithshëm të gjërave njerëzore, me perspektivë idealin ungjillor. Përjetojnë dinamikën ‘e ndryshimit të mirë’, të transformimit të gjithçkaje që përuron Krishti në hapësirën e jashtme e të brendshme…”
Dëshmia e tyre për ndryshimin e mirë ishte ndërtuar në ligjëratë e ndarë në 5 pika:
1. Shumë gjëra duhet të ndryshojnë në jetën njerëzore.
2. Ekziston mundësia e ndryshimit dhe ne detyrohemi personalisht të veprojmë për këtë.
3. Ndryshimi esencial nis nga thellësia, nga bërthama e qenies njerëzore.
4. Shtrihet në të gjithë krijesën deri te njeriu e fjala e gjithësisë.
5. Të Tre Hierarkët shohin një ndryshim, i cili tendos pa pushim mundësitë e ngjitjes njerëzore gjer në hyjnizim…
“…Idera, të cilat shekujt e fundit konsiderohen prirëse në kërkimet botërore, përbëjnë pika qëndrore në doktrinën e shenjtorëve që po nderojmë… Në një epokë, e cila i quante parimore dallimet dhe ndryshimin kolosal midis zotërinjve e robërve, burrave e grave dhe një ligj i fortë i imponon, zëri i të Tre Hierarkëve, i vë në diskutim. ‘Cili është zotni apo rob? Ndërhyrje vicioze’ – shkruan Shën Grigori. ‘Një është gatues i të gjithave, një ligj është, një logjikë’.
Fjala e tyre merr zjarr kur prekin temat e pangopësisë, të pasurisë, të padrejtësisë shoqërore, që sundojnë në epokën e tyre… Nuk di të jenë shkruar mendime më tronditëse për pasurinë dhe pangopësinë e njerëzve se ato të tyre. Vasili i Madh, pa u drojtur, përcakton parimin se pasuria është faqja e kundërt e dashurisë. ‘Pra, sa më tepër i pangopur bëhesh për pasurinë, aq më tepër të pakësohet dashuria’.
‘E imja, dhe e jotja’ karakterizohet nga Gojarti: ‘shprehje e ftohtë, që ka shkaktuar në botë me dhjetëra mijëra luftëra’. Ajo që goditet me këmbëngulje nuk është vetëm fakti i pasurisë, por predispozita për t’u pasuruar, të cilën e takojmë jo vetëm te pasanikët, por dhe në të varfërit. Kështu, kritika e tyre mbulon të gjitha klasat. ‘Kush është i pangopuri? Ai që s’mjaftohet me aq sa i nevojitet’. Edhe të hollat që fiton me mundim të drejtë do të llogariten si grabitje ‘në qoftë se duke i fituar me mundim të drejtë, nuk i sjell Perëndisë dhurata me të cilat të ushqehen të varfërit’. Një parim shumë interesant, i cili ecën bashkë me pikëpamjet e ekonomisë së sotme shoqërore, përcaktohet nga Vasili i Madh: ‘Kur pasuria nuk vihet në lëvizje është e pavlefshme, ndërsa ajo që lëviz e përdoret, është e dobishme për shoqërinë dhe frytdhënëse’.
Të Tre Hierarkët jetuan në një epokë kozmogonike, që paraqiste të çara të thella, trazira politiko-shoqërore, kërkime të guximshme, rivlerësime të përgjithshme idesh dhe analogji serioze, të njëjta me shoqërinë tonë. Megjithkëtë, janë të bindur për mundësitë e njeriut lidhur me kalimin e tragjikes së tij. Ata i mbush një besim optimist për të ardhmen e tij. Të gjitha thirrjet e tyre për ‘pendesë’ i bashkërenditin me faktin e marrjes së natyrës njerëzore nga Krishti dhe të lidhjes së Tij me çdo individ. ‘Gjersa ka kohë – shkruan Grigori – Krishtin do të vizitojmë, Krishtin do të shërbejmë, Krishtin do të ushqejmë, Krishtin do të veshim, Krishtin do të pasojmë, Krishtin do të nderojmë’…
Kur shenjtorët flasin për njeriun, nuk kufizohen në shfaqjet e tij shpirtërore e morale. Gjithnjë flasin për të si një qenie të lidhur organikisht me botën lëndore brenda se cilës lëviz. ‘Ndryshimi i mirë’ përfshin të rë krijesën… Njeriu dhe e gjithë krijesa janë vepër e Perëndisë së gjallë e të pakufishme, të destinuara që të zhvillohen në harmoni. Asgjë nuk është e padenjë për Perëndinë veç mëkatit. ‘Çdo gjë nga sa ekzistojnë, kur është nga vetvetja e keqe, nuk është krijesë e Perëndisë, sepse çdo gjë është krijesë e Perëndisë dhe është e mirë dhe asgjë s’është për t’u hedhur poshtë’, shkruan Shën Vasili…
Gjith ky ndryshim në thellësi e në gjerësi lidhet me një perspektivë, me një të ardhme madhështore të një lartësie të pavëzhgueshme. Duke qëndruar besnikë në zbulesën e krishterë Tre Etërit theksojnë se njeriu nuk vlerësohet nga vendi që zë brenda sistemit botëror, por nga lidhja e tij me të Tërëfuqishmin, me Perëndinë e dashurisë. Konkretizimi i qenies së tij të vërtetë nuk kryhet brenda natyrës bimore a shtazore, në të jetuarit ‘sipas natyrës’. Shtrihet në të ‘përmbinatyrshmen’, që, së fundi është ‘natyra’ e tij e vërtetë. Kjo, pikërisht, përcakton dinamikën e tij të brendshme, ‘të të bërit’ të vazhdueshëm. Duke qenë ikonë e Perëndisë, teuton gjithnjë t’i ngjajë Atij. Këtu qëndron madhështia e tij…
Vetë të Tre Hierarkët kanë qenë faktorë të një ndryshimi të thellë ripërtëritës, me idera rrënjësisht transformuese, të cilat qëndrojnë edhe sot të guximshme e të kohës. Të liruar nga kompromiset e kohës, me kuptim të thellë për të kaluarën dhe me një vizion profetik për të ardhmen, rrojnë brenda në përjetësi…
Të Tre Hierarkët s’i përkasin të kaluarës. Ata shprehin në mënyrë qëndrueshme mendimin e saj. Përbëjnë një realitet ndërkohor. Së bashku me shenjtorët formojnë pjesë të gjallë të Kishës. Brenda në jetën e Mistereve dhe në kohën e shërbesave shenjtorët vazhdojnë të rrojnë e të vëprojnë.
Orthodhoksia jetoi e jeton këtë dëshmi për një ripërtëritje dinamike e të vazhdueshme. Rron këtë ecje drejt ‘ndryshimit të mirë’ jo si si një detyrim ligjor të mbushur me një austeritet moralocentrik, por si një të kremte, si një panair të një eksodi të ndritshëm nga ‘Egjipti i rëndë dhe i errët i jetës’, me udhëheqës Krishtin e Kryqëzuar dhe të Ngjallur. Kjo dritë e Ngjalljes ndërhyn thellë në mendjet, në ndjenjat e në ndërgjegjen e orthodhoksëve. Ky himn i Ngjalljes tendos vullnetin tonë. Kjo teori e Ngjalljes mbush ëndrat dhe vizionet tona me thirrjen tonë shumë të gjerë.
‘Në rast se mendon e vepron kështu’ – do t’i thoshte edhe sot Grigor Teologu secilit prej nesh, Kishës sonë, gjithë popullit-qielli do të jetë për ty i ripërtërirë, dhe dheu i ripërtërirë, si edhe të gjitha të tjerat që vetkuptohen…”
Në fund të ligjëratës, për mjaft minuta, pati çaste tepër interesante me pyetje dhe përgjigje, midis Kryepiskopit Anastas e auditorit të vëmendshëm, si dhe ftesë intelektualëve nga Fortlumturia e Tij, që edhe ata të kontribuojnë aktivisht në cikël, nëpërmjet ligjëratash të veçanta.