Republika e Shqipërisë
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Drejtoria e Kulturës
Nr. 96/2 i prot. Tiranë, më 13.1.1995
Z. Aleko Dhima, sekretar Administrativ i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Në lidhje me kërkesën tuaj për organizimin e meshës në memorialin e Skënderbeut (ish Kisha e Shën Kollit, Lezhë), me rastin e përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut, ju bëjmë të ditur se një kërkesë të tillë kemi marrë edhe nga Z. Frano Ilia, Kryeipeshkëvi Metropolitan i Shkodrës, për zhvillimin e një ceremonie të tillë. Me qenë se Kërkesat janë për të njëjtën ditë, dt 17 Janar 1995, Ndërmjetësohuni me njëri-tjetrin për saktësimin e orarit, me qëllim që njera veprimtari të mos bëhet pengesë për veprimtarinë tjetër.
Nga ana e jonë do marrim masa për njoftimin e qendrës muzeore (memorialit), për kryerjen e meshës së parashikuar nga ana e juaj.
Drejtori
Dashnor Kokonozi
Republika e Shqipërisë
Kryeministria
Sekretariati i Fesë Tiranë 16.1.1995
Nr. extra. Prot.
KISHËS ORTHODHOKSE
KISHËS KATOLIKE
Kemi marrë protestën e komunitetit Mysliman rreth mbajtjes së meshës mbi varrin e Skënderbeut në Lezhë. Meqë protesta të tilla janë bërë edhe vitet e shkuara dhe na është dashur përpjekje e madhe për të evituar ballafaqimet, të cilat mund të shkonin deri në konflikte, meqë varri i Skënderbeut ka qenë xhami prej qindra vjetësh dhe është prishur në vitin 1970 dhe meqë autenticiteti i këtij varri ka qenë dhe mbetet i diskutueshëm, ju lutem pezulloni ceremoninë.
Për Sekretariatin e Shtetit për Fenë
Bardhyl Fico
Shënim: Kjo shkresë zyrtare u zbatua vetëm nga Komuniteti Orthodhoks, ndërsa Komuniteti Katolik nuk e mori parasysh, por celebroi rregullisht në Memorial.
Republika e Shqipërisë
Bashkësia Islame Shqiptare Tiranë, më 16.1.1995
Komuniteti Musliman
Nr. 192 Prot.
KRYEMINISTRIT
Z. Aleksandër Meksi
Ministrit të Kulturës
Kishës Orthodhokse
Kishës Katolike
Jemi të informuar se në Monumentin e Heroit Kombëtar Skënderbeu, ish xhamia e Lezhës për 500 vjet me radhë dhe që u prish më 1970, Kryepiskopi Janullatos do të mbajë një meshë në këtë vend; gjithashtu dhe Kisha Katolike.
Në këtë vend që për 500 vjet ka qenë xhami, të bëhet meshë sjell shqetësime në opinionin islamik. Jemi të shqetësuar që sot ky vend nuk është as xhami as kishë, të përdoret mbas 500 vjetëve për të bërë meshë kishtare, qoftë nga kisha orthodhokse apo edhe nga ajo katolike.
Ky veprim mbas 500 vjetëve është aq i dëmshëm sa do të sjellë përçarje e konflikte midis feve, gjë e cila nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë asnjëherë.
Ju lutemi t’i merrni të gjitha masat që në një vend të tillë mos të bëhet asnjë veprim i tillë. Për çdo gjë që mund të ndodhë keni përgjegjësi Ju.
Kryetari
H. Sabri Koçi
Shënim: Referimi specifik ndaj Kryepiskopit Anastas në letrën e mësipërme, nuk i përgjigjet realitetit, pasi askund nuk ishte folur dhe menduar për një celebrim nga ana e tij dhe lë vend për keqinterpretime tendencioze. Liturgjia për Gjergj Kastriotin do kryhej nga protopresviter Jani Trebicka.