Në 2 të shkurtit përkujtojmë çdo vit Ipapandinë e Krishtit, çuarjen e tij në tempullin e Jeruzalemit. Ligji i Moisiut parashikonte se fëmija i parëlindur, po të ishte djalë, quhej i kushtuar Perëndisë dhe dyzetë ditë pas lindjes, duhej të shkonte në tempull, ku e ëma merrte uratën e pastrimit, duke i blatuar dy pëllumba ose turtuj dhe fëmija i kushtohej Zotit. Kështu vepruan edhe Josifi me Hyjlindësen e Tërëshenjtë.
Në Jeruzalem në atë kohë rronte një njeri që quhej Simeon. Ishte i drejtë e shpresëtar dhe priste shpëtimin e Izraelit. Shpirti i shenjtë, që ishte mbi të, i kish zbuluar se nuk do të vdiste para se të shikonte Mesian. Gjithashtu, e kishte ndriçuar atë që të ishte në tempull ditën që sollën Krishtin. E priti, pra, plaku i drejtë Simeon foshnjen në prehër të tij, lavdëroi Perëndinë dhe i ngazëlluar tha: “Tani, o Zot, lëre të shkojë në paqe shërbëtorin tënd, sipas fjalës sate; sytë e mi panë shpëtimin tënd, që e përgatite para gjithë popujve, dritë për të ndriçuar Paganët dhe lavdi për popullin tënd Izrael”. Dhe, pastaj, i paratha Shën Marisë se “ky është vënë për rënien dhe ngritjen e shumë vetëve në Izrael” dhe se “ty vetë një shpatë do të ta përshkojë shpirtin, me qëllim që mendimet e shumë zemrave të zbulohen.”
Në Jeruzalem rronte edhe një grua, Ana, e bija e Fanuelit nga fisi i Asirit, e cila profetizonte. Në moshë të madhe, mbi tetëdhjetë vjeç dhe e ve, rrinte në tempull e i falej Zotit natë e ditë. Kur sollën Krishtin, ishte edhe ajo aty, duke lavdëruar Perëndinë dhe u fliste të gjithëve sa ndodheshin për shpëtimin e Izraelit e të gjithë botës. Dhe Josifi dhe Shën Maria, të habitur nga ç’dëgjonin për të, u kthyen përsëri në vendin e tyre.