EmailFacebookKontakt

Përshëndetje e bukur feste

Kushdo që u fut në pasditen e Krishtlindjeve në Kishën e Ungjillëzimit, hasi një atmosferë tingujsh të ëmbël, që mund t’i dhurojnë vetëm fëmijët. Programi ishte si një përshëndetje e bukur feste për gjithë besimtarët e mbledhur në Kishë, për klerikët dhe për Kryepiskopin Anastas, i pranishëm në gëzimin e tyre.

Pas një përgatitjeje 6 javore, nën drejtimin e Penny Delijanit, e cila ka ardhur nga SHBA për të kontribuar në ringritjen e Kishës sonë, 50 vajzat e korit, që bëjnë pjesë edhe në grupet e katekizmit, të përzgjedhura sipas zërave shfaqën një program të pasur himnesh e këngësh me temë fetare.

Në Kishë kumbuan “O bukuri me nam”, “Engjëj duke fluturuar”, “Natë e Shenjtë” etj., si gëzim ëngjëllor në zemrat e atyre që prisnin Shpëtimtarin.

Tingujt harmonikë të korit, ndërthurreshin me leximin e pjesëve të Ungjillit për këtë ditë të shënuar. Të gjitha të finalizuara me këngën “Krishti erdhi”, të kompozuar nga drejtuesja e apasionuar e korit, të kënduar në disa gjuhë. Penny nuk pranon të flasë shumë për punën e saj, por sytë e fëmijëve mjaftojnë për të shprehur gjithë admirimin, gëzimin dhe dëshirën për të vazhduar me programe të tjera të tilla, të cilat mënjanojnë lodhjen e përgatitjeve të gjata e këmbëngulëse.

Dhe, për Pashkë, premtojnë një tjetër suprizë.