EmailFacebookKontakt

Pendimi

Misteri i Pendimit (Rrëfimit) është një rit i shenjtë hirdhënës, në të cilin, mbasi besimtari afron pendesën e mëkateve të tij, falja e tyre dhurohet nga mëshira e Perëndisë nëpërmjet ndërmjetësisë të një prifti të kishës, sipas premtimit të Shpëtimtarit. Në këtë Mister kurohet dhimbja shpirtërore, pastrohen papastërtitë e shpirtit dhe i krishteri mbasi ka marrë faljen e mëkateve, bëhet përsëri i pafajshëm dhe i shenjtëruar, ashtu siç doli nga ujërat e Pagëzimit. Për këtë arsye, Misteri i Pendimit është quajtur një “ilaç shpirtëror”. Mëkatet, të cilat e zhysin njeriun poshtë, të cilat ja errësojnë mendjen, zemrën dhe ndërgjegjen dhe e verbojnë vizionin e tij shpirtëror, duke e bërë të pafuqishëm vullnetin e tij shpirtëror, duke e bërë të pafuqishëm vullnetin e tij të krishterë – asgjësohen në Pendim dhe lidhja e gjallë me Kishën dhe Zotin Perëndi restaurohet përsëri. Për të kuptuar Misterin e Pendimit duhet kuptuar çfarë është mëkati.

Mëkati: Mëkati në teologjinë orthodhokse s’është parë në perspektivën legalistike. Mëkati nuk është thjesht një shkelje e një rregulli apo urdhëri; dhe nga kjo shkelje Zoti është ofenduar, kështu që duhet bërë diçka për të zbutur Atë. Mëkati është parë si një largim nga Zoti, i vetmi burim i çdo jete, dhe është vetë mëkatari që dëmtohet nga kryerja e mëkatit. Eshtë vetë njeriu që largohet nga drita dhe nuk mund më të shohë qartë. Mëkati është parë si humbja e rrugës së drejtë, prandaj pendimi nuk është një lloj pagese e gjobës dhe je i larë. Njeriu do jetë gjithmonë në errësirë nëse nuk e gjen përsëri rrugën, nëse nuk e vendos lidhjen me burimin e jetës. Me mëkatin e Adamit erdhi vdekja, më tepër sepse Adami vetë e ndau veten nga Zoti, se sa si dënim i Zotit. Duke u ndarë nga Zoti ne nuk mund të kemi jetë, kështu duke mëkatuar jemi ne vetë që dënojmë vetveten.

Duke u nisur nga kjo perspektivë Kisha e Lindjes e ka parë pendimin jo vetëm si një ritual legalistik, por si një përpjekje e besimtarit për të gjetur rrugën e humbur dhe për të rivendosur lidhjen e prishur me Perëndinë. Në gjuhët e vjetra mëkati ka kuptimin e humbjes së rrugës, e mosgoditjes në shenjë dhe pendimi ka kuptimin e kthimit në rrugën e vërtetë, e ndryshimit të mendjes.

Paqe mbi ju! … Dhe si tha këto, fryu mbi ta e tha: Merrni Shpirtin e Shenjtë. Atyre që do t’u falni mëkatet, do t’u jenë falur; dhe atyre që nuk do t’ua falni, do t’u mbeten të pafalura. (Joani 20:21-23)

Riti: Misteri i Pendimit përbëhet nga dy veprime themelore: 1) rrëfimi i mëkateve nga personi i penduar para priftit; dhe 2) lutja e faljes dhe e zgjidhjes së mëkateve thënë nga prifti. Ky mister është quajtur gjithashtu Misteri i Rrëfimit (ndonëse rrëfimi i mëkateve përbën vetëm pjesën e parë të tij), dhe kjo tregon rëndësinë e zbulimit të sinqertë të fajeve dhe mëkateve. Rrëfimi – që thuhet me zë – është shprehje e Pendimit të Brendshëm, rezultat dhe tregues i tij. Dhe çfarë është pendimi? Pendimi nuk është vetëm Ndërgjegjësimi për mëkatin ose thjesht një Njohje e vetvetes si i padenjë; nuk është as një Keqardhje (ndonëse të gjithë këto aspekte përfshihen në pendimin). Ai është më tepër një akt i një dëshire për ndreqje; një vendim, një dëshirë e fortë për t’u bërë ballë të gjitha prirjeve të liga; dhe kjo gjendje e shpirtit është e bashkuar me një lutje për ndihmën e Zotit në këtë betejë kundër prirjeve të liga. Një pendim me gjithë zemër dhe i sinqertë është i nevojshëm që efektet e këtij Misteri mos të shtrihen vetëm në Heqjen e mëkateve, por që të mund të hyjë në shpirtin e hapur Shërimi hirdhënës, i cili nuk e lejon shpirtin të zhytet përsëri në llumin e mëkatit.

Thënia me zë të lartë e mëkateve dhe rënia para atit shpirtëror – rrëfimi i mëkateve – tregon që me anë të tij është mundur a) krenaria, burimi kryesor i të gjitha mëkateve, dhe b) dekurajimi dhe humbja e shpresës për ndreqjen dhe shpëtimin. Tregimi i mëkatit e afron njeriun pranë momentit të hedhjes së këtij mëkati larg vetes. Ata që do i afrohen këtij Misteri duhet të përgatiten për të; me lutje, agjërime dhe shqyrtim të thellë të vetvetes, për të zbuluar dhe njohur mëkatet. Mëshira e Perëndisë vjen të takojë të krishterin e penduar, nëpërmjet buzëve të atit shpirtëror, duke treguar që Ati Qiellor i pranon të tërë ata që vijnë tek Ai, ashtu siç bëri me djalin plangprishës dhe publikanin e penduar.

Dy llojet e rrëfimeve: Ne kemi dy lloje rrëfimesh: privat dhe sakramental (bërë me prift). Ndërsa kisha Romane Katolike kërkon të mbahet vetëm tek rrëfimi sakramental, Protestantët vetëm tek rrëfimi privat nëpërmjet lutjes, Kisha Orthodhokse, duke djekur mënyrën apostolike, i shmanget të dy ekstremeve. Ajo beson që falja hyjnore mund të merret si nga lutja private ashtu edhe nga Misteri. Në rastet e mëkateve të rënda, rrëfimit nëpërmjet lutjes private mund t’i shtohet rrëfimi sakramental. Në rastet e pasigurisë se kush quhet një mëkat i rëndë mund të konsultohet një prift. Rrëfimi sakramental para një prifti, qoftë edhe për faje të lehta, kërkohet në kishën orthodhokse të paktën një herë në vit.

Rrëfimi i përditshëm: Rrëfimi nuk është diçka që duhet bërë vetëm në disa raste të rralla. Meqënëse mëkatojmë përditë ne kemi nevojë të pendohemi dhe të rrëfehemi përditë. Vetëm nëse ne sinqerisht do i rrëfejmë mëkatet tona tek Zoti ynë Jisu, përditë, nëpërmjet lutjeve private, atëherë ne do të kuptojmë nevojën për rrëfimin sakramental. Njëra të çon tek tjetra. Vetë Jisui na mëson ta përdorim lutjen private si një mjet rrëfimi kur Ai na mësoi të lutemi: “Falna fajet tona…”. Shën Agustini shkruan: “Pagëzimi është për të gjitha mëkatet. Për mëkatet e lehta, të cilave s’mund t’i shpëtojmë, është lutja. Cila lutje? “Falna fajet”. Vetëm një herë ne jemi larë në pagëzim; por ne lahemi përditë nëpërmjet lutjes.” Rrëfimi i përditshëm nëpërmjet lutjes është pjesë e traditës orthodhokse nëpërmjet përdorimit të Lutjes së Jisuit: “Zoti Jisu Krisht, Biri i Perëndisë, mëshiromë mua mëkatarin.” Shën Joan Gojarti shkruan: “Ja, ne kemi pesë rrugë pendimi. E para, njohja e mëkateve tona; e dyta, falja e mëkateve të afërmëve tanë, e treta, nëpërmjet lutjes; e katërta, nëpërmjet lëmoshave e dhembshurisë; e pesta, përunjësia. Mos vononi, por bëjini këto rrugë çdo ditë.”

Pendimi dhe rrëfimi duhet, në çdo rast, të paraprijnë marrjen e Krishtit në Kungim. Por kjo nuk do të thotë që duhet një rrëfim sakramental (misteri i rrëfimit) para çdo kungimi. Këto dy Mistere, Pendimi dhe Kungimi, nuk janë të lidhur sëbashku në atë mënyrë që dikush duhet patjetër të kalojë në Misterin e Pendimit para se të marrë kungimin. Por, duhet një pendim i përditshëm dhe një rrëfim i përditshëm nëpërmjet lutjes private. Duhet pasur gjithmonë parasysh që në kishën orthodhokse janë praktikuar dy lloj rrëfimesh; rrëfimi privat dhe rrëfimi nëpërmjet priftit. Falja mund të merret nga Zoti nga të dy rrugët. Në mënyrë periodike, sidomos në Kreshmët e mëdha, i krishteri orthodhoks që merr rregullisht kungimin duhet të bëjë rrëfimin sakramental për ekzaminim të vetvetes, falje të mëkateve dhe drejtim shpirtëror nga ati i tij shpirtëror. Sepse Misteri i Pendimit në Kishën Orthodhokse nuk është vetëm për falje, por edhe për drejtim shpirtëror.

Pse para një prifti? Në kishën e vjetër, të krishterët i rrëfenin mëkatet e tyre haptazi, para gjithë kishës, njeri tek tjetri, përfshirë peshkopët e priftërinjtë. Për arsye të rritjes së kishës, rrëfimi publik ndryshoi. Por, prifti i famullisë paraqet jo vetëm Zotin, por gjithë anëtarët e kishës. Kështu, nëpërmjet Misterit, i penduari pajtohet jo vetëm me Zotin, por me gjithë anëtarët e kishës, nëpërmjet priftit. Prifti nuk është si një gjykatës, po si një dëshmitar për sinqeritetin e të penduarit. Për këtë arsye në praktikën orthodhokse prifti nuk qëndron përballë të penduarit, por të dy së bashku janë përballë ikonës së Krishtit. Dhe prifti nuk thotë, “Unë të fal…”, por “Perëndia të ndjeftë”.

Një “pagëzim i ri” dhe teologjia e lotëve: Misteri i Pendimit është “një Pagëzim i ri”. Ai është quajtur gjithashtu Misteri i Pagëzimit të Dytë, meqënëse ai fal të gjitha fajet e bëra mbas pagëzimit. Jo çdo mëkat kërkon nevojën dhe domosdoshmërinë e faljes sakramentale, meqë ne kurrë nuk jemi krejtësisht pa mëkat. Kisha e ka parë si të nevojshëm pendimin sakramental për mëkate të rënda si: vrasje, apostasi, kurvëri dhe për ato mëkate mosbindje, që na ndajnë ne nga Perëndia dhe nga dashuria e vëllezërve tanë.

Në kishën orthodhokse gjindet edhe teologjia e lotëve. Ashtu si në pagëzim mëkatet janë larë nga uji, në pendim ato janë larë nga lotët e pendimit. Shën Simeoni, Teologu i Ri, i quan ato (lotët), “Pagëzimi i Shpirtit të Shenjtë” dhe thotë që mëkatet e kryera mbas pagëzimit nuk mund të falen pa lotët. Shën Joani i Shkallës shkruan: “Më i madh edhe se pagëzimi vetë është çezma e lotëve mbas pagëzimit, ndonëse është e guximshme të thuhet. Sepse pagëzimi ishte larja e mëkateve që ishin tek ne më parë, por mëkatet e bëra pas pagëzimit lahen nga lotët. Sepse pagëzimi është bërë në foshnjëri, të gjithë e kemi ndyrë atë, por ne e pastrojmë përsëri me anë të lotëve. Dhe nëse Perëndia në dashurinë e Tij për njerëzimin nuk do të na kishte dhënë lotët, atëherë shumë pak do të mund të shpëtonin”.

Themelimi i Misterit: Zoti e themeloi Misterin e Pendimit mbas Ngjalljes së Tij, kur iu shfaq nxënësve të Tij dhe ju tha: “Paqe mbi ju… Dhe si tha këtë, fryu mbi ta dhe ju tha: merrni Frymën e Shenjtë. Atyre që do ua falni fajet, u janë falur dhe atyre që do jua mbani u janë mbajtur” (Joan 20:21-23). Për më tepër, edhe më parë, Krishti dy herë premtoi për këtë Mister. Herën e parë Ai i tha apostullit Pieter, kur ai në emër të gjithë Apostujve e rrëfeu Atë, Bir i Perëndisë: “Edhe do të jap kyçet e Mbretërisë së qiejve, dhe çfarëdo të lidhësh në tokë do jetë i lidhur në qiell dhe çfarëdo të zgjidhësh në tokë do jetë i zgjidhur në qiell” (Mat. 16:19). Herën e dytë Ai i tha të gjithë apostujve (Mat. 18:17-18).

Priftërinjtë janë vetëm instrumenta të dukshëm në bërjen e Misterit, i cili kryhet në mënyrë të padukshme nëpërmjet tyre nga Perëndia vetë. Shën Joan Gojarti, duke patur në mendje themelimin Hyjnor të autoritetit të priftërinjve për të lidhur dhe zgjidhur, thotë: “Priftërinjtë dekretojnë poshtë, Perëndia konfirmon lart, dhe Zotëria bie dakort me mendimet e shërbëtorëve të tij”. Prifti është këtu instrument i mëshirës së Perëndisë dhe i zgjidh mëkatet jo nga autoriteti i tij, por në emrin e Shën Trinisë. Efektet e padukshme të hirit në Misterin e pendimit shtrihen në të gjitha veprat e njerëzve, dhe nuk ka mëkat që s’mund t’u falet njerëzve nëse ata pendohen sinqerisht. “S’kam ardhur të thërres të drejtë, por fajtorë në pendim” (Mat. 9:13), thotë Shpëtimtari, dhe ndonëse faji i Pietrit ishte i madh, Ai e fali atë kur u pendua sinqerisht. Dihet që Apostulli Pietri thirri në pendim madje edhe judejtë që kryqëzuan Mesian e vërtetë (Vepr. 2:38) e më vonë Simon magjistarin, atin e gjithë heretikëve (Vepr. 8:22); Apostull Pavli i jep ndjesën atij që kishte bërë incest, por që ishte penduar, duke e lënë përkohësisht jashtë kungimit.

Nga ana tjetër, është e rëndësishme të kihet ndër mend që falja e mëkateve në Misterin është një akt mëshire, dhe jo një dhimbushuri irracionale. I jepet njeriut për përfitim shpirtëror, për ndërtim dhe jo për shkatërrim (II Kor. 10:8). Nga kjo bie një përgjegjësi e madhe mbi atë që kryen Misterin.

Shkrimi i Shenjtë flet për rastet kur mëkatet nuk falen. Në fjalën e Zotit përmendet blasfemia kundër Shpirtit të Shenjtë, që nuk do t’u falet njerëzve as në këtë jetë dhe as në atë që do të vijë (Mat. 12:31-32). Gjithashtu flitet për fajin për vdekje, për faljen e të cilit as nuk rekomandohet për t’u lutur (I Joan 5:16).

Në të gjitha këto raste, arsyeja përse këto mëkate nuk mund të falen është tek mëkatarët vetë dhe jo tek dëshira e Zotit; ose më mirë, është tek mungesa e pendimit. Si mund të falet një mëkat nga hiri i Shpirtit të Shenjtë, kur villet blasfemi kundër vetë këtij hiri? Por dhe këto mëkate, nëse mëkatari pendohet sinqerisht dhe vajton mbi mëkatet e tij, do t’i falen. “Sepse – thotë Shën Joan Gojarti, për mëkatin e blasfemisë kundër Shpirtit Shenjtë – edhe ky faj do u falet atyre që pendohen” (Homelite në Ungjillin e Mattheut). Për më tepër Etërit e Sinodit të 7-të Ekumenik flasin për mundësinë e faljes së fajeve për vdekje: “Faji për vdekje është, që kur dikush mbasi mëkaton nuk e ndreq vetveten…. Në të tillë Zoti Jisu nuk banon, përderisa ata të përulin vetveten dhe të shërohen nga rënia në mëkat. Eshtë mirë për ta t’i afrohen Zotit me zemër të thyer dhe t’i kërkojnë Atij faljen e këtij mëkati…. Sepse Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën e thyer (Psalmi 33:18).

Leja dhe madje kërkesa direkte për përsëritjen e Misterit të Pendimit, është e qartë nga fjalët e Ungjillit: Më tepër Gëzim do të jetë në qiell për çdo fajtor që pendohet, se sa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë, të cilët s’kanë nevojë për pendim. (Lluk. 15:7). Gjithashtu në zbulesën ne lexojmë: “Shkruaj engjëllit të kishës së Efesit… Unë do të vinj shpejt tek ti dhe do ta luaj qiririn tënd nëse nuk pendohesh (Zbul. 2:1,5)

Epitimia: Me “epitimia” duhet kuptuar një ndalesë apo një dënim (II Kor. 2:6), që caktohet sipas kanuneve të kishës nga prifti, si një mjek shpirtëror, për disa të krishterë të penduar, për të kuruar sëmundjet e tyre morale. Dënime të tilla p.sh., janë: një agjërim i veçantë, lutje pendimi të shoqëruara me një numër të caktuar metanish, ndalimi për të marrë kungatë përkohësisht; dhe të tjera. Këto nuk jepen për të gjithë, por vetëm për disa të cilët ati shpirtëror e sheh të domosdoshëm një trajtim shpirtëror. Ashtu siç mjeku që jep medikamente të hidhura ose vendos për ndërhyrje kirurgjikale të dhimbshme, jo për të dënuar të sëmurin, por për ta shpëtuar, ashtu edhe mjeku shpirtëror i jep këto “medikamente” jo në karakterin e dënimit, por të kurimit.

Po e mbyllim me fjalët që prifti i thotë të penduarit ne ritin Rus: “Ja biri im, Krishti është këtu i padukshëm dhe dëgjon rrëfimin tënd; prandaj mos u ndruaj dhe mos të vijë turp, as mos u tremb, dhe mos fshih asgjë tek mua; por tregomë gjithçka që ke bërë pa ngurrim, dhe kështu ju do të keni ndjesën prej Zotit Jisu Krisht. Shiko Ikonën e tij të shenjtë përpara nesh; dhe unë jam vetëm një dëshmitar, duke dhënë dëshmi para tij për gjithçka që ju do më thoni mua. Por nëse ju më fshihni diçka, ju do të bëni një mëkat me të madh. Ki kujdes atëherë, që të mos largoheni i pashëruar nga mjeku”.