Tre jerondë kishin zakon të shkonin një herë në vit në malin e Shën Andonit, për të mësuar nga oshënari i Madh. Dy prej tyre i bënin pyetje të ndryshme rreth ushtrimit të shpirtit dhe të trupit. Kështu, i jepnin shkas Shenjtorit të zbrazte lumin e urtësisë hyjnore, që e përmbytte. I treti dëgjonte gjithmonë i heshtur, pa pyetur. Dikur Oshënari e pyeti:
– Kaq vjet më viziton, vëlla, dhe asnjëherë nuk më bëre pyetjen më të vogël. Nuk dëshiron të mësosh ndonjë gjë?
– Më mjafton që të shikoj, Ava. Edhe kjo më ka mësuar shumë, u përgjigj me respekt jerondi.
Disa jerondë, shkuan një herë tjetër të vizitonin Oshënar Andonin. Bashkë me ta qe edhe Ava Josifi. Ati i Madh Andoni, me qëllim që t’i provojë, zgjodhi një fjalë të urtë nga Shkrimi dhe i pyeti një nga një, që të bëjnë interpretimin e saj.
Filloi atëherë secili ta shpjegojë sipas njohurive të tij..
– Nuk e gjete, u përgjigjej të gjithëve Oshënari.
Erdhi edhe rradha e Ava Josifit.
– Ti, çfarë thua për të Josif? – e pyeti Shën Andoni i Madh.
– Unë nuk di nga këto,- u përgjigj ai.
– Ava Josifi dha përgjigjen e saktë, – tha atëherë Oshënari, duke u mrekulluar nga përulësia e tij.
Shën Andoni i Madh thoshte: Pashë dikur, të shtrira mbi dhe, të gjitha kurthet e djallit dhe u tremba.
– Kush vallë mund t’u shmanget? – thosha, duke psherëtirë. Dëgjova atëherë një zë misterioz të më përgjigjet
– I përuluri
Dikur, Shën Andonit i shkoi nëpër mend mendimi se në përmasat e kujt shenjtori kishte arritur vallë?
Por, Perëndia, që donte t’i përulte mendimin, i shfaqi një ditë në ëndrrën e tij se arrnuesi i këpucëve, që kishte një dyqan të vogël në një rrugicë të mënjanuar të Aleksandrisë, është më i mirë se ai.
Sa u gdhi, Oshënari mori shkopin e tij dhe u nis për në qytet. Donte të njihte nga afër arrnuesin e famshëm dhe të shihte virtytet e tij. Me shumë vështirësi gjeti dyqanin e tij, u fut brenda, u ul në krah të tavolinës së tij, dhe filloi ta pyeste për jetën e tij.
Njeriu i thjeshtë, që si shkonte mendja se kush mund të qe ai plaku-murg, që erdhi kaq papritur ta pyesë, pa ngritur kokën nga këpuca që arnonte u përgjigj ngadalë me qetësi:
– Nuk di të kem bërë ndonjëherë ndonjë të mirë Avai im. Çdo mëngjes ngrihem, bëj lutjen time dhe filloj punën time. Por, në fillim, them në mendimet e mia, se të gjithë njerëzit në këtë qytet, nga më i vogli deri te më i madhi, do të shpëtojnë dhe vetëm unë do të dënohem për mëkatet e mia të shumta; në darkë, kur shkoj të shtrihem, prapë të njëjtën gjë mendoj.
Oshënari u ngrit i mrekulluar, e përqafoi, e puthi dhe i tha me mallëngjim:
– Ti, vëllai im, si tregtar i mirë, fitove margaritarin e mirë pa mund. Unë u plaka në shkretëtirë, djersita dhe u mundova, por nuk arrita kurrë përulësinë tënde.
Shënim: Ava, jerond starets janë tre terma sinonime, me prejardhje përkatësisht nga gjuha siriane, greke, dhe ruse, që përdoren me kuptimin: murg me përvojë, në moshë të pjekur, i shenjëruar dhe udhëheqës shpirtëror i të tjerëve.