Me rastin e Krishtlindjeve, “Ngjallja” iu drejtua Fortlumturisë së Tij Anastasit, Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë,
Pyetje: Cilat janë kujtimet që ruani më të gjalla nga Krishtlindjet e kaluara
Përgjigje: Krishtlindja e vitit 1944, me tragjedinë e Luftës Civile në Athinë. Vetëm 15-vjeç, i mbushur me shqetësime, dyshime dhe kërkime, i ulur në gjunjë në një cep të ballkonit të shtëpisë, me fytyrën nga qielli thërrisja në heshtje: Perëndia im, nëse ekziston, ndihmomë të Të njoh, të Të dua. Në zgjimin e parë adoleshent kishim jetuar aq dhimbje nga gjithçka ndodhte rreth nesh. Pas viteve të zymta, por të mbushura me shpresë, të pushtimit të huaj, isha siguruar se më thelbësorja që kishte të bënte njeriu në jetën e vet, ishte, të shkonte pas Atij që u zbulua si Dashuri.
Gjithashtu, në mënyrë karakteristike mbaj mend, se në vitet e para të shërbimit tim hieratik, në mesin e viteve ’60, ndërkohë që isha me studime në Gjermani, udhëtoja në peizazhin dimëror, me gjithë orenditë hieratike në dy valixhe për të takuar grupe punëtorësh të huaj orthodhoksë në qyteza ose fshatra gjermane dhe të festonim së bashku. Bënim Liturgjinë në disa mjedise modeste fabrikash ose edhe në banesa punëtorësh, me nostalgji dhe devocion të veçantë.
Gjatë viteve ’80 u bëra i denjë të festoj shumë Krishtlindje në rrafshnaltat e Kenias, në kasolle modeste të vëllezërve afrikanë, ku, pas Liturgjisë Hyjnore festonim Trupëzimin e Shpëtimtarit me një ngazëllim të paparë, me këngë dhe valle.
Së fundi, tronditëse ishin Krishtlindjet e para këtu në Shqipëri, më 1991. Në Kishën e shkatërruar të Ungjillëzimit, ku pjesa e sipërme ishte ende depo e palestrës së vjetër, pa dritare dhe në një të ftohtë të tmerrshme. Por, Kisha që herët ishte mbushur përplotë me të mëdhenj e të vegjël, që shkëlqenin nga shpresa për rilindjen e besimit. Dhe atëhere shënova në mënyrë epigramatike:
Krishtlindje në Shqipëri
Të buzëqeshësh qetë brenda në shpellë,
Duke vështruar të porsalindurin,
Jisuin e pambrojtur,
Dhe pastaj, qetësisht të trumpetosh:
“Perëndia bashkë me ne”,
Dhe në vendin tonë arriti Emanueli.