I urti Sirah, në veprën e tij biblike “Fjalë të urta” (Kr. 49, 14-15), me të drejtë thekson se njerëzit që konsumuan veten me dashuri në shërbim të shoqërisë, rrethohen me lavdi të përjetshme, trupat e tyre prehen pas mundit të tyre në paqe, kujtimi iu mbetet gjithnjë midis njerëzve dhe veprat e tyre kanë vlerë të përjetshme.
Këto mendime epigramatike dhe me të vërtetë të hyjinspiruara, mendojmë që i përshtaten plotësisht të shtrenjtit tonë vëlla më Krishtin, kolegut dhe bashkëpunëtorit të ngushtë, të ndierit Theofan Popa, i cili, me besim, me zell, me dituri e art; me fjalën dhe veprën e tij, ka konsumuar veten me dashuri në dobi të Kishës sonë Orthodhokse dhe të Kombit të vet.
Njeri i drejtë e me karakter guximtar dhe pa hipokrizi në çështje parimesh e bindjesh, ai gjithnjë është shprehur pa frikë për persona dhe fakte, për tema dhe probleme të kohës dhe kurrë nuk e harronte misionin e tij prej teologu orthodhoks dhe qytetari të ndershëm shqiptar. Gëzonte dashurinë dhe respektin e të gjithë atyre që e njihnin. Dhe e njihnin dhe nihte shumë; në mbarë Shqipërinë, jo vetëm në sajë të natyrës së tij tërheqëse shoqërore, por edhe të detyrës me të cilën qe ngarkuar – për të mbledhur dhe studiuar mbishkrimet e të dhënat historike të të gjitha institucioneve fetare të vendit.
Ai u lind më 1914, në lagjen kala të Elbasanit, një lagje me tradita të vjetra orthodhokse e patriotike, që i ka dhënë Kombit dhe Kishës mjaft njerëz të shquar, si Dhaskal Todrin, Konstandin Kristoforidhin, Aleksandër Xhuvanin e të tjerë, por dhe hierarkë të zgjedhur, si Iosif Caridhën, Visarion Theolarin dhe Visarion Xhuvanin, mitropolitë të Durrësit; Llukanë dhe Abrozin, mitropolitë të Gjirokastrës e të tjerë. I rritur në gjirin e një familjeje shpresëtare e patriote, me shtëpinë pranë Kishës Katedrale të Shën Marisë dhe me shkollën shqipe në oborrin e Kishës, Theofani mori qysh në fëmijëri një edukatë të shëndoshë fetare e patriotike. Këtë dhuratë ai e plotësoi pastaj me vazhdimin e studimeve të mesme në Seminarin Orthodhoks të Bitolit dhe të lartat në Fakultetin Teologjik të Athinës. Në këto institute arsimore ai ishte njohur dhe kish krijuar kontakte me teologë dhe personalitete të shquara, si me episkopin e Ohrit Nikolla Vladimiriçin, teolog, filozof dhe shkrimtar i njohur; me At Justin Popoviçin, dogmatist e shkrimtar, gjithashtu i njohur; me Prof. Panajot Trempellën, teolog e shkrimtar; me J. Sotiriun, bizantonolog e të tjerë. Njëkohësisht, krahas kulturës teologjiko-enciklopedike me të cilën u pajis, Theofani u njoh dhe me tri gjuhë të huaja: greqishten, latinishten dhe sllavishten, me bijat e saj rusishten dhe serbishten, që më vonë i vlejtën shumë në punën e tij studimore.
Këtë edukatë e shohim të reflektuar fuqishëm në tërë jetën e Theofan Popës. Çdo bisedë, çdo kontakt me të tjerët, çdo veprim i tij, ishte shprehje e kësaj edukate, ishte shprehje e dashurisë së tij për Krishtin, për Kishën, për Orthodhoksinë, për Atdheun.
Kjo edukatë e ka nxitur atë që të kryejë me zell e entuziazëm gjithë ato kërkime rreth historisë dhe artit tonë mesjetar bizantin, duke zbuluar dhe studiuar mjaft nga vlerat dhe veprat e Onufrit tonë të madh, (kryeprift-protopapë, i Komunitetit Orthodhoks të Elbasanit); të birit të tij, Nikollës dhe të aq piktorëve të tjerë të mëdhenj, bij të denjë të Kishës dhe të Kombit, me veprat dhe punën e të cilëve mburret edhe sot mbarë populli ynë. Kjo edukatë e ka shtyrë atë që të vizitojë e të studiojë çdo objekt kulti, në çdo vend të atdheut që ndodhej dhe të vlerësojë me kompetencë çdo gjë të çmuar që ai objekt paraqitte (mbishkrim, ikonë, pikturë murale, ikonostas, kryq e enë të tjera të shenjta) e të propozonte masa për ruajtjen e tyre.
Pas mbarimit të studimeve në Athinë, Theofani erdhi më 1942 në Korçë dhe u emërua profesor i gjuhës latine në Liceun e atyshëm. Qëndrimi i tij në Korçë i dha rastin të njihej mirë me Komunitetin Orthodhoks të Korçës, me njerëzit që kishin kontribuar për autoqefalinë e Kishës, e me shumë intelektualë e besimtarë orthodhoksë të tjerë, që aktivizoheshin për të mirën dhe përparimin e komunitetit të tyre. Midis tyre dhe me motrat Dhimitra dhe Marika Cico, shpresëtare shëmbullore dhe aktiviste të rregullta të Kishës, me të cilat ai ka patur lidhje të vazhdueshme, sidomos gjatë periudhës së regjimit ateist komunist, kur ato, së bashku me shumë e shumë familje të tjera besimtare korçare, mbanin të gjalla traditat tona orthodhokse.
Me çlirimin e vendit, erdhi në Tiranë dhe shërbeu për një periudhë disavjeçare si përkthyes pranë Ministrisë së Financave, po pa i shkëputur lidhjet e tij me Kishën. U mor në shërbim të kryesisë së Kishës si predikues i përgjithshëm, duke u ngarkuar njëkohësisht dhe me nxjerrjen e një buletini dyjavor, me predikimin e çdo të diele, që u dërgohej për lexim gjithë famullive orthodhokse të vendit. Mirëpo, kur më vonë, iu kërkua që në predikimet të mbante dhe botonte, të bënte propagandë në favor të pushtetit komunist, ai në asnjë mënyrë nuk pranoi, dhe kështu u pushua nga puna. Po nuk mbeti shumë kohë pa punë. Ishte krijuar në atë në këtë kohë Instituti i Shkencave, i cili, midis sektorëve të ndryshëm, ngriti dhe sektorin e Mesjetës, me kryetar sektori Prof. Aleks Budën. Me propozim të profesorit, me të cilin Theofani njihej mirë, u emërua punonjës në atë sektor. Emërimi i tij qe një bekim Perëndie për Kishën dhe për Kombin. Kish gjetur vendi njeriun dhe njeriu vendin. Në bashkëpunim dhe me një ikonografe specialiste ruse për pikturën bizantine, Viktori Puzanovën, një grua me shpresëtari të madhe, e cila ishte gjithashtu në atë sektor dhe që e ndihmoi shumë, Theofani iu përvesh me zell të madh dhe entuziazëm punës së kërkimit, të njohjes dhe të studimit të fushës së epigrafive e të artit tonë bizantin.
Nuk la objekt kulti në Shqipëri pa e parë në vend, pa e studiuar, pa e seleksionuar dhe pa e shënuar, si një bletë e vërtetë, çdo gjë me vlerë që konstatonte. Kjo punë e bëri atë, që për çdo problem lidhur me mbishkrimet dhe me autorët e veprat e tyre të artit kishtar, të fliste e të vepronte me kompetencë të plotë, siç veproi së pari me veprën e tij kryesore me titullin “Mbishkrimet…”, të cilat pasi i transkriptoi, i përktheu shqip, i sistemoi kronologjikisht dhe i pasuroi me të dhënat dhe shpjegimet e duhura historike, duke nxjerrë në pah sidomos vlerën e tyre për historinë e Kishës e të Kombit. Dhe, së dyti, me seleksionimin e veprave kishtare të artit e të kulturës mesjetare. Nuk mund të imagjinojë njeriu dhimbjen që ai ndjente në zemër sa herë që i jepej urdhër për reduktimin e listës së Kishave që bënin pjesë si monumente të kulturës. Ai kishte dhimbje, sepse e dinte si teolog e si shqiptar dhe e ndjente rolin që ato kishin lojtur dhe luanin në formimin edukativ e kulturor tradicional të popullit tonë dhe se çdo shkatërrim e zhdukje e tyre, qe shkatërrim dhe zhdukje e së kaluarës sonë historike-kulturore. Por, me këtë problem, me problemin d.m.th. të punës së tij shkencore, do të merremi më gjatë një herë tjetër, meqë kam qenë dhe recezent i veprës kryesore të tij – “Mbishkrimet…”, i ngarkuar nga Instituti i Historisë. Vazhdojmë, pra, me jetën, karakterin dhe veprimtarinë në përgjithësi të tij.
Ndërkohë, Theofani qe martuar me zonjën Eli Mano nga Korça, e cila qe për të një bashkëshorte e denjë dhe një ndihmëse e zonja në punën e tij lodhëse e të vështirë. Zoti u fali dhe dy fëmijë plot hir: Dhimitraqin dhe Anën, që po i edukonin me dashuri dhe frikë Perëndie. Theofani ka qenë një familjar shembullor. Por, martesa nuk u bë pengesë për të që të vazhdonte me të njëjtin zell e entuziazëm veprimtarinë e tij kërkuese-studimore. Tashmë, me punën e tij intensive, me qëndrimin e tij të hapur e korrekt, ai kish arritur të fitonte një respekt dhe një reputacion jo vetëm në rrethet intelektuale të vendit, por dhe jashtë tij, gjë që, siç ishte e natyrshme, u bë dhe shkak i fillimit të një lufte jo të hapur, por nën rrogoz e të tërthortë kundër tij. Nuk u godit direkt. Goditja iu dha qëllimisht djalit të tij, Dhimitraqit, me akuzën “agjitacion e propagandë” dhe u dënua me 7 vjet burg. Dënimi i djalit pati pasoja të rënda për të gjithë familjen e sidomos për Theofanin, i cili qe bërë objekt demaskimi në çdo mbledhje të lagjes e të punës për ndjenjat e tij fetare.
Po Theofani, me gjithë goditjen e rëndë që i dhanë djalit dhe me gjithë pasojat që ajo pati, nuk u thye, qëndroi shpirtërisht i fortë dhe vazhdoi, në shtëpi tanimë, punën e tij studimore, që, bashkë me besimin e tij të patundur te Perëndia e kënaqnin dhe e mbanin gjithnjë të gjallë.
Vetëm sëmundja, e mposhti. E mundoi për një kohë të gjatë. As operacioni e as masat e tjera mjekësore s’e përmirësuan gjendjen. Më 30 dhjetor të vitit 1985 Theofani ndërroi jetë. Shpirti i tij i pastër qëndron tani pranë Zotit, por edhe pranë nesh. Pranë Kishës dhe Kombit të tij, që aq shumë i ka dashur dhe aq shumë ka punuar për to. Në veçanti pranë Kishës, të cilën, i pikëlluar thellë në shpirt, e la të mbyllur e të shkatërruar, por dhe me bindje të plotë se ajo një ditë do të rihapej e do të ringjallej. Edhe u rihap dhe u ringjall dhe, me bekimin, kujdesin e përpjekjet e Fortlumturisë së Tij Anastas, ajo po rindërtohet plotësisht, që përsëri të vazhdojë të kryejë misionin e saj edukativ-kulturor për Kombin si në të kaluarën, ashtu siç e ëndërronte edhe Theofani.