EmailFacebookKontakt

Ndërroi jetë At Panajot Hroni

Më 27 dhjetor ndërroi jetë At Panajot Hroni, i cili i shërbente me devotshmëri komunitetit orthodhoks të Lezhës.

At Panajoti u lind në Sopik në vitin 1938, në një familje me tradita klerike. I ati, Vasili, ishte prift në Mitropolinë e Gjirokastrës deri në vitin 1967, kur kishat u mbyllën. Edhe i gjyshi i ka shërbyer si prift në fshatin e lindjes, në Sopik.

Familja e tij u persekutua nga regjimi, si familje klerikësh dhe pse një vëlla i tij u largua jashtë shtetit mbas çlirimit. Ndaj, ai u detyrua të ikte nga fshati dhe të vendosej në Lezhë, ku kreu gjimnazin dhe punoi si marangoz deri në vitin 1991, kur filloi Shkollën Teologjike Hieratike të Durrësit.

Në vitin 1993 u hirotonis në dhjak dhe më 25 prill 1994 në prift. Si i tillë ka meshuar kudo ku doli nevoja; në Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Shkodër etj. U përpoq mjaft për ngritjen e një kishe orthodhokse në Lezhë, por kërkesa dhe dëshira e tij mbetën të parealizuara.

Me humbjen e At Panajotit, familja humbi njeriun e dashur dhe Kisha një klerik të përkushtuar e të devotshëm të saj. Zoti ia prehtë shpirtin në krahun e Tij. I përjetshëm qoftë kujtimi.