EmailFacebookKontakt

1995 – Vit i Zbulesës Hyjnore

Patriku Ekumenik, Vartholomeu I, në mesazhin e Tij me rastin e Krishtlindjeve, midis të tjerave, thotë:

“Vëllezër, bashkëmeshtarë dhe bij shpresëtarë dhe Perëndidashës të Kishës!

Shqetësimet konvencionale dhe përçarëse të botës nuk i lënë njeriut të sotëm shumë hapësirë për të njohur vetveten. Ose, më mirë të themi, jeta moderne që në pjesën më të madhe e injoron Perëndinë, injoron, për pasojë, edhe njeriun. Përfundimisht, njeriu që qëndron larg Krishtit, me gjithë arritjet dhe përparimin e tij, është i varfër në pasuritë e tij, i paurtë në urtësinë e tij, i pafuqishëm në fuqinë e tij, i vogël dhe i papërfillshëm në lavdinë dhe madhështitë e tij.

Njerëz “të paditur e të pambështetur” të vetëquajtur shpëtimtarë, duke shfrytëzuar dobësinë shpirtërore të njeriut, po edhe dëshirën e tij të thellë për t’i dhënë një kuptim jetës së tij, promovojnë humanizmat e tyre dhe këtij njeriu të sotëm të stërmunduar i premtojnë një epokë të re, një parajsë të re pa Krishtin.

Në thelb këto humanizma, të reja në dukje, përbëjnë një table të trishtueshme të një pështjellimi ekzistencial, mospranie të Perëndisë dhe vdekjeje, një rreth vicioz, brenda të cilit thyhet edhe ndjenja edhe ndërgjegjja e njeriut.

Kisha jonë e përmbishenjtë nuk i ndjek si spektatore këto shtjellime në skenën e sotme. Kujdesi i saj prej sypafjeture është që t’i japë njeriut shpresën e jetës, optimizmin e pacënueshëm të Ungjillit, ndjenjën e plotfuqishme të dashurisë e të pranisë hyjnore.

Perëndia që u bë njeri na la si thesar përjetësisht të pasosur fjalët dhe nomin (ligjin) e Zbulesës Hyjnore (Apokalipsit). Pra, duke shpallur vitin e ri 1995, që e kemi në prag, si Vit të Zbulesës, u bëjmë thirrje të gjithë atyre që nderojnë Perëndinë e zbuluar dhe të vërtetat e Tij të zbuluara, të bashkëkremtojmë secili sipas mundësisë këtë të madhin e të shënuarin përvjetor të shenjtë të së përgjithshmes nën qiell Kishë të Krishterë”.