“Desha që Vitin e Ri ta filloja me një temë specifike për intelektualët, e cila ka të bëjë me zemrën e spiritualitetit orthodhoks”,- ishin fjalët me të cilat Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, iu drejtua auditorit të Kishës së Ungjillëzimit. Takimi kishte filluar me hymnet orthodhokse të kënduara nga kori i Kishës dhe urimet e Kryepiskopit drejtuar mbi 200 intelektualëve të mbledhur sërish, në dëshmi të interesit të madh që ka ngjallur ky cikël ligjëratash.
Brezi ynë, theksoi Fortlumturia e Tij, ka dëgjuar shumë shpallje për të drejtat e njeriut dhe kjo temë është shumë aktuale sot në botë. Por, Kisha, Trupi Mistik i Krishtit, thekson prej shekujsh jo vetëm këto të drejta, por diçka më shumë: Të drejtën dhe prirjen për t’u bërë “porsi Krishti”, të arrijë hyjnizimin, theosis, të marrë pjesë në vetë lavdinë dhe jetën e vetë Perëndisë…
Shumë herë, vazhdoi ligjëratën Kryepiskopi Anastas, shpresat tona i mbështesim në shkencë e teknologji. Por çdo ditë e më tepër kuptojmë se teknologjia vetëm, ngelet neutrale, pa shpirt, pa vullnet. Kush do ta drejtojë vullnetin? Kush do ta shenjtërojë vullnetin? Në këtë pikë vendimtare futet rëndësia e besimit. Zgjidhja e vetme për zhvillim të drejtë të njerëzimit është besimi i gjallë dhe bindja te vullneti i Perëndisë. Jo tek një qenie e mjergullt supreme, por tek Perëndia Triadik me fytyrë njerëzore ashtu si Ai u zbulua në histori, si dashuri…
Kisha është themeluar mbi këtë bazë Triadike. Dhe ky dimension triadik i dashurisë zbulon dhe bën të pranishëm në hapësirë e në kohë misterin e Eukaristisë Hyjnore. Për këtë arsye ajo përbën boshtin e gjithë jetës së Kishës… Eukaristia Hyjnore duhet të jetë boshti i gjithë spiritualitetit tonë, i gjithë jetës sonë.
Në fund, Fortlumturia e Tij e mbylli ligjëratën duke folur mbi marrjen e dhuratave shpirtërore nga Perëndia, të cilat fitojnë jetë vetëm nëse i ndajmë me të tjerët:
…Marrje dhe ndarje me të tjerët – ky është sekreti për të pasur jetë.
Të marrësh bekimin, ndjenjën e faljes dhe t’i japësh falje çdo njeriu pa hezitim;
Të marrësh dhuratën e përligjjes dhe të punosh për drejtësinë në çdo situatë, në nivel lokal e ndërkombëtar duke ndarë çdo gjë që ke me njerëzit e tjerë;
Të marrësh fuqinë e Shpirtit të Shenjtë dhe të kesh sërish guximin për të luftuar për drejtësinë dhe vëllazërinë universale edhe kur situatat duken pa shpresë;
Të marrësh dhuratën e paqes dhe të bëhesh faktor paqeje në çdo situatë, në çdo nivel të jetës. Të punosh për paqen e vërtetë në botë;
Të marrësh shpresë e të japësh shpresë;
Të marrësh gëzim e të japësh gëzim;
Të marrësh “dashurinë e Krishtit” që kapërcen çdo dituri” (Efes. 3:19) dhe të sjellësh dashurinë e vërtetë në strukturat tona jo humane, duke ndarë këtë dashuri në mënyrë të gëzueshme me çdo njeri.
Ky është spiritualiteti i vërtetë i Eukaristisë. Kjo është pjesëmarrja e vërtetë dhe e plotë në të; ky është sekreti i plotësisë së jetës sonë”.
Më pas, të pranishmit bënë pyetje rreth temës dhe për probleme të tjera, që ia shtuan gjallërinë takimit.