EmailFacebookKontakt

Bekohen punimet për dy kisha të reja

Seman

Një llambushkë më shumë në llambadarin e ndezur të Ngjalljes së një kishe të tërë. E kjo, këtë radhë, në fshatin e Semanit. Mes shumë besimtarëve, Kryepiskopi Anastas, që kish ardhur të merrte pjesë në gëzimin e fillimit të punimeve, paraqiti projektin e kishës dhe bekoi vendin ku ajo do të ngrihet. Kisha e re, e tipit bazilikë, me çati në formë kryqi, e një sipërfaqe 380 m2, me pikën më të lartë të saj 14 m, do të jetë e mjaftueshme për 570 persona. Eshtë për t’u theksuar fakti që u arrit një bashkëpunim midis bashkisë së rrethit të Fierit, Zyrës teknike pranë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe besimtarëve të Semanit, gjë që mundësoi kapërcimin e vështirësive dhe arritjen e konstruksionit të kësaj kishe. Kështu pra, nuk vonoi së bëri realitet lutja e këtyre besimtarëve për të pasur edhe ata një vend lavdërimi dhe nderimi për Perëndinë e Tërëshenjtë.

Patos

Në të njëjtën ditë me Semanin, 20 km larg Fierit, pikërisht në hyrje të qytetit të Patosit, në prani të besimtarëve, Kryepiskopi bekoi vendin ku do të ngrihet kisha e re. Kjo kishë do të ketë një sipërfaqe 250 m2, me pjesën më të madhe të saj parafabrikat, dhe me një këmbanore të lartë.

Bazamenti ka mbaruar dhe tashmë pritet fillimi i konstruksionit brenda dhjetorit, që mendohet që të përfundojë për 4 muaj.

E ngritur ndanë udhës automobilistike, ky tempull, që do të mbajë emrin e “Kryqit i Shenjtë e i Nderuar”, do të jetë tempull lutjeje e falenderimi jo vetëm për besimtarët orthodhoksë, por dhe për çdo udhëtar që kalon andej.

Nën tingujt “Krishti u ngjall” besimtarët u larguan, me shpresën se deri tani dhe në të ardhmen Perëndia do të jetë gjithnjë pranë tyre me ndihmën e Tij të pakursyer.