Hap i rëndësishëm drejt bashkimit të krishterëve Koptë dhe Orthodhoksë konsiderohet takimi i Patrikut të Koptëve Shenuda dhe Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse të Greqisë, Serafim më 15 nëntor.
Në takim u konstatua se dallimet që ishin shfaqur dhe keqkuptimet që ishin krijuar midis dy kishave në të kaluarën tashmë janë kapërcyer në saj të dialogut ndërkristian të zhvilluar vitet e fundit. Kështu vlerësohet se bashkimi nuk do të vonojë.
“Besimi është i përbashkët, por e shprehim në mënyrë të ndryshme” – deklaroi Patriku Shenuda, ndërsa kryepiskopi Serafim, nga ana e tij, tha “jemi shumë afër bashkimit”.
Ndihmesë të veçantë në këtë drejtim përbëjnë edhe kongreset teologjike të përbashkëta, që dalëngadalë po sanksionohen. Së fundi, nuk duhet lënë pa u përmendur se në afrimin midis Orthodhoksëve dhe Koptëve kontribut të veçantë ka dhënë Patriku Orthodhoks i Aleksandrisë, Partheni III.