EmailFacebookKontakt

Takim i Patrikut të Moskës me Presidentin rus

Moskë 16 nëntori; Presidenti Boris Jelcin premtoi të ndihmojë Kishën Orthodhokse Ruse për të rimarrë pronat e rrëmbyera ose të shkatërruara nga shteti sovjetik, në një takim që pati me udhëheqësin e Kishës Orthodhokse Ruse, Patrikun Aleksej II dhe hierarkë të tjerë, për të diskutuar mbështetjen e qeverisë për kthimin e pasurisë së Kishës.

Pas revolucionit bolshevik të 1917, fushata komuniste kundër fesë shkatërroi totalisht shumë kisha, të tjera i ktheu në muzeume, klube, depo dhe ambiente ndihmëse sportive. Shumë godina të konfiskuara konsiderohen ende pasuri shtetërore dhe disa prej drejtuesve të tanishëm të tyre përpiqen të fitojnë të drejta mbi to, në kuadrin e programit të privatizimit në Rusi. Sipas zëdhënësit të tij, Vladimir Aleksandrov, Presidenti Jelcin propozoi një moratorium në këtë privatizim. Objekt të këtij takimi u bënë edhe çështje të tjera të interesit të përbashkët midis të cilave – edhe situata e vështirë e invalidëve dhe veteranëve të Luftës së Dytë Botërore në Rusi.