EmailFacebookKontakt

“Vendi i Kryepiskopit nuk është fron pushteti, por kryq shërbimi”

1. – Lajmet më të fundit bëjnë fjalë për një përgatitje shtetërore për zëvendësimin tuaj të shpejtë. Po sipas këtyre burimeve thuhet se në vendin tuaj do të vijë një shqiptar. Gjer ku arrin informimi juaj rreth këtij lajmi?

– Përveç atyre gjërave që shkruhen herë pas here në disa gazeta – madje disa gazetarë thjesht ripërtypin tekste të vjetra që janë botuar para dy vjetësh – njoftime më të reja të përgjegjshme nuk kemi. Në qoftë se u gjet ndonjë shqiptar, përshtatshmërisht i formuar, që, në këtë kohë kritike të rindërtimit nga gërmadhat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të marrë përsipër detyrën e vështirë e komplekse të Kryepiskopit, do të ishte një lajm shumë i këndshëm. Por, njerëz të tillë nuk zbulohen në mënyrë të papritur, madje dhe pa dijeninë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Pikërisht, se nuk kishte një person të tillë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në asnjë vend tjetër të botës, ndaj edhe Kisha ma ngarkoi mua këtë shërbim kryqi. Sepse të gjithë ata që i njohin gjërat, e kuptojnë se nuk është fjala për ndonjë fron pushteti, por për një kryq dhiakonie.

Besoj e përpiqem në mënyrë të ndërgjegjshme – duke ndjekur me përulësi shembullin e Shenjtorëve Cirili dhe Metodi – për krijimin e një udhëheqjeje kishtare të lindur prej kësaj toke. Një nga përkujdesjet e mia të para ishte përgatitja e kuadrove të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Kam hirotonisur tashmë 60 klerikë të rinj shqiptarë. Gjithashtu, të gjitha organet administrative të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Këshilli i Përgjithshëm Kishtar, Këshillat e Mitropolive, përbëhen nga shtetas shqiptarë dhe Kryepiskopi bashkëpunon në mënyrë shumë harmonike me ta. Por, kur shtrohet çështja e Episkopëve dhe e Kryepiskopit, çështja është shumë më komplekse. Kandidatët duhet të jenë murgj, me studime të plota teologjike, me përvojë, me pjekuri spirituale dhe të gëzojnë pëlqimin e përbashkët të të gjithë orthodhoksëve. Në asnjë vend të botës Episkopët nuk imponohen nga njerëz që i përkasin komuniteteve të tjera fetare ose që nuk i përkasin asnjërit. Autoqefalia e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë e mbron atë nga përzierja e pushteteve të tjera, qofshin ato jashtë ose brenda Shqipërisë.

Ne lutemi dhe punojmë në drejtimin që Perëndia të nxjerrë sa më parë që të jetë e mundur njerëz të përshtatshëm, që të hirotonisen episkopë – sepse ky është hapi që pason, për të pasur sa më parë Sinodhin e Episkopëve orthodhoksë në Shqipëri – dhe, sigurisht, dikush prej tyre do të zgjidhet Kryepiskop. Por, natyrisht, nuk do të ishte e udhës, as e pranueshme, nga të interesuarit drejtpërdrejtë, që një studenti të mjekësisë t’i ngarkohej që të organizojë e të drejtojë një spital ose të marrë përsipër një operacion zemre; nuk mjafton për këtë që të jetë vetëm shtetas shqiptar. Diçka analoge është edhe me punën tepër të përgjegjshme e komplekse të riorganizimit nga gërmadhat të një Kishe lokale. Dhe të interesuarit drejtpërdrejtë, orthodhoksit, sigurisht që nuk do të pranojnë ndërhyrje të papërgjegjshme nga jashtë në ecurinë e Kishës së tyre.

2. – Kush e solli në fronin e Kryepiskopit të Shqipërisë, Kryehirësinë e tij Anastas dhe çfarë ka kryer deri tani?

– Ajo që më solli në shërbimin tim të sotëm është fakti që Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pas 50 vjet persekutimi të egër, nuk kishte asnjë kandidat që do të merrte përsipër këtë mision të vështirë e kërkues të Kryepiskopit, i cili kishte për detyrë të rimëkëmbte nga themelet ndërtesën komplekse e të shumanshme të një Kishe Orthodhokse Autoqefale lokale.

Vitin e parë erdha në Shqipëri për të parë gjendjen dhe çfarë kishte shpëtuar nga persekutimi shumëvjeçar, si Eksark Patriarkal, i dërguar i Patrikanës Ekumenike – që si protothrone (Froni i parë), në sistemin e Kishave Orthodhokse dhe si Kishë Nënë që dha Autoqefalinë – e kishte për detyrë kujdesin për Kishën e shkatërruar. Kur ishte fjala që të kthehesha në katedrën time të Universitetit të Athinës dhe në Akademi, Orthodhoksët e Shqipërisë, pavarësisht nga origjina, u lutën me këmbëngulje që unë të qëndroja pranë tyre si Kryepiskop, për riorganizimin e Kishës së shkatërruar Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Këshilli i Përgjithshëm Kishtar ia transmetoi këtë lutje edhe Patrikanës Ekumenike. Kur më 24 qershor 1992 u komunikua zgjedhja ime, u ndodha para dilemave të fuqishme dhe mendimi im i parë ishte që ta refuzoja këtë kryq. Por, kur më 30 qershor u takova me Shkëlqesinë e Tij, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Berisha, dhe ai më tha me qartësi se zgjedhja ime pranohet me kënaqësi dhe po ky sigurim iu përsërit edhe Delegacionit zyrtar të Patrikanës Ekumenike, i cili erdhi dhe u takua me z. President më 4.7.1992, atëherë u thye edhe rezervimi im. Përfundimisht, më 12.7.1992, domethënë tri javë pas zgjedhjes time, ia dhashë përgjigjen Patrikanës Ekumenike, se e pranoj këtë detyrë tepër të vështirë.

Që prej asaj kohe, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, u rikrijua dhe u riorganizua me ritëm shumë të shpejtë. Kështu – U zhvilluan dy Konferenca kleriko-laike, u zgjodhën Këshilli i Përgjithshëm Kishtar, Këshillat e Metropolive dhe Epitropitë Kishtare të Enorive, në qytetet dhe fshatrat; Me donacionet që u grumbulluan nga miq dhe të njohur tanë në Europë dhe Amerikë, u ndërtuan nga themelet 30 kisha, u restauruan 33 dhe po punohet në 61 të tjera; U ble dhe u rikonstruktua godina, ku për herë të parë do të strehohen të gjitha shërbimet bazë të Kryepiskopatës, si dhe u blenë dhe u rikonstruktuan godinat e Mitropolive në qytetet e tjera. – Kisha ka organizuar Shërbimin e vet Teknik. – Që nga shkurti 1992 funksionon Shkolla jonë Teologjike-Hieratike dhe tashmë kanë filluar punimet për ndërtimin e godinave të kësaj shkolle në Manastirin e Shenjtë të Shën Vlashit në Durrës (sipërfaqja e brendshme e përgjithshme 2.500 m2), ndërkohë që vazhdon restaurimi i vetë Manastirit. – Kisha boton gazetën mujore, librat dhe kalendarët e saj fetarë. Ajo ka shtypshkronjën e vet dhe një punishte qirinjsh. – Me Shërbimin Juridik të saj përpiqet të rimarrë pasurinë kishtare, e cila vazhdon të jetë e konfiskuar. – Organizoi “Shërbimin e Dashurisë”, i cili deri tani ka shpërndarë mbi disa qindra tonë ushqime, ilaçe, veshmbathje, me vlerë mbi 50 milionë lekë, pavarësisht nga përkatësia fetare. Së shpejti fillon në Tiranë ngritja e një Qendre moderne shëndetësore; – Zhvillohet gjithnjë e më tepër vepra liturgjikale predikuese dhe katekizuese Orthodhokse, e cila gjen mbështetje të fuqishme tek Lidhja e Intelektualëve, Lidhja e Rinisë dhe ajo e Gruas Orthodhokse. – Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me inisiativën e Kryepiskopit, për herë të parë në historinë e saj, është bërë anëtare e Konferencës së Kishave Evropiane dhe e Këshillit Botëror të Kishave.

3. – A ekziston realisht fondamentalizëm orthodhoks në Shqipëri?

– Origjinale kjo pyetja juaj. Ç’lloj fondamentalizmi orthodhoks mund të ketë në Shqipëri? Para së gjithash, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë deri para tre vjetësh ishte krejt e shkatërruar. Qysh se ka ardhur demokracia Kisha lufton me një mijë vështirësi që të ngrihet përsëri në këmbët e saja. Juve jeni gazetar dhe e dini mirë se ç’bëhet me mjetet e informacionit. A keni parë ndonjëherë ndonjë artikull me autor orthodhoks kundër ndonjë komuniteti tjetër fetar apo anëtarëve të tij? Në të kundërtën, në qindra kanë arritur shkrimet e ndryshme shpifëse që, shkruhen kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe udhëheqjes së saj, me pretekste të llojllojshme dhe me akuza të pabaza. Ne, megjithatë, u përgjigjemi me qetësi e mirësjellje. Mirëpo përgjigjeve tona nuk u jepet publicitet nga mjetet e informimit, megjithë detyrimin e qartë që ua imponon një demokraci moderne.

Gjithashtu, në mjaft raste, Kisha jonë u nënshtrohet dallimeve të padrejta, që e frenojnë zhvillimin e saj. Kështu, Kishës nuk i është kthyer asnjë Manastir për përgatitjen e murgjëve dhe të Episkopëve të ardhshëm. Në shumë qytete nuk i jepet truall për ndërtim kishash. Ende sot, në Shkodër për shembull, pas tre vjetësh, Orthodhoksët janë i vetmi komunitet fetar që nuk ka një vend kulti për të bërë shërbesat më themelore fetare. Do të mund të përmendja shumë raste të tjera, që tregojnë qëndrime të disfavorshme të pajustifikuara. Gjithsesi, besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë i shmangen çdo tensioni dhe kufizohen në protesta paqësore. Ata i përmbahen me konsekuencë absolute asaj, që, qysh në momentin e parë të rimëkëmbjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, theksojmë në predikimet, në artikujt dhe ligjëratat. Ata e përkrahin sinqerisht bashkëekzistencën paqësore dhe respektin e ndërsjelltë të komuniteteve të ndryshme fetare brenda vendit. Në përgjithësi, orthodhoksët në Shqipëri nuk flasin vetëm thjesht për një tolerancë të thjeshtë fetare dhe për shmangien e implikimit të fesë në politikë, por punojnë edhe për diçka tjetër shumë më pozitive: për mirëkuptim e respekt ndaj çdo njeriu, pavarësisht se çfarë beson ose nuk beson – sepse çdo figurë njerëzore është e shenjtë, – për solidaritetin, për bashkëpunim krijues në aspirata të përbashkëta humanitare, për përpjekje të përbashkët në sigurimin e harmonisë sociale, për një dashuri të vërtetë praktike, pa dallime.

4. – A ka qenë ndonjëherë gjatë historisë së saj Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë anëtare e Kishës Orthodhokse Botërore. Ku dhe si është shfaqur ky bashkëpunim?

– Eshtë pa kuptim që një Kishë Orthodhokse lokale të mos jetë organikisht e lidhur me Orthodhoksinë në botë. Çdo Kishë Orthodhokse Autoqefale lokale përbën pjesë të pandarë të “një Kishe, të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike dhe e ruan të patundshme gjithë çka pranon Kisha e Shenjtë e Krishtit, themeluesi dhe Kreu i së cilës është Zoti ynë Iisu Krishti”. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është “pjesë e pandarë e Kishës së Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike dhe, ashtu si të gjitha Kishat e tjera Orthodhokse, i ruan të pathyeshme parimet dogmatike, kanunet e shenjta Apostolike dhe Sinodike dhe Traditën e Shenjtë”. Në këto të vërteta themelohen të gjitha statutet e deritanishme të Kishave Orthodhokse Autoqefale – edhe të Shqipërisë.

Cilido izolim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë do të çonte në mospranimin e saj nga Orthodhoksia botërore, në dënimin e saj me asfiksi. Me këtë metodë të izolimit e kishte shpartalluar regjimi komunist gjatë periudhës 1944-1967. Vitet e fundit Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka rifituar pozitën e saj kanonike brenda sistemit të Kishave Orthodhokse të botës. Ajo merr pjesë aktive dhe në mënyrë të barabartë, me përfaqësues të saj, në kuvende ndërorthodhokse dhe në dialogje të ndryshëm që bëhen midis Kishave Orthodhokse dhe Kishave të tjera kristiane.

Pra, nuk është fjala për ndonjë person juridik, që e nxjerr arsyen e ekzistencës nga miratimi i disa organeve administrative shtetërore, por për një anëtare organike të Orthodhoksisë së Përgjithshme, që mbrohet me qartësi nga konventat ndërkombëtare për lirinë fetare dhe të drejtat e njeriut.

Më në fund, mendoj se shkaku më i thellë i polemikës që bëhet nga disa qarqe, të cilët, si rregull, nuk janë anëtarë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe nga artikullshkruesit që, ndërsa u përkasin feve të tjera, kërkojnë, me pasion retorik të imponojnë vullnetin e tyre në Kishën tonë, është fakti se Kryepiskopi është grek. Madje, shumë nga ata me qartësi e thonë se Kryepiskopi mund të shquhet për formimin e tij shkencor – shtojnë edhe fjalë të tjera lavdërimi – por që gabimi i tij qëndron në atë që ai është grek. Eshtë për t’u vënë re se me gjithë polemikën e ashpër të tejzgjatur, nuk u gjend për formulim ndonjë akuze tjetër thelbësore. Unë e kuptoj se ky mosbesim ka të bëjë me shqetësimet e ndryshme politike, të cilat janë shtuar kohët e fundit. Në kohën e zgjedhjes time, sigurisht, marrëdhëniet e të dy popujve fqinj ishin në një pikë shumë më të mirë. Duke i njohur ndjeshmëritë historike të popujve, nuk do ta pranoja kurrë një mision aq të vështirë dhe të shenjtë, po të kisha pasur informacionin, dyshimin apo intuitën më të vogël se ekzistojnë plane zyrtare të Greqisë kundër Shqipërisë. Përkundrazi, e di shumë mirë se popujt e të dy vendeve dëshirojnë bashkëjetesën paqësore, mirëkuptimin vëllazëror dhe bashkëpunimin për një të ardhme të re të Ballkanit dhe, në përgjithësi, të Europës. Në këtë drejtim, të pajtimit e të dashurisë, Kisha jonë mund të kontribuojë vendosmërisht.

Njëkohësisht, kuptoj që shumë nga ata të cilët herë pas here e sulmojnë Kryepiskopin me argumente të ndryshëm, kryesisht të karakterit politik, janë të edukuar me një arsim ateist, i cili nuk e përfillte seriozisht fenë dhe ndërgjegjen fetare. Dhe, natyrisht, dikush që nuk beson aspak në ekzistencën e Perëndisë ose të Krishtit e ka shumë të vështirë të besojë e të pranojë se ka njerëz që jetën e tyre e kanë kushtuar ekskluzivisht për dashurinë e Krishtit dhe për kultivimin e dashurisë në botë. Por populli shqiptar në shumicën e tij nuk ka vështirësi që të pranojë se ka shembuj të panumërt që tregojnë qartë se ndërgjegja fetare funksionon me kanone dhe ligje të tjera, të ndryshme nga ato që mbronte doktrina marksiste-leniniste. Përpjekja ime e deritanishme në Shqipëri i përmbahet kësaj linje dhe lutja ime është që e gjithë shërbimi im i këtushëm të mbetet një dëshmi e dashurisë së sinqertë dhe e krijimit paqësor.

Intervistoi: Xhovani Shyti