Dhe si lindi Iisui në Vithleem të Judesë, në kohën e mbretit Irodh, ja, disa magjistarë nga Lindja erdhën në Jeruzalem, duke thënë: Ku është mbreti i Judejve që ka lindur? Sepse ne pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm që t’i falemi. Dhe kur dëgjoi këtë, mbreti Irodh u trondit, dhe bashkë me të, gjithë Jeruzalemi. Dhe si mblodhi gjithë kryepriftërinjtë dhe shkruesit e popullit, pyeti që të merrte vesh prej tyre ku duhej të lindte Krishti. Dhe ata i thanë: Në Vithleem të Judesë; sepse kështu është shkruar me anë të profetit: “Dhe ti, Vithleem, tokë e Judës, nuk je aspak më i vogli ndërmjet të parëve të Judës; sepse prej teje do të dalë një i parë, që do të kullosë popullin tim Izrael.”
Atëhere Irodhi, pasi thirri fshehurazi magjistarët, mori vesh prej tyre saktësisht për kohën në të cilën ishte shfaqur ylli; dhe duke i dërguar ata në Vithleem, u tha: Shkoni dhe hetoni mirë për djalin; dhe kur ta gjeni, më njoftoni, me qëllim që edhe unë të vij e t’i falem atij. Dhe ata, si dëgjuan mbretin, u nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në Lindje, shkonte përpara tyre, deri sa, me të arritur, ndaloi mbi vendin ku ishte djali. Dhe ata, kur panë yllin, u mbushën me gëzim shumë të madh. Dhe me të hyrë në shtëpi, panë djalin me Marinë, nënën e tij, dhe si ranë përmbys, iu falën; dhe pasi hapën thesaret e tyre, i dhanë dhurata: ar, temjam e smirnë. Dhe pasi u lajmëruan në ëndërr nga Perëndia që të mos ktheheshin më tek Irodhi, shkuan në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.