“Po ju sjell lajmin e mirë për një gëzim të madh që do të ketë gjithë populli. Se sot, në qytetin e Davidit ju lindi një shpëtimtar, i cili është Krishti Zot”. (Lluk. 2:10,11)
Për shumë njerëz stina e Krishtlindjeve mund të përmblidhet me një fjalë – “dhurata”. Miliona njerëz, në gjithë botën, do të shpenzojnë miliona dollarë në këtë ditë të shënuar feste për të blerë këto dhurata për njëri-tjetrin. Megjithatë mesazhi kryesor i Krishtlindjeve nuk është për dhurata të blera në dyqan, por për një dhuratë të veçantë, nga qiejt! Sot, le të mendojmë për dhuratën e çmuar që Perëndia i dha botës, nëpërmjet lindjes së Birit të Tij Iisu Krisht dhe le të meditojmë mbi kuptimin që kjo dhuratë mund të ketë në jetën tonë.
Para së gjithash, ardhja e Iisu Krishtit do të thotë SHPETIM. Kur engjëjt e Zotit u lajmëruan barinjve në fushë lindjen e Iisuit, ata thanë: “Po ju sjell lajmin e mirë për një gëzim të madh që do të ketë gjithë populli. Se sot, në qytetin e Davidit ju lindi një shpëtimtar, i cili është Krishti Zot” (Lluk.2:10.11) Emri Iisu fjalë për fjalë do të thotë “Perëndia shpëton”. Prania e Iisuit në botë nënkupton shpëtim për të gjithë ata njerëz që e pranojnë këtë dhuratë.
Pak kohë më parë ndodhesha në një funeral dhe teksa shihja trupin e vdekur të futej në dhe, mendoja mbi fuqinë e vdekjes. Sa njerëz kanë frikë nga vdekja? Sa njerëz mundohen të shmangin mendimin për vdekjen, sepse ajo u duket fuqiplote? E pra, ne, si të krishterë nuk duhet ta kemi frikë vdekjen. Gjëja e parë, nga e cila na shpëton Perëndia, është vetë vdekja. Krishti erdhi në botë dhe e shkatërroi fuqinë e vdekjes. Siç shkruan Shën Pavli: “U përpi vdekja nga fitorja. Ku është, o vdekje, thumbi yt? ku është, o varr, fitorja jote?” (I Kor 15:54-55).
Megjithatë, shpëtimi i Perëndisë, nuk është i kufizuar thjesht vetëm në mposhtjen e vdekjes. Iisui filloi shpëtimin në jetën tonë të përditshme – shpëtimin nga frika, nga mëkati dhe nga e keqja. Që nga koha e antikitetit, njerëzimi ka luftuar me kaq shumë probleme, halle dhe shqetësime. Tani, me ardhjen e Krishtit, gjendja jonë ndryshoi në mënyrë radikale. Perëndia na jep fuqinë ta mposhtim të keqen dhe të përjetojmë parajsën këtu, tani. Portat e parajsës u hapën me lindjen e Iisuit. Perëndia vendosi të marrë pjesë në varfërinë e trupit tonë, që ne të mund të marrim pjesë në pasuritë e Tij Hyjnore! Kështu që, shpëtimi është një premtim si për jetën e ardhshme ashtu edhe për jetën e tanishme.
Së bashku me shpëtimin, lindja e Krishtit solli GEZIM dhe DASHURI në botë. “Po ju sjell lajmin e mirë për një gëzim të madh” (Lluk. 2:10). Ne marrim gëzimin e dashurisë. Eshtë mirë të dëgjosh fjalët, “Të dua”, por është krejt ndryshe ta shohësh dashurinë në një mënyrë konkrete. Perëndia i thotë secilit prej nesh: “Lermë të të tregoj se sa shumë të dua, duke të dhënë dhuratën e Birit tim. Merre Iisuin në jetën tënde dhe përjeto dashuri të pakushtëzuar”.
Një rrjedhim i tretë i dhuratës së Perëndisë për botën, është shpresa e pathyeshme që ajo vendos në jetën tonë. Shumë njerëz hedhin sytë tek bota ku jetojmë dhe shikojnë kaos, errësirë, dhunë, anarki dhe ligësi. E pra, Ungjilli thotë: “Edhe drita ndrit në errësirë edhe errësira nuk e kuptoi.” (Joani 1:5). Iisu Krishti ofron shpresë përballë çdo situate dyshuese. Një nga emrat që engjëjt i dhanë Iisuit në lindjen e Tij ishte Emanuel, që do të thotë “Perëndia me ne”. Ne nuk kemi një Perëndi që jeton larg nesh dhe që nuk përzihet në jetën tonë të përditshme.
Eshtë tragjike që disa njerëz nuk mendojnë se ka Perëndi, se Perëndia është një Perëndi i largët, që s’tregon interesim për jetën tonë. Sa fatkeqësi që disa njerëz mendojnë se Iisui ishte një foshnje që lindi mijëra vjet më parë, në një shpellë të Vithleemit, por harrojnë se i njëjti Iisu vjen në Shqipëri sot, në vitin 1994, duke kërkuar të rilindet në zemrat dhe në jetën e secilit prej nesh.
Emanuel, Zoti është me ne. Kur jemi të vetmuar ose luftojmë në jetën tonë të përditshme – Zoti është me ne. Kur jemi të vetmuar apo ndjehemi të braktisur – Zoti është me ne. Kur ne ndeshim problëme dhe gjykime në jetë – Zoti është me ne. Premtimi i Perëndisë për prani të Tij në jetën tonë na jep fuqi dhe kurajo për të përballuar çdo situatë, sado e errët të duket. Perëndia ynë është Perëndi shprese, prandaj mos të dëshpërohemi.
Së fundi, Iisu Krishti si dhuratë e Perëndisë për botën ka sjellë kuptim të ri në jetën e besimtarëve. Pa Krishtin, jeta është një udhëtim i pakuptimtë, ku dikush ndjek qëllime të përkohshme. Me Krishtin, çdo gjë që dikush bën, merr një kuptim të ri, emocionues dhe jetësor! Qëllimi i jetës sonë s’është asgjë tjetër përveç bashkimit me Perëndinë, duke e lavdëruar atë me jetën tonë dhe duke ndarë me çdo njeri që takojmë dhuratat e Tij të përjetshme.
Pra, Krishtlindja është një festë dhuratash, por jo të atyre që blejmë në dyqan. Krishtlindja është për dhuratën më të madhe që Perëndia i dha botës – dhuratën e Birit të Tij, Iisu Krisht, i Cili sjell në botë dhe në jetën tonë SHPETIM, DASHURI, GEZIM, PAQE, SHPRESE dhe KUPTIM.
At Luka Veroni