Në kohën që padituria dhe errësira shpirtërore kishte mbuluar vendin tonë, katër barinj nga fshati Qiparo i Himarës, ndërsa ishin duke pjekur një mish, po bisedonin midis tyre se sa mirë mund të hahej mishi me mjaltë. Njëri prej tyre u propozon shokëve se mjaltë mund të marrim nga bletët e Manastirit të Shën Dhimitrit. Do shkojmë atje natën, që s’na sheh njeri dhe do të presim sa të duam. Por, kishin harruar se është syri i drejtësisë hyjnore, që i sheh të gjitha edhe të fshehtat e zemërta. Dhe kështu bënë. Shkuan e morën mjaltë sa deshën dhe hëngrën mishin me të. Por ai mjaltë kaq i ëmbël, më vonë u bë helm për ta. Të katër gratë e tyre, pas nëntë muajsh lindën katër vajza të çala, njërën më të çalë se tjetrën, kurse gruaja e shkaktarit të vjedhjes së mjaltit lindi një vajzë që zvarritej përtokë, si një fëmijë e vogël, tërë jetën e saj, pa mundur të ngrihej kurrë në këmbë dhe vdiq para pak vjetësh në moshë të madhe, duke vuajtur tërë jetën e saj. Dhe sot rron akoma e katërta dhe vjen në kishë rregullisht duke çaluar, si dëshmitare e aktit të prindit të saj.
Ja, pra, edhe një çudi tjetër në vargun e madh të mrekullive të shumta të shenjtorëve të Kishës sonë Orthodhokse dhe një pësim për mësim të shkelësve të porosive të Perëndisë. Dhe në qoftë se nuk do justifikohej veprimi i atyre barinjve të pashkolluar, si mund të justifikohen vandalizmat që bëjnë sot në Shqipëri, vendas e të huaj, edhe me kulturë universitare, duke thyer kryqet e kishave pranë rrugëve, duke hyrë në kisha e duke marrë ikona e sende të tjera të çmuara, duke vjedhur këmbana e më në fund, duke u vënë zjarrin edhe kishave?
Këto le t’i gjykojë shekulli XX!
Petro Xhuveli