EmailFacebookKontakt

Martiri i shenjtë Julian

Në kohën e perandorit Antonin (138-161), shën Juliani shkoi nga Dalmacia në Kampanja të Italisë. Ai ishte një djalë i pashëm dhe i ishte kushtuar Zotit me gjithë shpirt. Gjatë rrugën takoi një grup ushtarësh perandorakë, të cilët ishin në kërkim të të krishterëve. Juliani ju drejtua atyre duke ju thënë: “Paqja qoftë me ju vëllezër”. Ushtarët duke dëgjuar një përshëndetje të tillë dhe duke parë butësinë dhe mirësinë në shprehjen e fytyrës së tij dyshuan se mos ishte i krishterë. Dhe prandaj e pyetën: “Nga je, dhe çfarë besimi ke?” Djaloshi i ri u përgjigj pa frikë: “Jam një ilir nga Dalmacia dhe besoj në Krishtin”. Dhe për më tepër djaloshi trim shtoi se qëllimi i udhëtimit të tij ishte që të kthente adhuruesit e idhujve në fenë e vërtetë dhe të besonin në Zotin e Gjallë. Ushtarët kur dëgjuan këto fjalë e rrahën djalin e njomë mizorisht dhe pastaj e hodhën në një pus të thellë. Aty qëndroi shtatë ditë e shtatë netë pa asnjë lloj ushqimi. Mbas shtatë ditësh atij ju shfaq një ëngjëll dhe e ushqeu me ushqim qiellor. Kur ushtarët panë që edhe mbas kaq kohësh qëndrimi pa bukë ai ishte i gjallë, e nxorrën nga pusi ilirin e ri dhe e çuan në gjyq. Por edhe atje Juliani qëndroi si burrë dhe dëshmoi me forcë besën e tij. Duke parë kurajon, besën dhe trimërinë e tij, tridhjetë vetë nga ata që po e dëgjonin gjyqin u kthyen e u bënë të krishterë. Gjykatësi e dënoi me vdekje. Kur Juliani dëgjoi vendimin, ai ra në gjunj dhe me lot në sy falenderoi Zotin që i dhuroi martirizimin; pastaj ju lut Atij që t’i mëshironte dhe të ndihmonte tërë ata të cilët do të ruanin kujtimin e tij. Pastaj e çuan tek vendi i ekzekutimit ku i prenë kokën me sëpatë. Shpirti i tij u ngjit në qiell tek Zoti i tij, të cilit i shërbeu me besnikëri. Kisha Orthodhokse e nderon kujtimin e tij në 28 korrik.