Ierodëshmori dhe çudibërësi Shën Elefter ka qenë episkop i Vlorës dhe i Ilirisë nga fillimi i shekullit II pas Krishtit. Ishte lindur në Romë dhe rridhte nga një familje fisnike dhe e pasur. I ati qe senator dhe bashkëpunëtor i ngushtë i perandorit. E ëma, Anthi, ishte gjithashtu nga një familje e shquar, grua shumë shpresëtare, e tërhequr në besimin e krishterë nga nxënësit e Apostull Pavlit dhe dallohej për përkushtimin e saj ndaj Kishës. Djalin e tyre Elefther, u kujdesuan ta edukojnë që në moshë të vogël me parimet e Krishtërimit. Detyrën e edukimit dhe të formimit të Eleftherit e ka kryer sidomos e ëma, Anthia, se i ati i kishte vdekur shpejt, duke e lënë të vogël dhe jetim.
Eleftheri i vogël shquhej që në vogëli për thjeshtësinë e zemrës, për pastërtinë e karakterit dhe sidomos për dëshirën e zjarrtë për t’i shërbyer Perëndisë dhe Kishës së tij. Prandaj e ëma e tij, Anthia, kur djali u rrit dhe u bë i ri, ia dha ta ketë nën kujdesin e tij atëror episkopit të atëhershëm të Kishës së Romës, i cili e pranoi me gëzim dhe i mësoi Shkrimet e Shenjta.
Episkopi i Romës, duke vënë re cilësitë e rralla të Eleftherit të ri, domethënë sjelljen e tij korrekte, moralin e tij të pastër, zgjuarsinë, besimin, shpirtin e tij luftarak për fenë e Krishtit, e rendit në rreshtat e klerit, duke e hirotonisur së pari dhiak, pastaj prift e më vonë episkop.
Pasi e hirotonisi episkop, e dërgoi në krahinën e Vlorës, që të forcojë të krishterët e kësaj krahine dhe të të gjithë Ilirisë dhe të lëçitë Ungjillin.
Episkop Eleftheri, sapo arriti në dioqezën e tij, nisi menjëherë nga misioni i tij për përhapjen e Ungjillit ndër fiset pagane të këtyre anëve. Cilësitë e tij të shumta, çuditë që bënte dhe kthimet me shumicë në krishtërim të paganëve, nëpërmjet punës së tij misionare, shkaktuan urrejtjen dhe zemërimin e perandorit romak Adrian (117-138), i cili shpalli një përndjekje të rreptë kundër të krishterëve dhe urdhëroi arrestimin e sjelljen në Romë të episkopit të ri të Vlorës e të Ilirisë Eleftherit.
Kur episkopi Elefther erdhi në Romë, perandori Adrian u përpoq ta bindte me premtime të ndryshme, që të mohonte Krishtin dhe t’u sillte therore perëndive të paganëve. Dhe, meqë ai nuk e pranoi një gjë të tillë, por qëndronte i patundur në besimin e Krishtit, iu nënshtrua torturave nga më të tmershmet, deri sa më në fund, i prenë kryet me shpatë në stadiumin e Romës. Të njëjtën ditë i prenë kryet me shpatë edhe nënës së tij, Anthisë.
Besimtarët nga Iliria, të cilët qenë ndodhur në Romë gjatë ekzekutimit, morën me shpresëtari trupin e Shën Eleftherit dhe atë të nënës së tij Anthisë dhe i sollën në Vlorë, ku i varrosën me nderime.
Shën Eleftheri, sipas besimit popullor orthodhoks, është mbrojtësi i grave shtatzëna. Zbut dhimbjet dhe lehtëson lindjen. Gjithashtu ai, po sipas besimit popullor orthodhoks, është mbrojtësi i të burgosurve e çlirues i njerëzve nga kurthet e djallit, nga sëmundjet dhe veset, nga hidhërimet e dhimbshme e skandalet, si edhe nga çdo dëm, rrezik e zemërim.
I pari që shkroi për jetën dhe martirizimin e Shën Eleftherit, është Simeon Metafrasti, kurse shërbesën e tij e ka shkruar Agapi nga Kreta, i cili dhe e botoi në Laipsig, më 1787. Një kanun paraklitik kushtuar Shën Eleftherit, hartoi himnografi i njohur nga Dhrovjani i Selenicës, Gjerasim Mikrajananiti.
Kisha Orthodhokse, kujtimin e Shën Eleftherit e nderon më 15 të dhjetorit.
Përlëshorja
Udhëheqës orthodhoksie, mësues shpresëtarie e modestie, ndriçues i Kishës, stolisje e hyjinspiruar e kryepriftërinjve, o Shën Elefther i ditur, si një instrument muzikor i Shpirtit, i ndriçove të gjithë me leçitjet e tua. Ndërmjeto te Krishti Perëndia të shpëtojnë shpirtrat tanë.
Madhërimi i shenjtit
Gëzohu, o mbështetje e fortë e Kishës, o imitues dhe ikonë e Zotit, gëzohu ti që shpërblen me lirimin nga dhimbjet, ata që të luten, o shën Elefther.
E përgatiti Dh. Beduli