Për Manastirin e Ardenicës është folur e shkruar shumë. Janë bërë protesta zyrtare nga ana e Këshillit të përgjithshëm dhe e klerikëve të Kishës orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, por edhe nga grupe besimtarësh a individë. Të gjitha kanë rënë në vesh të shurdhër.
Në këto kushte, e vetmja përgjigje zyrtare mund të konsiderohet kjo reklamë, që flet hidhur për “Pikën turistike Ardenicë”, e cila jo vetëm fyen ndjenjat e çdo besimtari orthodhoks, por edhe demonstron një qendrim të pashpallur diskriminues nga ana e disa qarqeve shtetërore dhe personave me pushtet, që nuk ngurrojnë të deklarojnë korridoreve se Kisha s’ka për ta marrë kurrë manastirin pa iu nënshtruar kushteve të tyre, që mbajnë erë mentalitete e mënyra veprimi të kapërcyera nga historia shqiptare e këtij shekulli (pa përmendur këtu interesa të caktuara private ekonomike).
Por, askujt nuk duhet t’i shkojë në mendje se mund të luhet në pafundësi me gjërat e shenjta, me besimin e njerëzve tek Zoti, si në kohën e diktaturës. Çfarë mbillet, ajo bimë edhe korret.
Th.Dh.
Reklama e drejtorisë së Pikës turistike:
24 orë ujë të ngrohtë, dhoma tek dhe dyshe të mobiluara shumë bukur. Një tavernë me shërbim nate, në një ambjent mesjetar. Gatimi i pasur dhe karakteristik. Shijoni natyrën e bukur, ajrin e pastër. Telefon: (34607) 2140.