Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Dioqeza e Korçës
Kryesisë së KOASH-it, Tirantë
Bashkëngjitur po ju dërgojmë kërkesën drejtuar Presidentit, Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, për ndryshimin e nenit 7 të Projekt – kushtetutës.
Ju sugjerojmë që të na ndihmoni që me këtë kërkesë të njihen të gjitha enoritë e dioqezave të tjera dhe i ftojmë të gjithë besimtarët orthodhoksë që të mbështesin kërkesën tonë.
Mendojmë që përmbajtja e kësaj kërkese t’u dërgohet sa më shpejt që të jetë e mundur organizmave kombëtare dhe ndërkombëtare të mëposhtëme dhe të tjerave që do t’u duket e arsyeshme juve, mbasi të kini bërë edhe plotësimet e nevojshme.
– Komitetit Shqiptar të Helsinkit për “Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut”
– Komitetit të Helsinki! për mbojtjen e të Drejtave të Njeriut me qendër në Helsinki dhe Vienë.
– Këshillit të Europës
– Parlamentit Europian, Strasburg
– Këshillit të Ministrave të Komunitetit Europian
– Patrikanës Ekumenike të Kostadinopojës dhe simotrave të saj
– Kryesive të Kishave Orthodhokse Autoqefale të vendeve europiane
– Konferencës Europiane të Kishave
– Këshilli Botëror të Kishave
– Organizatës së Kombeve të Bashkuara (Seksionit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut).
Për Kryesinë e Kishës Korcë,
Protopresviter
At Kristo Raci
Korçë 18.10.1994
Kërkesë për ndryshimin e nenit 7 të Projekt – Kushtetutës
Zoti Sali Berisha,
President i Republikës së Shqipërisë
Z. Pjetër Arbnori,
Për Kuvendin Popullor të Republikës së Shqipërisë
Z. Aleksander Meksi
Për Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë
Ne besimtarët orthodhoksë të dioqezës së Korçës, ku përfshihen Kryesia e këshillit të kishës, Lidhja e intelektualëve, gruas e të rinisë orthodhokse pranë KOASH-it, Korçë dhe shoqata “Fan S. Noli” Korçë, duke u njohur me projekt-kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, vëmendja jonë, shpirti ynë, zemra dhe ndërgjegja jonë fetare dhe patriote u përqendrua në nenin 7, ku trajtohen problemet themelore të fesë, na lind e drejta juridike, morale, shpirtërore e besimit tonë orthodhoks, mbështetur në të drejtat themelore të njeriut të pranuara nga shteti ynë, parashtrojmë sa më poshtë:
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë organizohet dhe funksionin në bazë të kanoneve të shenjta, qysh prej dymijë vjetësh, të cilat e përjashtojnë përmbajtjen e nenit 7.
Në pikën 1 të nenit 7 thuhet që feja është e ndarë dhe e pavarur nga shteti”.
Jemi dakort me pikën 2 të nenit 7, ku thuhet, se shteti garanton lirinë e besimeve fetare.
Nuk jemi dakort me pikën 3 të nenit 7 sepse historikisht asnjë besim fetar në Shqipëri nuk ka rrezikuar ekzistencën e shtetit dhe as të institucioneve demokratike të tij, sepse besimet fetare nuk janë përzierje në politikë. Vetëm regjimi komunist ka shpallur rrezikshmërinë e besimeve fetare për shtetin dhe institucionet e tij, me qëllim që të justifikonte shkatërrimin total të besimeve fetare në Shqipëri, gjë që e realizoi në vitin 1967.
Nuk jemi dakort me pikën 4 të nenit 7, që përcakton kushtet për kryetarët e komuniteteve të mëdha fetare, sepse është në kundërshtim me pikat 1 dhe 2 të këtij neni, si dhe me pikën 1 të nenit 36, ku thuhet se: “Liria e fesë është e padhunueshme”.
Pika 4 e nenit 7 dëmton vetëm komunitetin fetar orthodhoks, sepse e lë pa udhëheqës (kryepiskop) të përgatitur dhe të kompletuar me diturinë dhe filozofinë religjioze përkatëse.
Përpjekjet për heqjen e kryetarit të kishës orthodhokse kanë filluar qysh me fronëzimin e tij nga forca keqdashëse të fesë orthodhokse, të mbështetura edhe nga masmedia, sidomos RTV, të cilët realizuan qëllimin satanik të tyre me anën e nenit 7. Si rrjedhojë, ky nen e izolon kishën tonë qëllimisht nga simotrat e saj kudo në botë dhe e përjashton nga Këshilli i Kishave Evropiane dhe Botërore. Kjo do të thotë, që Kisha jonë dhe Orthodhoksia të mbetet në këtë nivel të mjeruar, të frenohet ky vrull që është aktualish për rimëkëmbjen e saj, dhe rrjedhimisht, ky nen do të sjellë si pasojë shkatërrimin e saj si në kohën e regjimit komunsit.
Ky nen synon që klerikët tanë t’i mbajë me nivel të ulët teologjik, t’i izolojë nga kolegët e tyre kudo në botë për komunikim profesional. Pasojat rrënuese që rrjedhin nga sa thamë më lart, do t’i vuajnë vetëm besimtarët orthodhoksë. Miratimi i nenit 7 siç është në projekt – kushtetutë, do të ishte goditja e dytë e madhe ndaj fesë orthodhokse në Shqipëri, pas asaj të vitit 1967.
Besimtarët orthodhoksë, me qenë se nuk përbëjnë shumicën e popullsisë së Shqipërisë, lidhur me votimin për projekt – kushtetutën nuk janë përcaktues për të mbrojtur të drejtat e tyre, sepse rezultatet e votimit nuk do të varren nga pjesëmarrja ose jo e tyre ne votim. Ne mendojmë dhe kërkojmë që për problemet e fesë tonë, dhe për rastin konkret të nenit 7, ku cënohen vetëm interesat tona, të vendosin vetëm besimtarët orthodhoksë me referendum.
Ky nen është antidemokratik, sepse nga vetë rëndësia që ka, para së të përpilohej, komisioni për hartimin e projekt – kushtetutës duhej të ishte konsultuar me KOASH-in dhe besimtarët orthodhoksë kompententë, dhe jo me persona që nuk e njohin fare këtë fushë dhe që duan qëllimisht ta dëmtojnë fenë orthodhokse.
Neni 7 kufizon hapur liritë dhe të drejtat e besimit orthodhoks, të cilat mbështeten në liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, të shpallura në të gjitha kartat ndërkobëtare dhe të ratifikuara nga Parlamenti shqiptar.
Përfundimisht, ne, besimtarët orthodhoksë, jemi kundër nenit 7 dhe kërkojmë ndryshimin e tij, si e kemi parashtruar më lart.