EmailFacebookKontakt

“Mbretëria e Perëndisë është brenda jush”

Iisui thotë: Mbretëria e Perëndisë është brenda jush”. Etërit e Kishës i theksonin shpesh këto fjalë, për të na kujtuar që Perëndia duhet të kërkohet në pjesën më të thellë të zemrës. Ndonëse ne nuk mund të jemi të vetëdijshëm për atë, Fryma e Perëndisë banon brenda nesh qysh nga momenti i pagëzimit. Tërë qëllimi i jetës shpirtërore është që të zbulohet hiri i pagëzimit ose Fryma e Shenjtë brenda nesh. Kjo arrihet me anë të lutjes së brendshme, kur njeriu zbret me mendjen e tij në pjesën më të thellë të zemrës dhe zbulon atje Mbretërinë e Perëndisë.

– Shën Makario i Egjiptit shkruan: “Zemra është një enë e vogël, por gjithçka gjendet brenda saj, atje është Perëndia, atje janë engjëjt, atje është jeta dhe mbretëria, qytetet qiellore dhe thesaret e hirit” – “Mbretëria e Perëndisë ndodhet brenda jush”.

– Duke komentuar këto fjalë Shën Dhimitri i Rostovit thotë: Njeriu ka nevojë ta mbylli vetveten në pjesën më të thellë të zemrës dhe shpesh se sa ka nevojë të shkojë në kishë; dhe atje të përmbledhë tërë mendimet e tij, të sjellë mendjen e tij para Perëndisë dhe ti lutet Atij me të gjithë nxehtësinë e shpirtit dhe me besë të gjallë”.

– Zemra është dhoma e nusërisë ku ne takojmë Zotin dhe Shpëtimtarin tonë. Dhëndrin e shpirtit tonë.

– Shkencëtari i shquar, sër Isak Njutoni një herë tha që ai mund të merrte teleskopin dhe të shikonte miliona e miliona kilometra larg në hapësirë. Pastaj ai shtoi: “par kur largohem nga teleskopi, shkoj në dhomën time, mbyll derën, ulem në gjunjë duke u lutur me gjithë shpirt dhe atje ndjehem më pranë Zotit se sa të kisha tërë teleskopet e botës”.

-“Ku mund ta gjej Atë?” pyet Shën Agustini. “Në tokë jo, sepse Ai nuk është atje. Dhe në qiell jo, sepse ne nuk jemi atje. Por ne mund ta gjejmë Atë në zemrat tona. Ai u ngjit në qiell haptazi që të mund të kthehej tek ne përbrendazi dhe kurrë të mos na linte përsëri”.

– Shën Isak Siriani shkruan: “Hyr me devotshmëri ne shtëpinë e thesarit (zemrën), që ndodhet brenda jush dhe atje do të gjeni shtëpinë e thesarit të qiejve. Sepse të dyja janë të njëjta dhe për të dyja ka vetëm një derë. Shkalla që të çon në Mbretërinë fshihet brenda jush”.