Misteri i Mirosjes kryhet menjëherë mbas atij të Pagëzimit, mbledhur të dy në të njëjtin rit. Kryerësi i misterit, peshkopi apo prifti, lyen me Miron e Shenjtë të porsapagëzuarin, duke bërë shenjën e Kryqit në vetull dhe në sytë, në hundë, në buzë, në të dy veshët, në kraharor dhe në duart e këmbët; dhe në çdo lyerje thotë: “Vula e dhuratës të Shpirtit të Shenjtë”. Ky mister kryhet gjithashtu tek ata që vinë nga komunitetet heretike dhe duan të bashkohen me Kishën. Fjalët që shoqërojnë misterin, “Vula e dhuratës së Shpirtit të Shenjtë”, tregon rëndësinë dhe efektin e saj. Eshtë a) akti kulmor i të Qenurit i Bashkuar me Kishën, konfirmimi apo vula e bashkimit; dhe b) Vula e Fuqive Hirdhënëse, të cilat janë dhuruar për forcimin dhe rritjen në jetën shpirtërore.
Shën Qipriani shkruan, “Ata që janë pagëzuar në Kishë, janë vulosur nga Vula e Zotit sipas shembullit të Samaritanëve të pagëzuar, të cilët u pranuan nga Petri dhe Joani nëpërmjet vënies së duarve dhe lutjeve (Vep. 8:14-17)… Ajo që atyre ju mungonte u plotësua nga Petri dhe Joani… Kështu është edhe me ne… Ata janë bërë të përsosur nga vula e Zotit. “Etër të tjerë të Kishës e quajnë mirosjen “Vulë”, “Vulë shpirtërore”, “Vulë e jetës së pasosur”, “Konfirmim”, “Përsosje”, “Kulmim”, etj.
Shën Efraim Siriani shkruan: “Me anë të vulës së Shpirtit të Shenjtë vulosen të gjitha portat brenda shpirtit tuaj, me anë të vulës së lyerjes vulosen tërë pjesët e trupit tuaj”. “Shën Vasili i Madh pyet: “Si do të luftojë engjëlli juaj për ju, si do t’ju ruajë nga armiku, nëse ai nuk do të njohë vulën?… Apo nuk e dini që engjëlli vrau të parëlindurin në shtëpitë e atyre që nuk ishin vulosur? Një thesar i pavulosur vidhet lehtë, një dele e pavulosur mund të merret lehtë nga të tjerët.” Ky mister është quajtur gjithashtu “dhuratë e Shpirtit”, “mister i Shpirtit”, “simbol i Shpirtit”, etj.
Misteri i Mirosjes shenjtëron organet e ndijimit, d.m.th., të parët, të dëgjuarit, të prekurit, shijimin dhe nuhatjen. Vula e Shpirtit të Shenjtë është “firma” e Perëndisë në krijesën e Tij të re. Ashtu si një artist mbasi përfundon një tabllo të bukur vë nënshkrimin e tij në të, ashtu edhe Perëndia na vulos, vë nënshkrimin e tij mbi ne mbas pagëzimit për të treguar që ne jemi krijesa e Tij e re.
Si shtesë për të plotësuar pagëzimin dhe për të na pregatitur ne për luftën shpirtërore, shën Qirili i Jerusalemit i shton një tjetër dimension Mirosjes, atë të zgjimit të ndijimeve shpirtërore: “Së pari ju jeni lyer në ballë, për t’u çliruar nga trupi që njeriu i parë solli mbas mëkatit, për t’u çliruar krejtësisht që të mund të bëheni të aftë të sodisni lavdinë e Perëndisë me ballë lart, si në një pasqyrë, pastaj jeni lyer në veshët për të dëgjuar misteret hyjnore; pastaj hunda për të nuhatur parfumin hyjnor dhe që të mund të thoni: Ne jemi aroma e dashur e Krishtit. “Por Mirosja jo vetëm plotëson Pagëzimin, na pregatit për luftën shpirtërore dhe na zgjon ndijimet shpirtërore; ajo është gjithashtu një thirrje për t’i shërbyer Zotit tonë. Vula është gjithashtu një shenjë e rekrutimit në ushtrinë e Tij.
Etërit e shenjtë të Kishës e lidhin fjalën “krishterë” me fjalën “krezmim” (mirosja). Chrisma dhe Christos në greqisht do të thonë “lyerje” dhe “i lyeri”. Shën Qirili insiston që vetëm lyerja e brendshme më Shpirtin e Shenjtë mund të na bëjë ne të krishterë. Sepse kur Shpirti i Shenjtë “derdhet” mbi shpirtet tona, ne bëhemi “Krishtëra” (të lyer) me të vërtetë. Ai vazhdon, “Ai (Iisui) u zhyt në lumin Jordan dhe mbasi lëshoi aromën e hyjnisë së Tij në ujërat, Ai u ngrit prej tyre dhe Shpirti i Shenjtë ndriçoi mbi Të… Në të njëjtën mënyrë edhe me ju, mbasi dilni nga kazani i pagëzimit, ju jepet miro (lyerja), tipi i asaj që ishte lyer Krishti, që është Shpirti i Shenjtë”. Në pagëzim Zoti vjen të pastrojë njeriun nga mëkati fillestar dhe nga skllavëria e Satanait. Pastaj fillon aspekti pozitiv i shpëtimit nëpërmjet Mirosjes së Shenjtë. Ena e larë dhe e pastruar nga pagëzimi mbushet me praninë e Shpirtit të Shenjtë dhe bëhet një krijesë e re, (2 Kor.5:7) dhe një tempull i Shpirtit të Shenjtë. Kështu Mirosja plotëson dhe perfeksionon pagëzimin. Shën Ambrozi thotë: “Në këtë mister ju merrni vulën e Shpirtit të Shenjtë për të Plotësuar dhe Perfeksionuar punën e nisur tek ju, kur lindët përsëri në kazanin e pagëzimit”.
Ditën e Rushajeve Kisha u lye për misionin e saj hyjnor ndër njerëzit, d.m.th., të vazhdonte në botë shërbesën shëruese, predikuese dhe shenjtëruese të Krishtit. Atë ditë Shpirti i Shenjtë erdhi e banoi tek apostujt, duke i mbushur ata me fuqine dhe diturinë e Perëndisë, dhe duke i bërë të aftë të predikonin Krishtin me guxim. Ajo që i ndodhi Krishtit në Theofani dhe Kishës ditën e Rushajeve, ndodh në jetën e çdo pjesëtari të Trupit me anë të Mirosjes që bëhet mbas pagëzimit. Pagëzimi dhe Mirosja nuk janë të ndara në Kishën Orthodokse, sepse njëri është pagëzim me Ujë dhe tjetri pagëzim me Frymë. “Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, në mos lindte njeriu prej Uji e Fryme, s’mund të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë.” (Joan 3:5). Të dy pagëzimet qëndrojnë së bashku. Nëpërmjet misterit të Mirosjes, ne pagëzohemi me Shpirtin e Shenjtë siç Krishti në Theofani dhe Kisha në Rushajet. Theodori i Mopsuestias shkruan: “Sapo ju ngriheni nga uji, ju jepet një rrobë e pastër dhe e bardhë. Eshtë një shenjë e jetës së re që ju do jetoni si bij të Ngjalljes… Pastaj ju shkoni tek peshkopi për të marrë vulën përfundimtare, e cila plotëson dhe përsos inicimin tuaj dhe ju fuqizon me dhuratat e Shpirtit të Shenjtë. Kështu që ju ndiqni shembullin e Vetë Iisuit, i Cili u pagëzua në Jordan që ta bënte pagëzimin një burim shenjtërimi për ne. Kur Ai u ngrit nga ujërat, Shpirti i Shenjtë zbriti dhe qëndroi në të në formën e pëllumbit”. Porsa ne dalim nga uji i pagëzimit, i njëjti Shpirt i Shenjtë zbret mbi ne nëpërmjet misterit të Mirosjes. Shën Qirili i Jerusalemit thotë: “Kur uji lan trupin, Shpirti i Shenjtë vë vulën e tij mbi shpirt, që me zemrat tona të pastruara shpirtërisht dhe me trupet tona të larë, të mund t’i afrohemi Perëndisë. Ti pra, që po zbret në ujë, mos mendo vetëm thjesht për ujin, por me anë të veprimit të Shpirtit të Shenjtë po merr shpëtimin tënd: sepse pa ato të dyja, ujin dhe Frymën, ju nuk mund të bëheni i përsosur.”
Mirosja është pjesëmarrja në lyerjen e Krishtit nga Fryma mbas Pagëzimit të Tij. Ashtu si në pagëzim ne marrim pjesë në Vdekjen dhe Ngjalljen e Iisuit, kështu në Mirosje ne marrim pjesë në lyerjen e Krishtit nga Shpirti i Shenjtë. Mirosja është përmbushja e pagëzimit siç Rushajet janë për Pashkën. Ne të marrim Shpirtin e Shenjtë i Cili do na bëjë të aftë të jetojmë jetën e Perëndisë në të ciliën kemi lindur nëpërmjet pagëzimit.
(Vijon në faqen 10)
Mirosja është misteri me anë të cilit trupat tanë janë bërë tempuj të Shpirtit të Shenjtë. I tërë trupi ëshë lyer, vulosur e shenjtëruar si një tempull, domethënë sytë, hunda, buzët, veshët, kraharori, duart e këmbët. Ashtu siç Kungimi është Darka e fundit personale, edhe Mirosja është Rushaja personale: ardhja personale tek njeriu e Personit të tretë të Hyjnisë, Shpirtit të Shenjtë, siç erdhi tek Apostujt ditën e Rushajave (ditën e Pentekostisë). Peshkop Kalistos Ware shkruan: Cfarë ndodhi tek të krishterët e parë ditën e Rushajeve, ndodh gjithashtu tek secili nga ne në Mirosjen… I porsapagëzuari, fëmijë apo i rritur shënohet nga prifti me Miron e Shenjtë në ballë, sy, hundë, gojë, veshë, kraharor, duar e këmbë duke thënë: “Vula e dhuratave të Shpirtit të Shenjtë”. Kjo është për secilin nga ne një Rushaje personale: Shpirti, i Cili zbriti tek apostujt në mënyrë të dukshme në gjuhëra zjarri, zbret mbi ne në mënyrë të padukshme, por jo me më pak fuqi e realitet. Secili bëhet një “I lyer”, një “Krisht”, sipas ngjashmërisë së Iisuit, Mesias.”
Mirosja është misteri me anë të së cilit ne jemi “dorëzuar” (hirotonisur) ne bashkësinë e besnikëve. Ashtu siç kandidati për priftëri merr Shpirtin e Shenjtë nëpërmjet dorëzimit për ta ndihmuar atë për të kryer detyrat e shërbimit të tij, ashtu edhe çdo i krishterë orthodhoks i pagëzuar “dorëzohet” në Trupin e Krishtit nëpërmjet Misterit të Mirosjes. Mirosja na jep fuqinë dhe hirin për t’u bërë nxënës të Iisuit në botën e sotme, për të ndërtuar së bashku mbretërinë e Perëndisë dhe për të qenë pjesëmarrës të përgjegjshëm në jetën e Kishës.
Shën Ambrozi shkruan, “… Lyerja (Mirosja) mbas pagëzimit ju shenjtëron ju që të jeni pjesëmarrës në priftërinë e besnikëve. I tërë trupi i Kishës është lyer për të kryer një funksion priftëror, për të afruar një sakrificë shpirtërore lavdërimi, ashtu siç shën Pietri na thotë në letrën e tij të parë. “Po ju jeni një racë e zgjedhur, një priftëri mbretërore, një komb i shenjtëruar”, llaus që fitoj Perëndia, që të rrëfeni mirësitë e atit, që u thirri juve nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme” (I Petr. 2:9)… Të gjithë ju… jeni lyer nga Shpirti i Shenjtë për të marrë pjesë në mbretërinë e Perëndisë si edhe në priftërinë e besnikëve.
Miro që përdoret në misterin e Mirosjes përbëhet nga vaj ulliri përzier me ballsame të çmuara dhe parfume. Në fakt receta për përgatitjen jepet në librin e Egzodit (Egz. 30:22-25). Me këtë vaj të parfumuar Moisiu leu vëllanë e tij Aaronin në priftërinë e lartë sipas urdhërit të Perëndisë. Përpara lyerjes Aaroni u la në ujë. Me këtë vaj të krishterët janë lyer si një “popull mbretëror”. Aroma e Miros paraqet aromën e Frymës që mbush të gjitha gjërat. Shën Qirili i Jerusalemit shkruan: “Mos mendoni që MIRO është diçka e zakonshme. Ashtu si buka e Meshës mbas invokimit të Shpirtit të Shenjtë, nuk është më bukë e zakonshme, por trupi i Krishtit, kështu edhe Miro e Shenjtë nuk është më e zakonshme… mbas epiklesis, por HIR i Krishtit, bërë i efektshmën nga Shpirti i Shenjtë, me anë të pranisë së hyjnisë së Tij.”
Mbas shenjtërimit nga patrikët apo kryepiskopët e kishave të ndryshme autoqefale të Enjten e Madhe të çdo viti, miro dërgohet nëpër enoritë lokale për t’u përdorur mbas pagëzimit nga priftërinjtë. Shenjtërimi i Miros duhet të bëhet nga një peshkop. Shenjtëria e veçantë e miros si enë e pranisë së Shpirtit të Shenjtë, shihet edhe në faktin që ajo mbahet tërë vitin në altarin e shenjtë së bashku me Kungatën.
Një gjë tjetër që dallon miron nga vajërat e tjerë përdorur në adhurimin orthodoks, si shtesë për bekimin sakramental, është fakti që ajo ëshë parfumuar me bimë aromatike.
Në Perëndim, ndarja e Mirosjes nga Pagëzimi ndodhi rreth shekullit XIII. Ajo kryhet në moshën 7 vjeç dhe bëhet vetëm nga peshkopi dhe vetëm në vetull, ndërsa në kishën e Lindjes lyerja me miro bëhet në vetull, sy, veshë etj.
Përveçse në misterin e mirosjes, miro është përdorur gjithashtu edhe në disa raste të jashtëzakonshme. Kështu në shenjtërimin e një kishe lyhen me miro altari i shenjtë ku do të kryhet Misteri i Trupit dhe Gjakut të Shenjtë të Krishtit si dhe muret e Kishës. Në të kaluarën në një rit të veçantë lyheshin me miro kur kurorëzoheshin perandorët apo mbretërit orthodhoksë.
Si përfundim do të donim të shtonim që pyetjes së Shën Pavlit drejtuar Efesianëve: “A e morrët Shpirtin e Shenjtë” të mos i përgjigjemi me një po formale, por t’i drejtojme vetes disa pyetje të tjera. Cfarë kam bërë unë me dhuratën e Shpirtit të Shenjtë? A e kam mbajtur pastër tempullin? A e ndjej unë praninë e Shpirtit në jetën time? A përpiqem unë ta ushqej e ta zhvilloj farën e Shpirtit? Le t’i përgjigjet personalisht çdo i mirosur këtyre pyetjeve.