Kryepiskopi Anastas, duke iu përgjigjur fjalëve të Presidentit, z. Sali Berisha, në Konferencën e shtypit më 10.10.1994, deklaroi: “Kur më 30 qershor 1992, pas zgjedhjes sime si Kryepiskop u takova me shkëlqesinë e tij, Presidentin e Republikës së Shqipërisë z. Sali Berisha, më tha qartë se zgjedhja ime pranohet me kënaqësi. Me të njëjtën siguri kjo gjë iu përsërit delegacionit zyrtar të Patriarkanës Ekumenike, i cili erdhi dhe takoi zotin President më 4 korrik 1992. Cështja e qëndrimit provizor nuk u diskutua.
Shumë më vonë, mjetet e informacionit filluan të flisnin për qëndrimin e përkohshëm të Kryepishkopit, veçanërisht kur shfaqen tensionime ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Unë, në mënyrë të qëndrueshme, kufizohesha të kujtoj se të gjithë jemi të përkohshëm, kudo që të ndodhemi, dhe se ëndra dhe përpjekja që unë bëj është që Kisha Orthodhokse të ketë shumë shpejt kuadro të përshtatshëm, të cilët të jenë në gjendje të marrin përsipër udhëheqjen e saj. Eshtë shumë e qartë për të gjithë, se vendi i Kryepiskopit të Shqipërisë nuk është një fron pushteti, por kryq sakrifice.
Gjithashtu, është e njohur se, në këtë moment nuk ekziston asnjë i përgatitur që të marrë përsipër stafetën e kësaj përgjegjësie. Kriter mbetet gjithmonë interesi i Kishës, gjallërimi i pandërprerë i saj pas shkatërimit të madh që pësoi. Dhe zgjidhjet e fundit për këtë, në një vend që deklaron se respekton në mënyrë të plotë lirinë fetare, i përkasin orthodhoksëve të Shqipërisë dhe nuk imponohen në mënyrë mekanike me urdhëresa shtetërore.
Për sa i përket se çfarë konkretisht do të bëhet në lidhje me Kushtetutën ose pas votimit të saj, siç përfundon Zoti President, “janë çështje pastaj… më shumë e Kishës, e cila në Shqipëri është e ndarë nga Shteti”.
Tiranë, 11 tetor 1994
Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë