EmailFacebookKontakt

Letër e Hapur At Arthur Liolinit

At Arthur Liolinit
Meshtar i Kishës së Shen Gjergjit
Boston Massachustes – USA

I nderuar At Arthur,

Së pari, shpreh konsideratën time të lartë për atë çka përfaqësoni ju për komunitetin orthodhoks shqiptar të Amerikës.

Lexova në gazetën “Koha Jonë”, të datë 11 TETOR 1994, intervistën tuaj të dhënë korrespondentit të saj në Boston, Andi Bejtja. Kam ndjekur nga afër vizitat tuaja në Shqipëri dhe kam lexuar deklaratat dhe intervistat tuaja, në të cilat keni prekur edhe problemet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Po ju drejtoj një Letër të Hapur me vlerësimet e mija, mbasi edhe deklaratat tuaja kanë qenë publike. Le të gjykojë vetë opinioni publik, mbi bazën e një informacioni të dyanshëm, sa edhe si keni ndihmuar ju ringjalljen e KOASH-it.

1. – Pas Fronëzimit të Kryepiskopit, më 2 gusht 1992, disa gazeta, të varura dhe të pavarura në Tiranë, shpërthyen një fushatë të sinkronizuar kundër aktit të fronëzimit, sikur promovimi i tij nga Eksark i Patrikanës Ekumenike të Kostandinopolit, në Kryepiskop të Shqipërisë të mos ishte bërë në konformitet me proceduralin kanonike të orthodhoksisë dhe miratimin e organeve më të larta të shtetit e të Presidentit të Republikës, z. Sali Berisha.

Disa orë më vonë nga ceremonia e fronëzimit, TV shqiptar, në lajmet e orës 16, pas asnjë prononcim zyrtar, e shpallte të pavlefshëm aktin e fronëzimit, sikur të ishte një akt uzurpimi dhe jo një konsakrim legal. Për gjendjen e krijuar juve ju informonte në telefon ish studenti i Kolegjit Teologjik të Durrësit A.K., që kishit pagëzuar ju vetë dhe i kishit vënë emrin tuaj Artur. Madje, disa ditë më vonë, i nxitur nga të tjerët, ai botoi një artikull në gazetën Rilindja Demokratike kundër fronëzimit të Kryepiskopit, me pseudonim “Një grup intelektualësh orthodhoksë”. Ato ditë ai erdhi disa herë në shtëpinë time dhe, në konfidencë, mbasi kishim një lloj miqësie familjare, më tha si për telefonatat me ju ashtu dhe për artikullin, se autori i tij ishte ai vetë. Ai kishte besim se unë do ta mbështesja, duke kaluar në krahun e kundërshtarëve të fronëzimit. Në Amerikë ju bëtë një Deklaratë publike dhe, pas një farë kohe erdhët në krye të një delegacioni mikst, tepër i shqetësuar për rrjedhën që kishin marrë gjërat. Në Deklaratë ju ishit pozicionuar në anën e kundërshtarëve të fronëzimit.

Në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë u zhvillun bisedimet midis dy delegacioneve. Pasi ju dëgjoi, Kryepiskopi vuri në dukje se, përveç faktit se ishte me kombësi greke, nuk ekzistonte asnjë argument tjetër që të mund ta bënte atë të padenjë për postin e Kryepiskopit të Shqipërisë dhe, papritur, gjërat morën një kthesë tepër të favorshme për misionin tuaj. Kryepiskopi ju tha juve: “Pra, ju nuk më doni vetëm se jam grek. Urdhëro merre ti, që je shqiptar, drejtimin e Kishës. Unë po jap dorëheqjen! Për një çast, nyja gordiane u zgjidh, papritur e pakujtuar, në favor të delegacionit tuaj. Por, për habinë e të gjithëve, surppriza më e madhe ishte përgjigjja juaj pa mëdyshje dhe lakonike: “Jo, unë do të kthehem në Boston pranë familjes sime”. Në vend që t’i jepnit dhespotit grek një shembull të lartë patriotizmi dhe sadisfaksionin e pritur elementëve kundërshtarë, që ju i mbështesnit nga larg dhe nga afër, turpëruat vehten dhe vetë patriotizmin shqiptar. Kështu përfunduan bisedimet midis dy delegacioneve në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë. Këto gjëra opinioni publik nuk i ka ditur deri më sot.

Duke e ndjerë edhe vetë difektin, juve ju brente ndërgjgjja dhe nuk mund të largoheshit nga Shqipëria pa bërë një përpjekje të re për zgjidhjen e problemit. Thirrët në Hotel “Dajti” tetëdhjetëvjeçarin, prof. Dhimitër Bedulin, kryetheologu i KOASh-it dhe një nga veprimtarët më të shquar të orthodhoksisë shqiptare para dhe pas luftës, si dhe gjatë regjimit komunist, sa kohë besimet fetare ishin të lira akoma, dhe plot përkushtim i thafë: “Përse nuk e ndan gruan dhe të marrësh drejtimin e Kishës?” Profesori ju tha: “Përse nuk e bëni ju këtë gjë, që jeni shumë më i ri se unë dhe njëkohësisht jeni edhe klerik?”… Një ditë më vonë, një nga anëtarët e delegacionit dërgoi në shtëpinë time A.K., që ju shoqëronte gjatë gjithë kohës, me ftesën që të shkoja në Hotel “Dajti”. E pyeta përse më donin?

“Nuk e di me saktësi, më tha, por me sa kam dëgjuar ju duan për t’iu dërguar, me shpenzimet e tyre, në një nga kryeqytetet e mëdha të Evropës Perëndimore, për të hulumtuar nëpër arkivat…” Nuk e mora vesh arsyen e vërtetë, sepse takimi nuk u bë. As këto gjëra opinioni publik nuk i ka ditur deri më sot.

2. – Në intervistën tuaj të sipërme ju thoni se keni respekt për Kryepiskopin Anastas dhe misionin e tij. Po të ishte e vërtetë kjo gjë, atëherë kur keni ardhur më vonë në Shqipëri, dy herë, përse nuk keni shkuar ta takoni, por, me të zbritur nga avioni, keni nxituar të shkoni nëpër zyrat e shtetit ose jeni nisur për në Korçë? Ku është dashuria sublime e Ungjillit, që të duam të afërmit, kundërshtarët madje edhe armiqtë? Unë habitem se si është e mundur që një shërbëtor i Krishtit dhe i Kishës së Tij mund të bëjë të kundërtën e asaj që ka predikuar Zoti ynë, Jisu Krishti?

Për më tepër, si mund të deklaroni se keni respekt për misionin e tij, kur kaloni me heshtje absolute përpjekjet dhe punën e tij të madhe për ringjalljen e KOASH-it dhe jo ashtu siç shprehëni ju kalimthi, se ka ardhur në Shqipëri “për të restauruar shpirtërisht Kishën Orthodhokse Shqiptare”. Nuk mund të kishte kurrën e kurrës restaurim shpirtëror të Kishës pa rimëkëmbjen e saj fizike në të gjithë elementët e saj përbërës themelorë: lokale kulti dhe priftërinj. Përse kaloni në heshtje punën e tij dhe rezultatet e arritura në formimin e brezit të ri të klerit orthodhoks, me hapjen e Kolegjit Teologjik të Durrësit me pengesa të mëdha? Përse nuk thoni asnjë fjalë për restaurimin e kishave dhe manastireve të shkatërruara, për ndërtimin nga themelet të kishave të rrafshuara ose për ngritjen në qytete e fshatra të kishave të parafabrikuara të sjella nga Selaniku? Përse nuk përfillni punën që bëhet me anë të kurseve të katekizmës për ngritjen e nivelit fetar të masës së besimtarëve orthodhoksë? Përse nuk vlerësoni veprimtarinë e Kishës në fushën e dhiakonisë sociale, duke ardhur në ndihmë me të holla, ushqime, rroba dhe medikamente ose edhe materiale ndërtimi familjeve nevojtare dhe institucioneve bamirëse, pa bërë asnjë dallim fetar, apo për ndihmën urgjente në të holla e në ushqime për banorët e zonave të dëmtuara nga përmbytjet kohë më parë?

Përse heshtni për të gjitha këto arritje që ka bërë një peshkop i huaj për të mirën e Kishës Orthodhokse Shqiptare? Unë mendoj se të gjitha këto arritje ju i dini, por heshtni sepse u radhitët në anën e kundërshtarëve të fronëzimit dhe pozicionimi juaj ju pengon të prononcoheni publikisht. Ishte në nderin tuaj që respektin ta tregonit jo me fjalë boshe, por me vlerësime konkrete dhe objektive, duke shfaqur njëkohësisht edhe gëzimin tuaj për këto arritje për të cilat Kishës sonë, të shkatërruar nga regjimi komunist, do t’i duheshin jo tre, por tridhjetë vjetë.

Në vazhdim desha të shtoja që jo vetëm t’i vlerësonit, por edhe të ndihmonit konkretisht, duke ndërmarrë në Amerikë fushata për mbledhjen e fondeve të nevojshme për rimëkëmbjen e KOASH-it. Përkundrazi, ju qëndruat indiferent, duke mos u bërë fare përshtypje se si një peshkopi të huaj i duhet të bredhë nëpër Evropë me dhisk në dorë, për të siguruar fondet e nevojshme për rimëkëmbjen e Kishës Orthodhokse Shqiptare, për të cilën ju përgjëroheni? Për aq kohë sa do të qëndronte në krye të KOASH-it, ju e kisht për detyrë ta mbështesnit Kryepiskopin moralisht dhe materialisht, aq më tepër që si nxënës i Imzot Fan Nolit, fjala juaj në Amerikë dhe në Atdhe, kishte një ndikim të madh. Për shkak të pozicionimit tuaj në krahun e kundërt ju nuk e bëtë këtë gjë. Prandaj, edhe besimtarët orthodhoksë në Shqipëri, kudo që shkuat, nuk treguan ndonjë entuziazëm. Përkundrazi, pritja ka qenë kudo e ftohtë, madje edhe me skena të papëlqyera. Në këtë kontekst, ëshë vendi këtu të përmend faktin se kur delegacioni juaj u largua nga bisedimet dhe ju në ikje e sipër latë një zarf mbi tavolinë, të gjithë sa ishin prezent u shtangën kur panë 300 $ brenda. Kjo ishte ndihma juaj që sillnit nga Amerika për rimëkëmbjen e Kishës, vlerë e barabartë me rrogën mujore të 4-5 priftërinjve. Deri më sot shpenzimet e përgjithshme për nevojat e rimëkëmbjes së Kishës kanë arritur miliona dollarë. Mendoj se është një fyerje e rëndë që, ndonjë element ekstremist, duke u informuar për llogarinë rrjedhëse të KOASH-it në Bankën e Shtetit, arrin të shprehet në shtyp më Qalët “mashtrues” dhe “hajdut” në adresë të Kryepiskopit. O Zot, çfarë fyerje e rëndë dhe e patolerueshme!

3 – Do thoni ju, cili është ky që guxon të më qortojë? Prandaj, më duhet të prezantohem: Jam një profesor i Kolegjit Teologjik të Durrësit. Rrjedh nga një familje me tradita orthodhokse dhe patriotike. Gjyshi nga babai ka qenë prift, me origjinë nga vllehët e Voskopojës. Babai ka qenë kryepsallt, mik i Imzot Fan Nolit kur ishte emigrant ekonomik në Amerikë, miqësi të cilën e vazhdoi edhe më vonë në Shqipëri. Kam bërë studimet e mesme dhe të larta në Bukuresht, ku mbarova për theologji dhe drejtësi. Babai im quhej Nasi Papapavli. Për atë ka shkruar fletushka “Autoqefalia Orthodhokse Shqiptare” në gusht të vitit 1993 në artikullin me titull: “Thesare të Kulturës shqiptare”. Aty përmend edhe emrin e babait tim, si pjesëtar i një familjeje atdhetare, që ruajti deri në pleqëri vendin e fshehtë, në një nga kishat e Kalasë së Beratit, të kodikëve orthodhoksë. Me këmbënguljen e tij u zbuluan dhe u dërguan në Kinë për t’i restauruar dhe sot gjenden në Arkivin Qëndror të Shtetit në Tiranë. Për meritat e babait tim shkroi edhe ish presidenti i Akademisë, prof. Aleks Buda, në shtypin e kohës.

Pra, si trashëgimtar i një familjeje orthodhokse me tradita patriotike, edhe unë jap ndihmën time modeste për ringjalljen e Kishës Orthodhokse Shqiptare, duke milituar përkrah Kryepiskopit të saj. Jam i ndërgjegjshëm se kjo Letër e hapur do të zemërojë kundërshtarët e fronëzimit dhe mund të më sajohet çdo gjë e papritur. Por unë tërë jetën time kam punuar me nder dhe jam udhëhequr nga parimi se njeriu në jetë jo vetëm duhet të punojë me nder, por duhet të vdesë i nderuar. Po i shërbej Kishës pa cënuar interesat kombëtare. Në konferencat ekleziatike ndërkombëtare jam përpjekur të përfaqësoj denjësisht KOASH-in. Në një rast kam kritikuar vendimin e Sinodit të Kishës Greke, në mbledhjen e Rodosit, për tërheqjen nga dialogu teologjik për bashkimin e të dy kishave, Orthodhokse dhe Katolike. E përmend këtë fakt jo për t’i atribuar vehtes merita, por për qëndrimin e Kryepiskopit kur u ktheva nga shërbimi. Ai e miratoi pozicionimin tim, sepse, pavarësisht se ishte peshkop grek, vepronte nga pozitat e Kryepiskopit të Shqipërisë dhe të Orrhodhoksisë.

Tani që i thashë të gjitha këto e ndjej vehten të lëhtësuar. Në rast se këto nuk do t’i vlejnë aktualitetit, do të mund të ndriçojnë brezat e ardhshëm të historianëve mbi të vërtetën në atë kohë kur brezat e tanishëm të jenë zhdukur dhe bashkë me to do të jenë shuar edhe pasionet që kanë turbulluar mendjen dhe shpirtin tonë.

Me konsideratë të veçantë, juaji
Teodor Papapavli